Presidenti Rus,Putin paralajmëron kaos pas sulmit perëndimor në Siri

Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëron se sulmi perëndimor në Siri rrezikon të zhysë në kaos marrëdhëniet ndërkombëtare. Në një deklaratë të shpërndarë nga Kremlini, Putin shprehet se kaosi është i pashmangshëm, nëse vërtetohet se sulmi është ndërmarrë në shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

Kete koment, shefi i Kremlinit e bëri në një bisedë telefonike me homologun iranian Hasan Ruhani, me të cilin ndau të njëjtin mendim se sulmet e të shtunës dëmtuan perspektivën e një zgjidhjeje politike për konfliktin 7-vjeçar në Siri.

Rusia ka paralajmëruar për pasoja të rënda pas sulmit perëndimor ndaj regjimit të Asadit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret. Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Niki Hallej paralajmëroi se Uashingtoni do ti vendosë Moskës sanksione të reja për mbështetjen që i jep Asadit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Trump nuk heq dorë nga objektivi i tij për tërheqjen e 2 mijë trupave amerikane nga Siria. Por kjo do të ndodhë në momentin kur  ISIS të jetë zhdukur plotësisht dhe të mos përbëjë më kërcënim për sigurinë e vendit. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë hedh poshtë komentin e presidentit francez Emanuel Macron, i cili tha se e kishte bindur Trumpin për një qëndrim afatgjatë të trupave amerikane në Siri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne