Pronari i kompanisë “Amazon” dhuron 33 milionë dollarë për shkollimin e migratëve

Themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, bëri të ditur se bashkë me gruan e tij MacKenzie do të dhurojnë 33 milionë dollarë për të mundësuar arsim të lartë për migrantët pa dokumente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Bezos tha se bursat që do të ndahen do të sigurojnë shkollim të lartë për 1000 studentë, të cilët janë pa dokumente qëndrimi në SHBA.

Studentët, të cilët do të fitojnë këtë bursë, do të duhet të jenë nga e ashtuquajtura kategori “Ëndërrimtarë”, nga programi i njohur me emrin DACA.

Programi në fjalë është një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga ish-Presidenti amerikan, Barack Obama, në vitin 2012 dhe si i tillë mbron nga dëbimi qindra mijëra emigrantë që kanë hyrë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë.

Gjatë prezantimit të donacionit të tij, Bezos theksoi se babai i tij ka qenë një fëmijë i adoptuar dhe një emigrant nga Kuba. “Babai im ka ardhur në SHBA në moshën 16 vjeçare si pjesë e operacionit Pedro Pan”, tha Bezos në kumtesën e publikuar.

Pasuria personale e themeluesit të kompanisë Amazon, Jeff Bezos ka shkuar në 105.1 miliardë dollarë, ndërsa është bërë njeriu më i pasur ndonjëherë në botë. Të ardhurat e Bezosit u rritën ndjeshëm nga shkaku i suksesit të Amazonit në bursën në Wall Street.

Megjithatë, Bezos është dukshëm më pak bamirës se rivalët multimiliarderë, si njeriu i dytë më i pasur në botë, themeluesi i Microsoftit, Bill Gates.

Programi për “Ëndërrimtarët” aktualisht është në partneritet me 70 fakultete në 15 shtete të SHBA-ve dhe siguron 33.000 dollarë për një student. Aktualisht janë 2.850 studentë që marrin ndihma përmes këtij programi. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne