Dy burra muslimanë u penguan nga një fluturim për në Mançester, pasi dy gra britanike i akuzuan ata për “bërje gjestesh” dhe “anashkalim të skanerëve të sigurisë”.

Burrat muslimanë u nxorrën nga avioni për kontrolle shtesë në aeroportin e Izmirit në Turqi lidhur me pretendimet, duke përfshirë mes tyre edhe pretendimin se ata ishin “duke shkuar në tualet për të përdorur telefonat e tyre”.

Fluturimi u vonua për 80 minuta përpara se udhëtarët të niseshin për herë të dytë.

Sipas dëshmitarëve, dy gra britanike i treguan ekuipazhit të kabinës së avionit se ato i panë burrat muslimanë “duke anashkaluar skanerët e sigurisë” dhe “duke bërë (disa) gjeste”, duke vonuar me pretendimet e tyre nisjen e avionit të mërkurën.

Një grua në bord tha për Evening News Manchester se skena ishte “e sikletshme”.

“Dy burra të pafajshëm muslimanë u nxorrën jashtë avionit dhe u kontrolluan, pasi dy zonja angleze refuzuan të fluturojnë me ta në avion,” tha ajo.

“Rezultati ishte një vonesë për të gjithë, dhe burrat fluturuan, ndërsa gratë u lanë pas”.

Gratë refuzuan të fluturonin me muslimanët dhe vendosën të ktheheshin në terminal.

Një zëdhënës i Thomas Cook Airlines tha se shqetësimet nuk ishin verifikuar dhe se kishin falënderuar burrat për bashkëpunimin e tyre.

“Dy klientëve në këtë fluturim iu kërkua të kalojnë nëpër sistemin e sigurisë për herë të dytë si një masë paraprake, pasi u ngritën shqetësime të paverifikuara që kontrolli fillestar i sigurimit të aeroportit i kishte humbur ata,” tha ai. / © Gazeta Impakt

25