PROFESORI I UP-SË, ISA MEMISHI FITON ÇMIMIN “TRANSLATION AND INTERNATIONAL UNDERSTANDINGʺ TË KATARIT

Juria profesionale për ndarjen e çmimit “Translation and International Understandingʺ ka vlerësuar dhe ka shpërblyer kontributin e prof. asoc. dr. Isa Memishit në fushën e leksikologjisë. Isa Memishi, profesor i gjuhës arabe në degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është shpërblyer për Fjalorin Arbisht – Shqip të botuar në vitin 2011.

Çmimin ndërkombëtar “Translation and International Understandingʺ është themeluar në vitin 2015 në Katar, për të vlerësuar përkthyesit dhe kontributet e tyre, qofshin ata arabë apo të huaj. Çmimi synon krijimin e urave mes popujve. Gjithashtu, me këtë shpërblim synohet të inkurajohen specialistë të fushës së përkthimit nga arabishtja në gjuhë të huaja si dhe nga gjuhët e huaja në arabisht.

Po ashtu, me këtë shpërblim synohet të inkurajohen edhe shtëpitë botuese, si dhe institucionet e specializuara në këtë fushë të cilat me botimin e përkthimeve nga arabishtja në gjuhë të ndryshme botërore si dhe nga gjuhë të ndryshme në gjuhën arabe, kontribuojnë në afirmimin e letërsive dhe kultura të ndryshme, si dhe krijimin e urave të komunikimit mes popujve. Ky shpërblim, sipas themeluesit, ka për qëllim edhe pasurimin e bibliotekave botërore, me vepra të rëndësishme nga kultura të ndryshme botërore, me vepra të letërsisë botërore si dhe me vepra artistike.

Ndarja e shpërblimit “Translation and International Understandingʺ i Shikh Hamad, Emir i Katarit, i treti shpërblim me radhë, është ndarë më 15.12.2017, në hotelin Ritz Carlton, në Doha, në prezencë të princit H.H Sheikh Jassin bin Hama Al Thani.

Ndër laureatët e shpërblyer për kontributet e tyre, për përkthime nga gjuha arabe në gjuhën angleze, janë shpërblyer Paul Starkey, Kathrin Holc, Adam Talib dhe Gebrail Fuad Hadad, etj.

Lauratët e çmimit “Translation and International Understanding” këtë vit, në numër më të madh, ishin përkthyes të shquar që kanë kontribuar në përkthimin e letërsisë arabe në gjuhën frënge. Në mesin e tyre janë Philip Figaro, Frederick Lagrange etj.

Fjalori Arabisht-Shqip është rezultat i një pune shumë vjeçare i autorit. Botimi i këtij fjalori ishte vlerësuar si një ngjarje e rëndësishme në fushën e orientalistikës dhe të leksikografisë në vendin tonë, por edhe të shkencës e të kulturës shqiptare në tërësi.

Fjalori përmban mbi 100.000 fjalë, terma dhe shprehje frazeologjike të gjuhës standarde arabe. Krahas leksikut bashkëkohor të gjuhës arabe, aty janë përfshirë edhe mjaftë fjalë të vjetra. Renditja e fjalëve në fjalor është bërë sipas parimit etimologjik-semantik, pra sipas rrënjës së fjalës dhe është renditur sipas rendit alfabetik.

Fjalori Arabisht-shqip, i autorit prof.asoc.dr. Isa Memishi është ribotuar nga Shtëpia Botuese Logos A, në vitin 2014, në Shkup. /SHENJA/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne