Gratë nga organizata joqeveritare “Shqiponjat e Dardanës”, sot në një shtand në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë promovuan produktet bimore të prodhuara në makinat e dhuruara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në kuadër të projektit për inkurajimin e grave kosovare për pjesëmarrje në ekonomi dhe mbështetje në ekonomitë familjare, raporton Anadolu Agency (AA).

TIKA, OJQ-së “Shqiponjat e Dardanës” e cila ndodhet në fshatin Kishnicë, afër Prishtinës i ka dhuruar tre makina për prerje dhe një makinë për tharjen e luleve të cilat përdoren në prodhimin e çajrave bimorë.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç e cila vizitoi shtandin e grave të OJQ-së “Shqiponjat e Dardanës” së bashku me koordinatorin e TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran dhe zv/koordinatoren, Fulya Arslan shprehu kënaqësinë për gratë ndërmarrëse të kësaj shoqate duke theksuar se ato me forcën dhe krijimtarinë e tyre janë duke e mbështetur ekonominë e vendit.

Kılıç po ashtu tha se ndjehet shumë mirë si një ambasadore e shtetit të Turqisë kur bëhet fjalë për projektet që u dedikohen grave duke bërë të ditur se do të vazhdojë t’i përkrahë shoqatat e grave të cilat janë ndër prioritetet e saj dhe shtetit të Turqisë.

“Çdo gjë fillon me një ëndërr. Këto gra kanë ëndërruar dhe kanë punuar për projektin e tyre për të realizuar ëndrrën e tyre, të cilat po ashtu kanë patur edhe mbështetjen e TIKA-s. Sot jemi këtu për të finalizuar projektin dhe punën e madhe që janë duke e bërë këto gra. Prandaj unë edhe njëherë dua të falënderoj TIKA-n për mbështetjen”, tha ambasadorja Kılıç.

Ndërsa, drejtoresha e OJQ-së “Shqiponjat e Dardanës”, Havushe Bunjaku tha se sot ka qenë një ditë e madhe për shoqatën e saj duke bërë të ditur se ato para disa muajve kanë aplikuar në zyrën e TIKA-s me një kërkesë për disa pajisje dhe TIKA i është përgjigjur kësaj kërkese menjëherë.

“Projekti është studiuar në mënyrë të mirëfilltë nga koordinatori dhe personeli ndihmës i TIKA-s dhe është dyfishuar shuma e mjeteve që ne i kemi kërkuar sepse i kanë parë nevojat tona që ishin shumë më të mëdha. Unë i them ambasadores që të jetë krenare me zyrën e TIKA-s sepse për shoqatën ‘Shqiponjat e Dardanës’ e cila funksionon afër 18 vite është projekti më i madh deri më tani. Ky shtand i vogël këtu ndoshta për dikë mund të duket shumë i vogël por për ne ka vlerë shumë të madhe si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspektin shëndetësor”, tha Bunjaku.

Ajo po ashtu njoftoi se 15 gra janë të kyçura në këtë veprimtari të cilat prodhojnë çajra bimorë. Bunjaku në fund falënderoi ambasadoren Kılıç dhe TIKA-n për mbështetjen duke thënë se është kënaqësi dhe ka qenë kënaqësi të punojnë dhe të jenë pranë ambasadores Kılıç e cila përfaqëson shtetin mik dhe vëllazëror të Kosovës, Turqinë./ AA

19