Pritja e Sulltan Mehmet Reshatit në Kosovë

Politika dyfytyrëshe e Serbisë ndaj Perandorie Osmane, së cilës synonte t’i shkëpuste një pjesë, pra të trevave shqiptare, kuptohet edhe nga pritja që serbët e Kosovës i bënë sulltan Mehmet Reshatit, i cili në qershor 1911, në kuadër të vizitës së tij në Rumeli dhe për të riparuar marrëdhëniet me shqiptarët, vizitoi edhe Vilajetin e Kosovës, ku te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë do të falë edhe namazin e xhumasë, kurse hytben e mbajti myderrizi i njohur Ismailhaki efendi Manastiri, i cili theksin e vuri tek nevoja e vëllazërimit ndërmjet myslimanëve.

Shkruan: Sadik MEHMETI, Prishtinë

Meqenëse gjatë vitit 1909 qeveria xhonturke nuk i mbajti premtimet e dhëna për hapjen e shkollave dhe për liritë e tjera ndaj popullatës shqiptare, kjo çoi deri te acarimi i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve. Kulmi i kësaj gjendjeje të pafavorshme për shqiptarët do të jetë viti 1910, kur padrejtësitë e ndryshme dhe dhuna po shfaqeshin në Vilajetin e Kosovës më shumë se në vilajetet e tjera shqiptare. Shqiptarët e kishin parë qartazi se rrugëdalje tjetër nga kjo gjendje e krijuar nuk kishte, duke e konsideruar si rrugë të vetme kryengritjen e armatosur.

Situata ishte tendosur, sidomos në Kosovë, ku në pranverën e vitit 1910 qeveria osmane e kishte shpallur shtetrrethimin dhe i kishte ndërmarrë të gjitha masat për ta organizuar një operacion të fuqishëm ushtarak në Kosovë dhe për të shuar kryengritjet e shqiptarëve. Mirëpo, pavarësisht se xhonturqit arritën t’i shuanin këto kryengritje, gjendja në terren ishte mjaft e ndjerë dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me xhonturqit kishin arritur në pikën më të ulët.

Në këtë mes më fituese dilte të ishte Serbia, sepse kjo gjendje më së shumti i konvenonte qëllimeve të saj ekspansioniste në dëm të shqiptarëve. Dhe, meqë Serbia ishte orientuar plotësisht dhe aktivisht kundër shqiptarëve, ajo ishte treguar mjaftë e matur ndaj Perandorisë Osmane, madje deri në atë masë, saqë i dha edhe ndihmë të drejtpërdrejtë regjimit xhonturk dhe ekspeditave ndëshkuese të Turgut Pashës kundër kryengritësve shqiptarë më 1910.

Kjo politikë dyfytyrëshe e Serbisë ndaj Perandorie Osmane, së cilës synonte t’i shkëpuste një pjesë, pra të trevave shqiptare, kuptohet edhe nga pritja që serbët e Kosovës i bënë sulltan Mehmet Reshatit, i cili në qershor 1911, në kuadër të vizitës së tij në Rumeli dhe për të riparuar marrëdhëniet me shqiptarët, vizitoi edhe Vilajetin e Kosovës, ku te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë do të falë edhe namazin e xhumasë, kurse hytben e mbajti myderrizi i njohur Ismailhaki efendi Manastiri, i cili theksin e vuri tek nevoja e vëllazërimit ndërmjet myslimanëve.

Marrëdhëniet e mira të Serbisë me qeverinë osmane dhe “besnikërinë” e serbëve osmanë ndaj pushtetit osman e dëshmon katërçipërisht edhe pritja madhështore që serbët e Kosovë – të cilët ishin angazhuar maksimalisht, së bashku me konsujt serbë, me mësuesit dhe nxënësit e tyre – i bënë sulltan Reshatit më 1911. Se sa seriozisht qe marrë kjo punë dhe çfarë përgatitje qenë bërë për t’i shprehur mirëseardhje Sulltanit, më së miri përshkruhen në “Memoaret” e dy mësuesve serbë të saj kohe, Rajko Vuçiq dhe Petar Petroviq, që të dy nga Prishtina, të cilët jo vetëm që kishin qenë pjesëmarrës në këtë pritje, por kishin qenë jashtëzakonisht të angazhuar, e madje edhe pjesë e organizimit të serbëve për pritjen e Sulltanit. Rajko Vuçiqi tregon se “ai së bashku me 36 nxënës serbë të shkollës fillore serbe të fshatit Lapnasellë (rrethi i Prishtinës – S.M.) dhe me disa mësues të tjerë të shkollave serbe kishin qëndruar për shtatë ditë në Prishtinë për të mësuar himnin osman “Ey veli-ni’met-ı âlemşehenşâh-ı cihân” dhe dy këngë të tjera në gjuhën turke, që do t’i këndonin në stacionin hekurudhor në ditën kur do të vinte Sulltani… se ata “para dritares së vagonit në të cilin gjendej Sulltani, i kënduan për mrekulli të gjitha këngët… se Sulltanit i qe përgatitur një pritje e madhe nga popullata serbe e Prishtinës, e cila ishte organizuar nën udhëheqjen e mësuesit Petar Petroviq dhe se nga Prizreni kishte ardhur një kor i madh nga shkolla teologjike ortodokse serbe (Bogoslovija)…” Mësuesi tjetër, Petar Petroviq, ndër të tjerash, thotë se kishte qenë i angazhuar nga konsulli serb në Prishtinë për të bërë skicën e “Portës Triumfale” me mbishkrime osmane dhe me zbukurime të ndryshme, pa harruar të na tregojë se për këtë ishte paguar goxha mirë nga konsulli me 20 dinarë të arit. Gjithashtu, ky mësues na jep edhe një të dhënë tjetër, që më së miri e tregon politikën dyfytyrëshe të serbëve dhe Serbisë kundrejt Perandorisë Osmane. Derisa, në njërën anë, i bëhej pritje madhështore Sulltanit, në anën tjetër, ushtria serbe bëhej gati për ta goditur ushtrinë osmane dhe për të pushtuar sa më shumë toka që ishin nën administrimin osman, pra trevat shqiptare. (Dëshmitë e këtyre dy mësuesve në gjuhën serbe në vitin 1958, respektivisht në vitin 1960, janë deponuar në Arkivin e Kosovës në koleksionin me numër të inventarit 21, Zbirka Rajka Vučića, kutia nr. 1, dokumenti 1, f. 1-2, përkatësisht në koleksionin me nr. inv. 55, Zbirka Petra Petrovića, kutia nr. 1, dok. 1-3.)

Meqenëse këto kujtime përmbajnë disa të dhëna interesante dhe me rëndësi për pritjen që i është bërë Sulltan Reshatit në Kosovë, qoftë nga ana e serbëve, qoftë nga ana e hebrenjve, dhe, natyrisht, e shqiptarëve (që këtu nga njëri quhen “arnaut” e nga tjetri “turq”!), menduam që t’i sjellim të përkthyera për lexuesit e revistës tonë, pa bërë ndonjë shpjegim a interpretim plotësues, me shpresën se edhe kështu, siç janë, flasin, dëshmojnë dhe pasqyrojnë mjaft për këtë ngjarje dhe për rrethanat shoqërore-politike në atë kohë.

*          *          *

Nga “Kujtimet” e RajkoVuçiqit, mësues në pension nga Prishtina, 16 qershor 1960

ARDHJA E SULLTAN RESHATIT NË PRISHTINË MË 1911

Në verën e vitit 1911 kam shërbyer si mësues në fshatin Lapnasellë (të Prishtinës – S.M.). Mitropoliti Niçifor (Nićifor Perić, 1862-1918 – S.M.) dhe konsulli serb Milan Rakiç, 1876-1938 – S.M.) i thirrën një ditë të gjithë mësuesit e rinj në Prishtinë dhe i porositën ata që ta mësonin himnin turk “Ey veli-ni’met-ı âlemşehenşâh-ı cihân” dhe dy këngë të tjera turke. Mësuesit qëndruan në Prishtinë shtatë ditë dhe gjatë asaj kohe në shkollën fillore në Mëhallën e Varoshit (tek Mitropoliti), boshnjaku Mustafai, përkthyes në hyqymet (përkthyes në qeveri), ua kishte kënduar atyre melodinë e këngëve, kurse mësuesit i kishin përsëritur fjalët dhe e kishin mësuar melodinë duke dëgjuar. Nga mësuesit, përveç meje, kanë qenë edhe Trajko Gapiçi (Prishtinë), Vasilije Orloviçi (Mitrovicë), Sava Vukojoviçi (Prishtinë), Stevan Tubiçi (Prishtinë) dhe disa të tjerë që nuk më kujtohen.

Në ditën e ardhjes së Sulltanit në verën e vitit 1911 unë i kisha udhëhequr nxënësit nga Lapnasella në stacionin hekurudhor në Lipjan. Kanë qenë gjithsej 36 nxënës, të cilët që të gjithë e kishin mësuar himnin turk dhe dy këngë të tjera turke. Kur treni mbërriti në stacion, qe bërë një tollovi e madhe nga arnautët. Ministri i ushtrisë (osmane – S.M.), Mehmet Shefket Pasha, duke e parë këtë, doli nga treni dhe krijoi një hapësirë për mua dhe nxënësit e mi. Përballë dritares së vagonit, në të cilin gjendej Sulltani, nxënësit i kënduan për bukuri të gjitha këngët.

Në mirëpritjen e Sulltanit morën pjesë një masë e madhe e popullit dhe sidomos më së shumti kishte arnautë. Meqë Sulltani rrallë e kishte lëshuar kryeqendrën (e Perandorisë), asokohe besohej që sapo të lëvizte sulltani nga Stambolli, Perandoria do të shembej!

Treni më pas vazhdoi për Obiliq, nga ku sulltani nën një përcjellje të rreptë, nga Tyrbja e Muratit mbërriti në Prishtinë.

Më është e njohur se në Prishtinë Sulltanit iu bë një pritje madhështore. Rregullimin e “Portës Triumfale” e ka udhëhequr mësuesi i atëhershëm Petar Petroviqi. Në Prishtinë kishte shumë njerëz. Nga Prizreni kishte udhëtuar kori i madh i Bogoslovisë. Nga Obiliqi deri te Tyrbja dhe nga Tyrbja deri në Prishtinë kudo gjendeshin trupa ushtarake, që kujdeseshin për sigurinë. Sulltani u vendos në godinën asokohe të Mytesarifllëkut. Para ardhjes në Prishtinë, në Tyrben e Muratit u mbajt një ceremoni e madhe fetare, në të cilën mori pjesë edhe vetë Sulltani”.

                                                                                    *          *          *

“Nga kujtimet e Petar Petroviqit, mësues në pension nga Beogradi, Prishtinë, 17. IX. 1958”

MIKPRITJA E SULLTAN MEHMED RESHATIT MË 1911 NË PRISHTINË

Në vigjilje të ardhjes në Prishtinë të sulltanit turk, Mehmed Reshatit, asokohe i dërguari (konsulli) serb në Prishtinë Milan Rakiç, e kishte thirrur mësuesin Petar Petroviq dhe e kishte urdhëruar që t’ia përgatiste një skicë për ngritjen e “Portës Triumfale” për mirëseardhje të Sulltanit. Petroviqi e kishte bërë skicën, e cila dukej kështu: Dy shtylla në formën e kupolave të Graçanicës, të lidhura në të majtë dhe në të djathtë me një hark. Në mes të saj, fare sipër, qe vendosur stema turke dhe mbishkrimi në gjuhën serbe dhe në gjuhën turke “Padişahımız çok yaşa – serbi osmanlije” (“Padishahu ynë, qofsh me jetë të gjatë – serbët osmanli”). Në Portë kanë qenë vendosur edhe disa flamuj të stolisur turk. Skica i pëlqeu jashtëzakonisht shumë Rakiçit, aq sa atë e shpërbleu me 20 dinarë të arit (1 napolon).

Materialin për punimin e Portës e kishte dhënë komuna. “Porta Triumfale” ka qenë e vendosur në (sheshin – S.M.) Divanjoll (sot rruga e UÇK-së – S.M.) para ndërtesës në të cilën gjendej konsullata serbe.

Krahas kësaj Porte, edhe hebrenjtë, po ashtu në Divanjoll, kishin ngritur një Portë të veçantë, kurse turqit e kishin ngritur para ndërtesës së Hyqymetit (Hükümet Konağı – sot Muzeu i Kosovës – S.M.).

Sulltani në Prishtinë ka ardhur me tren më 28 qershor 1911 (në të vërtetë, më 15 qershor – S.M.). Ai është pritur nga nxënësit e Bogoslovisë nga Prizreni, nga “Shoqëria e sokolave” nga Prishtina, pastaj nga nxënësit e të gjitha shkollave dhe nga një numër i madh i turqve nga e tërë “Serbia e Vjetër” (“Serbia e Vjetër” – term gjeografik serb i shek. XIX, me të cilin asokohe, përveç tjerash, iu referohej edhe trevave shqiptare – S.M.).

Sulltani u vendos në ndërtesën e Hyqymetit, ku u prit me shumë ovacione kur ai u paraqit në dritare.

Në ditën e nesërme, më 29 qershor 1911 (në të vërtetë, më 16 qershor – S.M.), u mbajt një ceremoni e madhe fetare tek Tyrbja e Muratit. E, të nesërmen, pra më 30 qershor (në të vërtetë, më 17 qershor – S.M.), Sulltani tashmë e kishte lëshuar Prishtinën para kohës së planifikuar për të qëndruar. Sigurisht kjo qe bërë për shkak të zërave që thoshin se ushtria serbe ishte duke lëvizur drejt kufirit”./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne