Prizreni humb një tjetër “zambak osman”, banesën e Hisarajve

Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar edhe një shtëpi e cila gëzonte mbrojtje me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Kjo është shtëpia e familjes Hilmi Hisarit (i takonte shekullit XIX) e listuar në shtojcën II të këtij Ligji përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.

Organizata Jo-Qeveritare “EC Ma Ndryshe” thotë se sipas informatave fillestare të marra nga autoritetet lokale të trashëgimisë kulturore, shtëpia ka qenë në gjendje jo të mirë për banim.

“Kësisoj institucionet është dashur që me kohë të angazhohen në dy drejtime: për sigurimin e jetës së banorëve dhe po ashtu për mbrojtjen e monumentit. Kjo shtëpi sipas hulumtuesve kishte vlera historike, shkencore, artistike, identiteti, ekonomike dhe funksionale”, thotë kjo OJQ.

“EC Ma Ndryshe”, deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe përsërit sërish qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur, gjithnjë duke e përfillur në radhë të parë nevojën për sigurinë e jetës së qytetarëve.

P.S. Prizreni mbahet si ndër qytetet e stilit osman në trojet shqiptare, në stil e frymë, edhe për faktin se aty jeton një komunitet i madh turkfolës. Po ashtu, këtij qyteti me nur të veçantë i është kushtuar dhe një këngë që gjendet në fondin e artë të krijimtarisë muzikore e gojore kosovare, “Zambaku i Prizrenit”./tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne