Ambasadat e Turqisë në Shkup dhe Prishtinë kanë organizuar pritje me rastin e 94-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë.

Në fillim të ceremonive, Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara dhe Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç lexuan mesazhin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin 29 Tetorit, Festës së Republikës.

“Republika e Turqisë është rezultat i ngritjes, i lindjes përsëri nga hiri i një kombi fisnik që në shekuj ishte i gatshëm të vetëflijohej për të mos humbur lirinë dhe nderin e tij. Kombi turk, më 29 tetor 1923, me gjakun dhe shpirtin e tij i shpalli botës, se nuk do të lejonte që ajo të prangoste vullnetin e tij dhe askush nuk do të mund të vendoste për fatin e tij. Qëndresa e lavdishme e kombit tonë përballe tradhtisë së 15 korrikut, me 250 dëshmorë dhe 2193 të plagosur, është shprehje e kësaj fryme. Atë natë, i gjithë kombi ynë, burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar, u dolën për zot vlerave dhe vullnetit të tyre, arritjeve të Republikës. Ne jemi krenar që jemi pjesë e këtij kombi bujar dhe hero që pavarësinë e ka pjesë të karakterit të tij”, thuhet në mesazhin e presidentit të Turqisë.

Gjithashtu më tej në mesazh thuhet se “Ne nuk kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë që banda kriminale si DEASH, PKK, PYD/YPG dhe FETO të na largojnë nga objektivat tona. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë drejt objektivave 2023. Ne do t’i arrijmë objektivat tona falë mbështetjes së miqve dhe vëllezërve tanë dhe falë unitetit dhe solidaritetit të kombit tonë të shtrenjtë.”

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Shkup, morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, deputetë, ambasadorë dhe diplomatë me detyrë në Shkup, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar të tjerë.

Ambasadorja Kara duke theksuar se mes Turqisë dhe Maqedonisë gjenden marrëdhënie shumëdimensionale, tha se “Qytetarët e Maqedonisë me origjinë turke dhe qytetarë turq me origjinë nga Maqedonia të cilët jetojnë në vendin tonë formojnë një urë të vërtetë të vëllazërisë”.

“Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO në të njëjtën kohë është thelbësor për mbrojtjen e stabilitetit në Ballkan”, u shpreh Kara. Ajo gjithashtu duke theksuar se tentativa për grusht shteti e organizatës terroriste FETO më 15 korrik 2016 ka qenë një sprovë e rëndësishëm për demokracinë turke, tha se ndjehen krenarë me që sprovë është kaluar me sukses.

Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë, të pranishëm ishin ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, gjatë fjalës përshëndetëse, tha se “Jemi aq të gëzuar që Turqia përveç se ka një histori të begatshme ka arritur të bëhet njëra ndër forcat e mëdha të botës dhe shpresa jo vetëm e shtetasve të saj, por edhe të të gjithë njerëzve që përballen me probleme në vendet e ndryshme të rajonit dhe botës.”

Ajo duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, tha se vizitat dypalëshe, marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimi në shumë fusha të ndryshme midis dy vendeve krijojnë bazën për t’i konsoliduar marrëdhëniet midis dy shteteve.

“Lufta e palodhshme që jemi duke e vazhduar kundër organizatave terroriste si FETO, PKK, PYD, DAESH, është e ndërtuar në parimet e drejtësisë dhe demokracisë, ku po vazhdojmë me vendosmëri”, tha Kılıç.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pritjes uroi 94-vjetorin e Ditës së Republikës së Turqisë duke theksuar se “Me Turqinë Kosova ka marrëdhënie shumë të mira. Ne jemi këtu për t’i thelluar këto marrëdhënie.”/ AA

19