Prizren, hapet ekspozita me fotografitë e grushtit të shtetit në Turqi

Në kuadër të aktiviteteve të cilat po organizohen me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti në Turqi, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren sot u hap ekspozita e fotografive të realizuara nga Anadolu Agency gjatë tentativës për grusht shteti.

Nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren, në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre” sot në kuadër të aktiviteteve të Ditës përkujtimore të 15 Korrikut dhe Ditës së Demokracisë dhe Bashkimit Kombëtar”, u bë hapja e ekspozitës të fotografive të realizuara nga AA gjatë tentativës për grusht shteti.

Konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, në një deklaratë për AA njoftoi se ekspozita përbëhet prej 20 fotografive të realizuara nga AA.

“Ne duke i zgjedhur fotografitë u përpoqëm që t’i zgjedhim ato të cilat sidomos i reflektojnë sulmet ndaj presidencës, kuvendit, objektit policor, ndërtesave të MIT-it (Shërbimi Inteligjent Turk), pastaj daljes së qytetarëve nëpër rrugë dhe mbrojtjes së demokracisë, si dhe mitingjeve të mbajtura pas eliminimit të tentativës për grusht shteti”, tha ajo.

Duke u shprehur se pret interesim nga qytetarët e Prizrenit, Altunya tha se “Qëllimi jonë është që edhe pse kanë kaluar 2 vite, mos t’i harrojmë dhe që në të njëjtën mënyrë mos të lëmë që të harrohen edhe jashtë shtetit ato që u përjetuan në këtë tentativë për grusht shteti, të organizuar nga organizata terroriste FETO. Në të njëjtën kohë duam që të mbajmë gjallë në kujtesat tona këtë tentativë ku kemi dhënë 250 dëshmorë dhe ku kemi më shumë se 2 mijë veteranë. Këtë e shohim si një detyrë”.

Ekspozitën e vizitoi edhe kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç. Me këtë rast, Krasniç uroi që Turqia dhe populli i saj të mos përjetojë më kurrë një gjë të tillë.

“Zoti mos t’iu përjetoftë edhe një herë një gjë të tillë Republikës së Turqisë dhe popullit të saj. Është një ngjarje shumë e dhimbshme. Përsëri kur i shohim këto fotografi këtu, nuk është e mundshme që të mos emocionohemi”, tha ai.

Ekspozita do të jetë e hapur në mes të datave 11-18 korrik në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren.


NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne