Fushatat reklamuese nuk janë të lira dhe ata që paguajnë duan fitimin për paratë që japin. Ngjarja vjetore e Muxhahedin Halk (MEK) në Vilpënt të Francës për të festuar të ashtuquajturën luftë të armatosur dhe për të nxitur ndryshimin e dhunshëm të regjimit kundër Iranit ka të bëjë me prezantimin e MEK-ut për të ndërtuar një prezencë në qarqet politike dhe ato të medias. Marka e Muxhahedin Halk, si çdo markë tjetër, varet nga suksesi i tij në reklamimin dhe mbështetjen e konsumatorit.

Mbështetja për MEK-un është më e fortë në Amerikë ku raportet se administrata Trump do të miratojë një politikë të ndryshimit të regjimit në Iranit kanë çuar në spekullime se kjo do të përfshijë MEK-un. Është e qartë se elementët anti-iranianë që paguajnë për MEK-un besojnë se po e marrin fitimin për paratë.

Çfarë ofron MEK-u për dollarët e tyre?

Së pari dhe më kryesorja, kushdo që beson se MEK ka hequr dorë nga dhuna dhe terrorizmi duhet të rishikojë historinë e tyre të kohëve të fundit (ndoshta konsultohuni me faqet e tyre të internetit në gjuhën Farsi për tregimet e MEK-ut dhe jo me propagandën në gjuhë angleze të NCRI-së). Pas humbjes së sponsorit – Sadam Huseinit – në vitin 2003, MEK, nga baza e tij irakiene në kampin Ashraf dhe nga selia në Paris, u angazhua në mbështetje aktive për kryengritjen e udhëhequr nga sadamistët, e cila u zgjerua nga al-Kaeda dhe më së fundmi nga përpjekjet e dështuara të Daeshit për të marrë Bagdadin.

U deshën dymbëdhjetë vjet që qeveria e Irakut të kishte sukses në kërkesën e saj që Amerika të largonte grupin nga Iraku. Heqja e MEK-ut nga lista terroriste e Amerikës në vitin 2012 (pasuar nga listat e terrorizmit britanik dhe të Bashkimit Evropian) ishte një lëvizje pragmatike për të lejuar zhvendosjen e grupit në vendet e treta. Sigurisht, qeveria amerikane nuk kishte ndërmend ta zhvendoste grupin në SHBA. Pse duhet ta bënte kur në vend të saj grupin do e strehonin Franca dhe Shqipëria.

MEK kurrë nuk ka hequr dorë nga axhenda e tij e mbështetjes së terrorizmit. Edhe pas mbërritjes në Shqipëri, mbështetja e MEK-ut për Daeshin dhe ekstremistët e dhunshëm ka qenë plotësisht në një hap me luftënxitësit e shquar; ata që nuk e kanë problem imponimin e dhunshëm të një të ashtuquajturi kalifati jonjerëzor për miliona njerëz në Lindjen e Mesme, për aq kohë sa Irani është i përfshirë. Megjithatë, kjo pikëpamje e SHBA-së për situatën nuk bën jehonë në Europë. Vizitat e John Bolton dhe senatorit John McCain në MEK në Tiranë na kujtojnë që Shqipëria ka një kufi toke me BE-në nëpërmjet Greqisë dhe me shtetet e tjera të trazuara të Ballkanit. Roli de fakto i Shqipërisë si një urë midis Evropës dhe zonave të konfliktit në Lindjen e Mesme ka qenë shqetësues për zyrtarët ndërkombëtarë të sigurisë për njëfarë kohe. Zhvendosja e 2,700 anëtarëve të radikalizuar të MEK-ut nuk kishte gjasa të ofronte ndonjë ngushëllim.

Në të vërtetë, kushtet në Shqipëri nënkuptojnë se grupi ka një liri më të madhe për të ndjekur axhendën e tij tani që është larguar nga Iraku. Megjithëse MEK ka hequr dorë nga aftësia e vet për të detyruar ndryshimin e regjimit në Iran, grupi, natyrisht, do të punojë për të dëmtuar interesat e Iranit në çfarëdo mënyre që është në gjendje, ose siç është udhëzuar. Si një forcë mercenare, MEK është e pajisur për të trajnuar, këshilluar dhe lehtësuar aktivitetin e terrorizmit dhe inteligjencës. Sulmet e fundit të ISIS në Teheran, të cilat mbajnë shenjat dalluese të përfshirjes së MEK-ut në një fazë të caktuar, janë një shembull i fuqishëm i kësaj aftësie. Interpoli paralajmëron të paktën 173 anëtarë të dyshuar të një brigade vetëvrasëse të Daeshit që po shkon për në Evropë. Muxhahedinët janë ekspertë në kontrabandën e njerëzve.

Pra, kur folësit e paguar mirë në eventin në Vilpënt në Francë advokojnë ndryshimin e dhunshëm të regjimit, është ky grup mercenar paraushtarak i MEK-ut i cili po reklamohet, dhe jo një listë politike dëshirash e shkruar në Uashington.

Për shkak të kësaj, pjesëmarrja e tre anëtarëve të parlamentit të Shqipërisë në këtë aktivitet duhet të jetë një shqetësim i madh për Evropën. Në vitin 2014 Shqipëria u bë kandidate zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pavarësisht përpjekjeve për të luftuar kartelet e drogës, kontrabandën e armëve dhe bandat e trafikimit të njerëzve që mbizotërojnë atje, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë ende problem.

Ndonëse politika e jashtme zyrtare e deklaruar e Shqipërisë nxit mosndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera, disa deputetë e konsiderojnë advokimin për MEK-un të parezistueshëm.

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu në një përpjekje të mrekullueshme për të injoruar natyrën totalitare të MEK-ut, i inkurajoi në mënyrë qesharake anëtarët e MEK-ut në audiencë që “të votonin për të ardhmen” e tyre. MEK është një kult, anëtarët e tij mbahen në një gjendje skllavërie moderne. Ata madje as nuk ia kanë idenë jetës së tyre të përditshme, e jo më një votimi. Kjo e bën edhe më shqetësuese prezencën e zëvendësministres së brendshme Elona Gjebrea. Evropianët e njohin atë si ministrja e anti-trafikimit. Megjithatë, ajo ka bërë një sy qorr ndaj kushteve të jetesës së anëtarëve të MEK-ut në vendin e saj.

Zëvendësi i Partisë Socialiste dhe ish-Kryeministri Pandeli Majko i bëri jehonë kërkesës së MEK-ut për ndryshimin e regjimit dhe deklaroi se këta anëtarë të radikalizuar të MEK-ut tani janë qytetarë shqiptarë. A ishte kjo thjesht një retorikë?

Nëse qeveria e Ramës i ka dhënë me të vërtetë anëtarëve të MEK-ut pasaporta shqiptare, lëvizja e lirë e tyre në të gjithë Evropën do të lejojë në Bashkimin Evropian dhe në zonën Shengen një ushtri të re ekstremistësh të radikalizuar, e cila do të ishte një kërcënim i ri për Perëndimin. Franca, e cila ka pritur selinë e MEK-ut për më shumë se tre dekada, gjithmonë ka refuzuar t’u japë anëtarëve pasaporta kombëtare.

Ndërsa BE e sheh MEK-un si një kërcënim sigurie që do të dëmtonte pranimin, ka shumë elementë të tjerë që në të vërtetë përfitojnë nga pasiguria dhe korrupsioni në rajonin e Ballkanit, i cili lejon bandat dhe grupet si MEK-u për të vepruar lirisht jashtë çdo ligji dhe norme. Megjithatë, për një gjë mund të biem dakord, se as SHBA as BE nuk dëshirojnë që Shqipëria të bashkohet me BE-në së shpejti.

Në të vërtetë, me marrëveshjet tregtare në rritje midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Iranit, prania e vazhdueshme e MEK-ut në vendet e BE-së është gjithnjë e më problematike.

Megjithatë, edhe pse muxhahedinët janë ekspertë në kërcënime dhe propagandë, në të vërtetë dëbimi i MEK-ut nga Evropa nuk duhet të jetë as i diskutueshëm as i papritur. Asnjë qeveri në Evropë nuk e mbështet prezencën e ekstremistëve në mesin e tyre dhe MEK ka një histori të gjatë të sjelljes dhe mesazheve ekstremiste. Vetëvendosjet në kryeqytetet perëndimore janë një shembull i sjelljes së tyre aktuale, ndërsa festimi i luftës së armatosur dhe advokimi i ndryshimit të dhunshëm të regjimit në Vilpënt është i papajtueshëm me vlerat e vendeve evropiane dhe me qasjen më të gjerë ndaj terrorizmit.

Më parë, MEK-u në Evropë nuk mund të dëbohej për në Irak sepse të drejtat e tyre njerëzore nuk mund të garantoheshin. Por ky nuk është rasti në Shqipëri. Marjam Raxhavi ka kaluar disa javë të lumtura atje më herët këtë vit. Presidenti Makron ose do të bëhet burrë dhe do ta dëbojë këtë grup të padëshiruar, ose do të vazhdojë të tolerojë MEK-un në tokën franceze si një levë për të nxjerrë lëshime të mëtejshme nga administrata Trump. Sidoqoftë, mbetet fakti se problemi i vërtetë gjendet në Shqipëri. Një problem sigurie dhe humanitar që nuk do të largohet.

Massoud and Anne Khodabandeh

/ © Gazeta Impakt

101