Prokuroria shqiptare nuk e gjen, sekseri i CEZ pozon me Haradinajn/ FOTO

REPORT TV ka siguruar një foto ekskluzive të Nuel Kalajt, e cila është shkrepur në datë 3 korrik 2018, pra vetëm pak javë më parë në Prishtinë në një aktivitet. Në foto biznesmeni Kalaj, mik i familjes Berisha, shfaqet në krah të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe një tjetër personi.

Biznesmeni nga Prizreni është një emër i njohur për politikën shqiptare dhe jo vetëm. I akuzuar se ka luajtur rolin e sekserit për marrëveshjen e privatizimit të OSSH mes kompanisë çeke të energjisë, CEZ dhe qeverisë “Berisha”, ai nuk u paraqit për të dëshmuar asnjëherë në Komisionin Hetimor të Kuvendit pas fletëthirrjes.

Aktualisht dosja hetimore e CEZ ndodhet në prokurorinë e Tiranës, ndërsa hetimet po drejtohen nga Ndini Tavani dhe Erjon Imeraj. Autoritetet shqiptare i kanë dërguar një letërporosi palës kosovare për ta marrë në pyetje në lidhje me akuzat e ngritura në Shqipëri, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje, pasi ende nuk kanë rënë në gjurmët e biznesmenit, ndërkohë ai shfaqet i qetë duke pozuar në një aktivitet me Haradinajn.

Nuel Kalaj është negociatori kryesor i marrëveshjes mes CEZ dhe qeverisë shqiptare. Report  TV pak kohë më parë zbardhi korrespondencën e Nuel Kalajt me drejtorin e madh të CEZ-it në Çeki, Roman Martin. Në këtë dokument faktohet se negociatat kanë nisur që në 2005.

“Më vjen keq sinqerisht të shoh se pas një pune të lodhshme 4 vjeçare për CEZ-IN, dhe luftës që kam bërë që një kompani e suksesshme si CEZ-i të hynte në tregun energjetik shqiptar,  probleme të tilla të shkatërrojnë frytet e një pune të vështirë, punë që unë dhe zoti Petran kemi bërë për muaj e muaj me radhë, negociata pas negociate që u finalizua me sukses me privatizimin e OSSH” shkruante Kalaj në emailin drejtuar drejtorit të madh të CEZ-it, ku ankohet për punën e drejtuesit të CEZ-it në Shqipëri Jozef Hejsek. Emaili daton më 7 shtator 2009, kohë kur privatizimi i CEZ ishte kryer.

Komisioni hetimor i drejtuar nga Taulant Balla administroi një llogari bankare të Nue Kalajt, i cili rezultonte se kishte marrë nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro. Këto shuma i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009. Për dosjen CEZ, janë marrë në pyetje në prokurori pak kohë më parë Shkëlzen Berisha, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe një sërë ish-zyrtarësh të tjerë, pasi dyshohen si të implikuar.


Me rreth të kuq në mes Nuel Kalaj, krah kryeministrit te Kosoves, Haradinaj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne