Prokurorët e BE në Tiranë për Klement Balilin, kush politikan po pengon hetimet?

Pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Donald Lu, për ekzistencën e katër klaneve mafioze në vend, Bashkimi Europian dhe Interpoli kanë nisur monitorimet ndaj Shqipërisë. Prej tre ditësh, dy prokurorë të BE kanë mbërritur në Tiranë dhe po mbledhin informacion sa i takon luftës mbi kanabisin dhe bosëve të krimit. Pikërisht për këto çështje shefi i Prokurorisë publike në Suedi, Mats Sallstrom dhe prokurori i antimafias se Napolit, Michelle Fini zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues së Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Kështu dje në ambientet Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë parë prokurori Eneid Nakuci, kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, si edhe drejtori i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Adnan Xholi. Mirëpo ajo që bie në sy është se prokurori i Krimeve të Rënda, Eneid Nakuci, është personi i cili po heton Klement Balilin. Sipas informacioneve, ai ka raportuar përpara prokurorëve të Bashkimit Europian në lidhje me hetimet që po zhvillohen për të Klement Balilin i ashtuquajtur ndryshe si “Eskobar i Ballkanit”. Ndërkohë një tjetër fakt interesant në lidhje me këtë mësymjeje të prokurorëve të BE, është se këta të fundit ndodhen në vendin tonë duke hetuar imtësisht për dosjen “Balili”, pas hetimeve të Interpolit, agjensi e cila ka nisur më herët hetime. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë situata është më e qartë dhe objektivat tani janë shënjestruara, kësisoj nuk është çudi se shumë shpejt priten të bëhen edhe publike emrat e politikanëve që po bllokojnë arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”.

INTERPOL konferencë në Tiranë

Përveç prokurorëve të BE, në Tiranë kanë mbërritur përfaqësues të INTERPOL. Prej datës 2 deri më 6 Tetor, në Tiranë, po zhvillohet konferenca rajonale e organizuar nga qendra e INTERPOL-it dhe e sponsorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Zyra për Narkotikët dhe Agjencitë Ligjzbatuese Ndërkombëtare. Pjesëmarrës në këtë konferencë, janë përfaqësues të lartë të INTERPOL, të Departamentit të Shtetit, të Shërbimit Diplomatik të atashuar në Shqipëri. Kështu, kjo konferencë që ka si qëllim bashkëpunimin mes policive dhe sektorin privat në luftën kundër kontrabandimit e njerëzve, në kuadër të projektit të INTERPOLIT, mbështetur nga zyra për Narkotikët dhe Agjencitë Ligjzbatuese Ndërkombëtare, në Departamentin e Shtetit. Ndërkohë i pranishëm në këtë event, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako theksoi se këto dy fenomene janë prej kohesh në fokusin e luftës së strukturave të policisë shqiptare, ndërsa nënvizoi se do të ketë vetëm luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë, duke sinkronizuar punën me organizatat policore në rajon dhe vendet partnere, drejt përmbushjes së standardeve perëndimore. “Emigracioni i parregullt, trafikimi i qenieve njerëzore, këto dy fenomene janë prej kohësh në fokusin e luftës së strukturave të policisë si për të parandaluar si fenomen mjaft të rrezikshëm ashtu edhe për të goditur dhe luftuar me mjetet ligjore personat që përfshihen në këto aktivitetet kriminale”, deklaroi Çako.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne