“Presim që autoritetet kurde të heqin dorë nga referendumi në Irak”

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se pret nga autoritetet e qeverisë rajonale kurde në Irakun e veriut të heqin dorë nga referendumi i paralajmëruar për shkëputje nga Iraku, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në kulmin e krizës së thellë aktuale në Irak, një referendum i tillë vetëm mund të përkeqësojë situatën dhe madje mund të çojë në shpërthimin e luftës civile”, ka thënë ministri i Jashtëm turk, Çavuşoğlu.

President i qeverisë rajonale kurde në Irakun e veriut (IKBY), Mesut Barzani, më parë ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga vendimi për shpalljen e referendumit për pavarësinë dhe paralajmëroi mbajtjen e tij më 25 shtator të këtij viti. Kur u pyet se pse tani u soll vendimi për referendumin, Barzani u përgjigj “Pse jo tani?”, dhe theksoi se “referendumi për pavarësi” tashmë disa herë ishte shtyrë.

Bagdadi zyrtar kundërshton mbajtjen e referendumit, kurse autoriteteve kurde në Irak kohët e fundit edhe SHBA-të u kanë bërë thirrje që të heqin dorë nga referendumi.

Paralelisht me këtë, me vendim të njëanshëm nga deputetët kurdë të parlamentit rajonal në Kirkuk do të shpallet edhe referendumi në të cilin qytetarët e rajonit do të vendosin nëse ata duan të jenë nën kontrollin e qeverisë qendrore të Irakut apo qeverisë rajonale kurde, e cila në referendumin e shtatorit dëshiron të shpallë pavarësinë. Kjo duket edhe si një mollë sherri në Irak, që ka qenë një skenë e krizës së thellë politike dhe të sigurisë në vend.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne