Prezenca e Ramës në televizionin italian/ Lubonja: Turpi i Bruno Vespës

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në televizionin “News 24”,në rubrikën “Opinion”, analizoi pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në televizionin italian.

I ftuar në “Rai 1”, në emisionin “Porta a porta” të mbrëmjes së të Martës, Rama u shpreh se vizita e tij në Itali shërbeu për të rregulluar imazhin e vendit, të përdhosur nga opozita.

Lidhur me këtë Fatos Lubonja tha se askush nga të ftuarit nuk e përfaqësoi denjësisht Shqipërinë, duke e cilësuar shfaqjen e mbrëmshme të kryeministrit Rama si “turpin e Bruno Vespës”.

“Vespa nuk njihet në Itali si ata që thonë të vërtetën, por si shërbëtor i regjimit të Berluskonit. Sado që e kam ndjekur prej kohësh Italinë edhe Vespën ajo që pashë dje i kalonte caqet e imagjinatës sime. Edhe në Shqipëri edhe gazetarët me shërbëtorë bëjnë kujdes të ftojnë në studio jo vetëm njerëz që mbështesin njërën palë, por edhe palën e kundërt, ndërkohë që ai kishte ftuar Ramën dhe tre personazhe, ku njëri ishte gazetari i “Liberos”, që s’dinte asgjë nga Shqipëria, i dyti Igli Tare, që është futbollist dhe s’ka jetuar fare në Shqipëri, aq më tepër që njihet si njeri i afërt me Ramën, dhe, i treti, një sipërmarrës edhe ai i panjohur. Mua më bëri përshtypje që mungonte publiku shqiptar, mungonte një intervistë me njerëzit, një zë i paanshëm, s’po them politik por mungonte gjithçka. Ishte qartazi një gjë si mund ta thuash: e blerë! Ndoshta jo me lekë por me influenca. Ishte turpi i turpit të Bruno Vespës, ndaj besoj edhe e kishte futur në pjesën e fundit. Kryeministri i një vendi në vend që të ketë 15 minuta në orën kryesore, futet atje në fund pas debateve të rëndomta të ditës, kjo ishte e neveritshme. Nëse duan të mësojnë ç’ndodh këtu le të vijnë gazetarët italianë, por jo të niset Kryeministri nga Shqipëria për të sqaruar çfarë ndodh këtu dhe për të rregulluar imazhin e Shqipërisë”,- tha Lubonja. 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne