Prishtinë, hapet panairi i automjeteve

Në Prishtinë është hapur për herë të dytë panairi i automjeteve “Prishtina International Autoshow”, në të cilin marrin pjesë rreth 23 brende me nga dy e më shumë vetura të prodhimit të fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Panairi që po mbahet në qendrën e panaireve në Shkabaj është më i madhi i llojit të vet dhe ka sjellë qindra të interesuar, tregtarë dhe biznesmenë.

Automjetet e reja të brendeve të ndryshme mbarë botërore në këtë panair shiten me çmim promocional, më të lirë se çmimi i tyre në treg.

Në këtë panair, brende të ndryshme kanë sjellë edhe automjete elektrike, për të cilat ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në fjalën e tij në hapjen e panairit tha se do ta heqin taksën, gjë që do t’i sjellë përfitime të ndryshme Kosovës, duke filluar nga ruajtja e ambientit dhe ekonomia.

Lluka tha se po punojnë në drejtim të krijimit të kushteve sa më të mira për përdorimin e automjeteve elektrike.

“Ne do ta heqim TVSH-në sa i përket makinave elektrike dhe kjo është iniciativë për ta lehtësuar importin e atyre makinave për ta bërë më të përballueshme koston e atyre makinave, sepse këtu ka benefite të shumta. Nuk është vetëm se e ardhmja e automobilistikes do të jetë makina elektrike, por e ardhmja do të jetë e lidhur automobilistika e lidhur me energjinë dhe pjesën digjitale”, tha Lluka, i cili tregoi se një gjë e tillë kërkon investime në infrastrukturë, gjë për të cilën, tha ai, po punohet që të bëhen disa pika mbushëse me elektricitet për automjetet.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se panairi është shumë i rëndësishëm për tregtinë dhe ekonominë e Kosovës. Shala tha se po mundohen që t’i krijojnë kushtet më të mira për tregtarët dhe investitorët në Kosovë.

“Ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë kemi marrë disa hapa, do të vazhdojmë me hapa të tjera duke ju ofruar mundësi më të lehta për investim në Kosovë dhe njëkohësisht duke krijuar kushte që investitorët potencial ta kenë më të lehtë ose ta kenë më të arsyeshme përzgjedhjen e tyre, në këtë rast Republikën e Kosovës për investim”, tha Shala.

Kryetari i Shoqatës së Importuesve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR), Bujar Hoxha, për AA tha se panairi do të vazhdojë të mbahet edhe në vitet e ardhshme.

Hoxha tregoi se përpos informimit të të interesuarve, në panair bëhet edhe shitja e automjeteve.

“Kemi vetura botërore. Qëllimi është të informojmë publikun se jemi të gjithë të pranishëm këtu dhe me servile dhe me garancione. Kushtet tani janë shumë më të mira se para 10 viteve duke filluar edhe prej institucioneve financiare të cilat ofrojnë tani kushte shumë më të mira për aspektin e kredidhënies dhe besojmë që gjithashtu shihen edhe numrat që janë rritur. Kemi diku 70 për qind ngritje të shitjeve të veturave të reja”, tha Hoxha.

Prishtina International AutoShow mbahet prej 2 deri 5 maj ndërsa do të jetë i hapur duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 20:00. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne