Prokurorët turq kërkojnë deri në 35 vjet burg për Andrew Craig Brunsonin, një prift amerikan, të cilin Uashingtoni dëshiron me ngulm që të lirohet. Prifti amerikan akuzohet për spiunazh dhe ndihmë ndaj PKK-së dhe grupit terrorist gylenist FETO.

Prokurorët në qytetin e Izmirit, ku Andrew Craig Brunson ka shërbyer si pastor, kanë kërkuar deri në 35 vjet burg duke e akuzuar atë për spiunazh dhe lidhje me grupet terroriste FETÖ dhe PKK.

Në akuzën e prokurorisë të paraqitur në gjykatë, Brunson akuzohet për kryerjen e krimeve në emër të grupit terrorist FETÖ dhe PKK si dhe marrjen e informacioneve të klasifikuara shtetërore për qëllime politike dhe ushtarake, të cilat mund ta përballin atë deri në 15 dhe 20 vjet burg.

Seanca do merret në shqyrtim nga gjykata nëse Brunson pranon padinë.

Rasti i Brunsonit, pastorit të kishës Protestante Diriliş (ringjallja) në Izmir, është një çështje e mprehtë mes Ankarasë dhe Uashingtonit. Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht lirimin e Brunsonit, duke pretenduar se është “burgosur padrejtësisht”.

Ish Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, ishte zyrtari i fundit i lartë i SHBA-së, që duke shpërfillur pavarësinë e gjyqësorit të Turqisë, kërkoi lirimin e tij gjatë një vizite në Turqi muajin e kaluar. Qeveria turke i ka thënë vazhdimisht Uashingtonit se rasti i Brunsonit po trajtohet nga gjykatat dhe qeveria nuk mundet të ndërhyjë.

FETÖ, e drejtuar nga rezidenti i Pensilvanisë Fetullah Gylen, është implikuar në një seri veprash kriminale, ku më e rënda lidhet me tentativën e grushtit të 15 korrikut 2016, ku përmes infiltruesve të saj në ushtri u vranë 249 njerëz të pafajshëm.

SHBA nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesave të Turqisë për të ekstraduar ose arrestuar Gylenin.

Brunson u arrestua pasi një dëshmitar gjatë një hetimi ndaj FETÖ-s dëshmoi kundër tij. Padia tregonte lidhjet e pastorit me grupin terrorist, kontaktet e tij të shpeshta me Bekir Bazinin, ndërlidhës i FETÖ-s për rajonin e Egjeut, ndihmësin i tij Murat Safain dhe zyrtarin e një dege të Amnesty International në Turqi, Taner Kılıçin, i cili gjithashtu akuzohet si ndihmues i FETÖs.

Akuzat së pari u vertetuan nga një dëshmitar i fshehtë, i cili luajti një rol kyç në nisjen e hetimeve. Pastori dhe gruaja e tij e cila u lirua më herët kishin qenë anëtarë të FETÖ-s, sipas dëshmitarit.

Edhe përpara se të pyetej nga prokurorët rreth lidhjeve të tij me FETÖ-n, Brunson u akuzua për spiunazh dhe tentativë për të përmbysur rendin kushtetues (akuzë për grusht shteti). Brunson i pati mohuar këto akuza fillestare, përvec akuzave ku Brunsoni gjatë fjalimeve të mbajtura brenda në kishë kishte lavdëruar FETÖ-n dhe PKK-në.

Brunsoni gjithashtu akuzohet për përpjekjet sistematike për tu afruar me të tjerë kurdë të dyshuar për vepra terroriste si dhe për themelimin e “Kishës kurde të Mesias”, e cila pranon brenda vetëm kurdët. Gjithashtu ka prova ku Brunsoni shfaqet me flamuj dhe simbole të PKK-së, thotë aktakuza. Në aktakuzë thuhet edhe se Brunsoni shpesh vizitonte vendin Ayn al-Arab, i njohur si Kobani në Sirinë veriore, i cili kontrollohet nga dega siriane e PKK-së, Partia e Unionit Demokratik (PYD) dhe krahu i saj i armatosur “Njësitë Mbrojtëse të Popullit” (YPG) si dhe zonën e Suruçit në Turqi në krahinën juglindore të Şanlıurfas afër kufirit.

Brunsoni gjithashtu ka marrë pjesë në organizimin e trazirave të Parkut Gezi 2013, citon padia. Ajo pretendon se ai kishte në dispozicion listat me emrat e “punonjësve të stacioneve të benzinës në juglindje të Turqisë”, “punonjësve të hekurudhave” si dhe të ushtarëve me të cilët shkëmbente informacione.

Aktakuza gjithashtu ve në dukje se i dyshuari ka qenë në kontakt me ish ushtarë, oficerë të posaçëm dhe me drejtues të lartë të PKK-së dhe FETÖ-s, e cila vërtetohet nëpërmjet dy deklaratave të bëra fshehtas dhe pesë deklaratave të bëra haptazi. Atë e shoqerojnë prova të tjera si të dhëna dixhitale, dokumente dhe biseda telefonike të siguruara nga vetë Brunson, dëshmitarët dhe autoritetet.

FETÖ, i cila paraqitet si bamirëse e veshur me petkun fetar, përpara se të përdorte potencialin e saj të madh për të marrë pushtetin nëpërmjet infiltruesve në ushtri, për shume vite është njohur për lidhjet e saj të ngushta me kishat.

Nën “projektin e saj ndërfetar”, gylenistët u afruan shumë me kishat protestante dhe katolike, megjithëse kjo është hera e parë që një pastor implikohet me FETÖ-n.

Lidhjet e grupit terrorist me Shtetet e Bashkuara dhe shërbimin e saj të inteligjencës nuk janë më dicka sekrete, sipas prokurorëve.

Ndërsa raportimet mediatike pohojnë se nuk është konfirmuar ende nëse Brunson është “agjent amerikan” a jo, një padi e veçantë nga prokurorët në Ankara thotë se FETÖ ka përdorur rrjetin e saj ndërkombëtar të shkollave për të siguruar një mbulim për operativët e CIA-s.

Tentativa e grushtit të FETÖ-s në vitin 2016 dështoi në sajë të një rezistence të fortë publike. Mijëra njerëz i bënë ballë ushtarëve që hapën zjarr ndaj turmave të paarmatosura. Shumica e ushtarëve dhe oficerëve ushtarakë të tentativës së grushtit të shtetit u arrestuan gjatë gjendjes të jashtëzakonshme.

Gjykimet e qindra personave të përfshirë në grushtin e shtetit janë ende në zhvillim e sipër. Në 104 gjyqe të bëra që nga viti 2016, rreth 586 të pandehur, përfshirë edhe gjeneralët, janë dënuar me burgim të përjetshëm. Gjyqet kryesore ndaj personave që akuzohen për orkestrimin e komplotit të grushtit të shtetit dhe pucistëve që zaptuan selinë kryesore të ushtrisë, janë ende në proces.

Bekir Baz, një nga pjesëtarët e grupit që kishte lidhje me Brunsonin, besohet të jetë në SHBA pasi u largua nga Turqia në vitin 2015 një vit para grushtit të shtetit. Ai arriti të ikte para se të fillonin goditjet e ashpra ndaj grupit terrorist.

Bekir Baz dyshohet se ishte koordinator i aktiviteteve të grupit në Izmir, vendi ku Gyleni vuri emër si predikues karizmatik në vitet 70. Ai raportohet se ka shantazhuar dhe kërcënuar zyrtarët lokalë për të punuar për interesat e grupit, citojnë hetimet./dailysabah/Gazeta Impakt

46