Priten incidente në kufirin ujor Shqipëri-Mal i Zi

GJERGJI THANASI

Rreth orës 7 të mëngjesit të datës 16 shtator gjatë patrullimit në Lumin e Bunës në vendin e quajtur Fortesa Sveti Nikola një motorskaf i policisë malazeze u përfshi në një konflikt të dhunshëm me 2 peshkatarë shqiptarë. Peshkatarët po peshkonin ilegalisht në ujërat malazeze. Ndërsa motorskafi me 2 policë malazezë të paarmatosur u bëri thirrje të ndalonin barkën, dy peshkatarët shqiptarë iu përgjigjën duke e goditur skafin malazez me gurë, me lopatën e barkës si edhe duke përplasur barkën e vet me skafin malazez. Dy peshkatarët ilegalë shqiptarë ia dolën të kalonin në anën shqiptare të lumit, ndërsa policët malazezë sekuestruan barkën e peshaktarëve shqiptarë si edhe rreth 20 kilogramë peshk të gjendur në barkë. Dyshohet se peshku i kapur është vrarë me dinamit. Ky lloj peshkimi me lëndë plasëse për arsye ekologjike ndalohet rreptësisht nga ligji malazez.

Policia malazeze për këtë incident bëri padi në gjykatën e Ulqinit për 3 akuza: kalim i paligjshëm kufiri, peshkim i paligjshëm dhe goditje e nëpunësit shtetëror për shkak të detyrës. Pas këtij incidenti policët malazezë, që patrullojnë kufirin ujor malazezo-shqiptar, do të pajisen me armë zjarri. Pajisja e tyre me armë zjarri fare mirë mund të bëhet shkak për incidente të rënda ndërkufitare. Fqinjët tanë sllavë në të kaluarën e afërt e kanë pasur me shumë qef përdorimin e armëve të zjarrit kundra shqiptarëve në zonën kufitare. Malazezët edhe kanë vrarë shqiptarë duke filluar nga Fran Ndue Ivanaj, kapiteni i peshkarexhës “Islam Mustafa” (15 dhjetor 1975) e deri te vrasjet e plagosjet e shqiptarëve në Bunë e në Liqenin e Shkodrës në vitet 90-të të shek XX, dhe në dekadën e parë të shek. XXI./ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne