Me Presidentin Macron, Franca mund të luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet perëndimore me Iranin

Ekspertët evropianë kundër terrorizmit paralajmërojnë se ndërsa ISIS është futur në një teatër gjithnjë e më të vogël të operacioneve në Lindjen e Mesme, me siguri do të ketë të papritura kur luftëtarët e huaj të kthehen në vendet e tyre. Në këtë kontekst, sulmet terroriste të ISIS-it në Teheran ekspozojnë një situatë shumë më komplekse e cila do të ketë pasoja të përhershme në Perëndim, nëse nuk trajtohet që në burim. Kjo përfshin tolerancë zero ndaj çdo mesazhi që promovon ekstremizmin e dhunshëm.

Ajo që shqetëson ekspertët është se ISIS përvetësoi pothuajse me siguri ekspertizën që përdorej për të kryer sulmet në Iran nga organizata e mërguar Muxhahedin e Halq (MEK). MEK ka një histori prej tre-dekadash të dhunës terroriste kundër Iranit, dhe vazhdon të kapet në një axhendë e cila nxit ndryshimin e dhunshëm të regjimit. Përderisa MEK konsiderohet gjerësisht si një forcë e vdekur për shkak të moshës dhe shëndetit të luftëtarëve të saj, ekspertët paralajmërojnë se megjithëse MEK nuk përbën më një forcë luftimi, anëtarët mbeten plotësisht radikalizues dhe të aftë për të vepruar si lehtësues logjistikë dhe konsulentë trajnimi dhe planifikimi për çdo grup tjetër terrorist. Sigurisht, ata janë të gjithë të aftë për kryerjen e misioneve vetëvrasëse.


Meqënëse Amerika siguroi që MEK-u të transferohej nga Iraku në Shqipëri, ky rrezik u bë më akut. Shqipëria ende po lufton për të kapërcyer korrupsionin politik dhe mediatik, krimin e drogës, kontrabandën e armëve dhe trafikimin e njerëzve, të cilat do ta pengojnë hyrjen në Bashkimin Evropian në çdo kohë. Prania e 3,000 anëtarëve të radikalizuar të MEK-ut në një vend të njohur si një rrugë midis Evropës dhe Sirisë për forcat terroriste moderne nuk është vetëm e diskutueshme; është e rrezikshme.

Megjithatë, rreziku i vërtetë nuk qëndron në Shqipëri; Shqipëria është një vend i NATO-s i mbizotëruar nga SHBA-ja, dhe kështu MEK-u mund dhe do të përfshihet e rivendoset për çfarëdolloj gjëje që SHBA-ja ka nevojë për të. Vizitat e fundit nga John Bolton dhe senatori John McCain janë një tregues i kësaj axhende.


Rreziku i vërtetë qëndron në Francë dhe në Evropën Perëndimore. MEK ka qenë i vendosur për tridhjetë e gjashtë vitet e fundit në Auvers-sur-Oise jashtë Parisit. Këtë vit, si gjithmonë, MEK do të përdorë emrin e tij të parë ‘Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit’ për të marrë me qera sallonin Villepinte jashtë Parisit, për t’u paguar avokatëve tarifat joproporcionale të folësve dhe për të siguruar një audiencë të paguar për të valëvitur flamuj dhe për të duartrokitur fjalimet e ndryshimit të regjimit. Kjo ngjarje vjetore njihet brenda MEK-ut si një festë e luftës së armatosur – arsyeja e ekzistencës së grupit MEK.

Këtë vit ngjarja do të mbahet më 1 korrik, por fillimisht ishte caktuar për të festuar sfidën e MEK-ut ndaj udhëheqjes së Ayatollah Khomeinit në Khordadin e 30-të (21 qershor 1981). Këto data janë të rëndësishme. Analistët tani thonë se MEK e ka ndryshuar datën e kremtimit për ta larguar atë nga lidhja me humbjen – pasi grushti i shtetit dështoi, udhëheqësit e lartë të MEK-ut ikën në Francë me mbështetjen e CIA-s dhe i lanë njerëzit e thjeshtë për t’u përballur me arrestime masive dhe ekzekutime brenda Iranit. Përkundrazi, data e re është më afër asaj që MEK e konsideron si një fitore e madhe në fushatën terroriste të tre dekadave kundër Iranit. Më 7-të Tir (28 Qershor 1981), operativët e MEK shpërthyen selinë e Partisë së Republikës Islamike në Teheran gjatë një takimi të udhëheqësve të partisë. Shtatëdhjetë e tre zyrtarë udhëheqës të Republikës Islamike u vranë.

Rëndësia e kësaj bëhet e qartë kur lidhim besimet kryesore të MEK-ut me sulmet e fundit terroriste në Teheran. Mesazhi që ngjarja e MEK-ut u jep vëzhguesve është se modeli i sulmeve të ISIS-it në Teheran ishte i lavdishëm dhe i drejtë dhe është një përgjigje legjitime për një skenar në të cilin Irani është sponsori kryesor i terrorizmit në botë. (Sa për ta ditur, as MEK as Arabia Saudite nuk i dënuan sulmet).

Ky skenar – Irani si sponsori kryesor i terrorizmit – është promovuar nga MEK në të gjitha qarqet politike perëndimore. Puna e parlamenteve kombëtarë si dhe Parlamenti Europian janë mbajtur peng i kësaj narrative. Normalizimi i marrëdhënieve me Iranin pas marrëveshjes bërthamore është penguar nga MEK. Në të vërtetë, ngacmimi dhe kërcënimi i MEK-ut në ndjekje të kësaj axhende u diskutua kohët e fundit në Parlamentin Evropian. Deputetët përfunduan se Evropa nuk mund ta sfidojë siç duhet situatën e të drejtave të njeriut të Iranit për sa kohë që një grup që promovon ndryshimin e regjimit dhe abuzon me të drejtat e njeriut të anëtarëve të vet, imponon vetë artificialisht fazën qendrore të këtyre diskutimeve.

Fakti është se gjatë vitit të kaluar peizazhi politik perëndimor ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Dy grupe të dallueshme janë shfaqur: një grup i vendeve anti-Iran, duke përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Izraelin dhe Arabinë Saudite nga njëra anë, që me sa duket ndjekin verbërisht ndryshimet e regjimit kundër Iranit me çdo kusht, dhe Evropa – pa Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit – (dhe aksidentalisht Rusia dhe Kina) që po ndjekin afrimin dhe mundësitë tregtare.

Në këtë kontekst, vëmendja për veprim duhet të bjerë në Francë, në shtëpinë e selisë së MEK. Ne duhet të pyesim qeverinë franceze se pse këta njerëz që i përkasin bllokut të ndryshimit të regjimit vazhdojnë të marrin me qera tokën tuaj pas 36 vjetësh? Çfarë kanë bërë amerikanët apo MEK-u për ju, që ia vlen reputacioni i keq që i bashkëngjitet mbështetjes së këtij grupi? Cili është benefiti i të pasurit MEK-un në vendin tuaj? Çfarë implikimesh ka prania e tij e vazhdueshme në politikën tuaj të jashtme dhe të tregtisë? Si mundet Republika të vazhdojë ta lejojë këtë grup të nxisë ekstremizmin dhe terrorizmin e dhunshëm në tokën franceze?

Në të kaluarën, natyrisht, ishte e pakuptimtë t’i bëje këto pyetje – edhe pse ato ishin pyetur si çështje të përhershme të pazgjidhura. Heqja e MEK-ut nga Franca dhe vende të tjera evropiane ishte problematike – dëbimi i tyre në Irak ishte i pamundur për shkak se të drejtat e tyre njerëzore nuk mund të garantoheshin. Por në vitin 2016, amerikanët ndihmuan largimin e MEK-ut nga Iraku në Shqipëri. Nuk ka arsye të besohet se Evropa nuk mund të lehtësojë në mënyrë të ngjashme largimin e sigurt të udhëheqësve të MEK-ut nga Franca dhe vendet e tjera evropiane në Shqipëri. Udhëheqësja e MEK-ut, Maryam Rajavi ka kaluar tashmë disa javë në Tiranë. Nuk ka asgjë që të parandalojë ngritjen e një selie të përhershme atje me ndihmë të mëtejshme nga amerikanët.

Lëvizja e re qëndrore e Presidentit Emmanuel Macron ka fituar një shumicë të madhe në parlamentin francez, duke i dhënë atij një dorë të fortë për të luajtur. Ai tashmë e shpalli veten si një sfidues të zgjuar dhe mjeshtëror në marrëdhëniet ndërkombëtare kur ai ia mori në kthesë presidentit Donald Trump në samitin e NATO-s në Bruksel në maj. Ndoshta për Francën ka ardhur më në fund koha për një vlerësim të ri të asaj që nënkupton zero tolerancë. Mesazhet e MEK-ut që promovojnë ndryshimin e regjimit të dhunshëm nuk duhet të tolerohen më.

Massoud Khodabandeh

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne