Promemoria e fundit e Kasëm Trebeshinës ndaj komunistëve të mbetur

ImerTopanica

Kryengritës, rebel e i vetmuar, Kasëm Trebeshina (1926 – 2017), ndonëse u la në harresë për një kohë të gjatë, la prapa një mori veprash të shkruara dhe dhjetëra të tjera në dorëshkrim. Ai ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare në Ankara të Turqisë. <<Lejomëni të ndaj me ju trishtimin për ndarjen nga jeta të Kasëm Trebeshinës, një njeriu krejt të posaçëm, shqiptar kokëfortë si pakkush dhe i fortë si më të rrallët e këtij vendi në mbrojtje të lirisë e të ideve të veta>> – ka shkruar ndër të tjera Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pas marrjes së kumtit për vdekjen e shkrimtarit. Megjithatë, ishin vet institucionet kulturore të cilat e lan në harresë për një kohë të gjatë këtë të fundit, ndonëse ai ishte ndër të rrallët që guxoi ta kundërshtonte krejt hapur diktaturën e çmendur komuniste – shkruan Gazeta e Re.

Trebeshina u lind në Berat, në vitin 1926. Ishte edhe veteran i Luftës Nacionalçlirimtare, nga e cila nuk shpëtoi pa disa plagë. Studimet në Institutin e Teatrit Otrovski në Leningrad, i kishte lënë përgjysmë, për t’iu përkushtuar krijimtarisë letrare. Nga krijimtaria e tij e filluar në vitin 1953, janë botuar: Kruja e çliruar, 1953; Artani dhe Min’ja, 1961; Stina e Stinëve, 1991; Legjenda e asaj që iku, 1992; Qezari niset për luftë, 1993; Koha tani, vendi këtu, 1992; Rruga e Golgotës, 1993; Mekami, melodi turke, 1994; Lirika dhe satira, 1994; Historia e atyre që s’janë, 1994; Ëndrra dhe hije, 1996; Hijet e shekujve”, 1996; Nata para apokalipsit, 1998; Ku bie Iliria, 2000; Kënga Shqiptare, 1-5, 2001; Më përtej kohërave, 2004; Drama, 2006; Polimnia dhe Melpomena, 1-2, 2006; Tregtari i skeleteve, 2006; Këngë për Kosovën, 2007; Shtigjet e shekujve, 2007 etj, si dhe në dorëshkrim i kanë mbetur me dhjetëra të tjera. Por shtëpitë botuese në Shqipëri, ndoqën shembullin e institucioneve kulturore, të cilat nuk e vranë mendjen për fatin e shkrimtarit për vite me radhë. Në fakt, ishte Shtëpia Botuese Buzuku nga Kosova e cila i botoi e i ribotoi disa nga veprat e tij, për ta rikthyer vëmendjen e lexuesve te ky gjeni i lënë në harresë. Tek në 90-vjetorin e lindjes së tij, në Kosovë e Shqipëri u bënë disa aktivitete duke i rikthyer në diskutim vlerat, para se gjithash, estetike të vepres së tij, siç ishte tryeza shkencore e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e organizuar nga ‘Qendra e Studimeve Letrare Pjetër Budi’, me në krye profesorin dhe studiuesin Behar Gjoka.

Ky i fundit, u priu diskutimeve që shtronin pyetjen nëse Trebeshina ishte në të vërtetë disident i mirëfilltë? Duke nxjerr një përfundim se, veprimtaria e tij e dëshmon që ai ishte shkrimtari më rebel i kohës.

Realisht, disidenca e tij zë fill më 5 nëntor të vitit 1953, kur ai shkroi Promemorje-n për Enver Hoxhën, në të cilën ai denonconte hapur vendosjen e diktatit edhe në art. Kundërshtimi i tij ndaj instalimit të metodës së realizmit socialist në letërsi, i kushtoi me 17 vite burg.

<<Ju duhet ta braktisni rrugën e Luigjit XIV të Versajës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të ndaloni t’i shtypni mendimet, bile edhe brenda rradhëve të Partisë. Nuk është çështja e fëmijëve të vobektë rrugëve; është ajo e shtypjes së mendimeve që po bëhet e rregullt dhe që, në fund, do t’i japë rrugë lindjes së një monarkie të re. Nëse gjërat shkojnë aq larg, do të ketë varfëri të tmerrshme dhe vetëm mbretërimi i terrorit të pashembullt do t’ju mundësojë të rrini në pushtet. Një regjim i tillë do të jetë bile më i rrezikshëm për vetveten>>  – shkruante ai te Promemoria.  Letër në të cilën, ndër të tjera, spikatet aftësia e tij për t’i parashikuar gjërat. Natyrisht kjo i kushtoi, sepse ai i paralajmëronte pa frikë udhëheqësit e atëhershëm për rrezikun që po i priste, duke u thënë se:

<<Shuarja dhe tërheqja e mbështetjes popullore do t’i tronditë radhët e udhëheqjes, gjithashtu, që dalëngadalë do të shndërrohet në një kastë të mbyllur si një monarki që s’i kupton realitetet historike të shekullit të njëzet. Në fund të procesit historik do të detyroheni të vrisni njëri­ tjetrin dhe njerëzit do njollosen me gjak. Unë besoj se ende ka mjaft kohë për të shmangë një gjëmë të tillë dhe për këtë kuturisa t’ju dërgoj këtë përkujtesë, shkruar me kaq ngut…>>.

Mirëpo, përkundër historisë së dhimbshme të cilën e përjetoi gjatë regjimit, as pas rënies, atij nuk iu bë vend. Arsyeja??? Këtë më së miri e shpjegojnë fjalët e shkrimtares Flutura Açka:

<<Sa ishte gjallë pak folën, nga frika se ia rrisnin famën dhe na prishet rregulli i piramidës letrare që kemi thurur me kujdes të madh, me dorëzani edhe kritikën e tredhur letrare…>> – thotë ndër të tjera ajo.

<<Jeta e tij ishte një betejë me botën e mashtrimit, me hipokrizinë e kohës ku të gjithë spiunonin, e prandaj dënohet disa herë duke bërë 17 vite burgim e vite të tëra persekutim. Letërsia qe atdheu i Trebeshinës, me të gjithë kuptimin e fjalës>> – thotë në anën tjetër studiuesi Behar Gjoka. Ky i fundit ka një vlerësim të lartë edhe për veprën e tij teksa shprehet se Trebeshina <<shkëlqeu në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare, në poezi, prozë, dramatikë. Pena magjike e Trebeshinës endi me mijëra faqe letërsisë të përkorë, ndonëse ende vijon që të mbetet Ajsbergu i letrave shqipe, sepse pjesa e dërrmuese e veprës letrare vijon të mbetet në sirtar. Nga pjesa e botuar, tekstet të tilla, si Kënga Shqiptare, Odin Mondvalsen, Tregtari i skeleteve, Çezari niset për luftë, Trebeshina ka endur surrealizmin. Në dramaturgji, për vlerat e shumëfishta, Trebeshina, mbetet Shekspiri i letrave shqipe.>>

Por Trebeshina, përkatësisht vepra e tij, duket që nuk ishte mjaft atraktive për vitet e mëvonshme. Një përjashtim i rrallë, siç u bë e ditur më sipër, mbetet Shtëpia Botuese Buzuku, e cila jo vetëm i riktheu te lexuesit disa nga veprat e tij, por u interesua edhe për dorëshkrimet e mbetura. Abdullah Zeneli, shkrimtar dhe drejtues i shtëpisë në fjalë, ka pasur rastin ta takojë për të gjallë shkrimtarin, siç ka bërë të ditur ai vet disa herë, prandaj edhe botimi i ndonjë vepre post-mortum, është i mundur viteve në vazhdim. Ndërkohë reagimet në rrjetet sociale që atakuan posaçërisht neglizhencën ndaj gjeniut, ishin të shumta. Historiani Ardian Muhaj, duke iu bashkuar vargut të gjatë të dashamirësve të librit që e kujtonin shkrimtarin, në murin e tij në facebook shkroi: << Sot vdiq nji shkrimtar i gjallë, i cili jetoi mjaft gjatë mes shkrimtarësh të vdekur…!>>. Reagime të tilla, që provuan ta “shkundnin” ndërgjegjen e drejtuesve të institucioneve kulturore dhe jo vetëm, formuan një amalgamë të çuditshme me komentet që shpërthyen rreth një fotografie të Kryeministrit Rama, i cili nuk i shpëtoi vëmendjes mediale, me një lloj veshje, si gjithnjë, të veçantë. Vdekja e shkrimtarit, tingëllo si një promemorie e fundit për ata që nuk e kujtuan për të gjallë./Gazetaere

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne