Protesta, dështimi dhe rehabilitimi i pretenduar i Ramës

Fitim Zekthi

Pas protestës së opozitës të shtunën, përpjekja (gati dy javore) e qeverisë dhe e disa prej njerëzve kryesorë të shtypit në Shqipëri për të mbrojtur ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka gjetur një mënyrë të re. Kjo përpjekje po përdor për argument kryesor faktin që “në protestë pati pak njerëz, populli nuk përkrahu PD-në, që pjesëmarrja tregoi se PD dhe opozita po gabojnë me Fatmir Xhafajn, që Xhafa dhe Rama po bëjnë gjënë e duhur etj”.

Së pari, edhe sikur një njeri i vetëm të dilte në protestë, kjo nuk do të tregonte se Xhafaj nuk ka mbrojtur vëllanë, se Rama kishte të drejtë kur përbetohej për pavërtetësinë e audiopërgjimit, se vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është dëgjuar duke biseduar me një trafikant për të trafikuar drogë etj.

Së dyti, në protestë kishte njerëz aq sa kishte në protestën e fundit të PD-së. Pra, kishte shumë ose pak, si gjithnjë.

Ne nuk i kemi thënë asnjëherë të vërtetat mbi protestat. Pas vitit 1991 Shqipëria nuk ka zhvilluar ndonjëherë protesta popullore ku  njerëzit marrin pjesë masivisht, ku studentët lenë shkollën, punëtorët lenë punën, ku zemërimi është aq i madh sa pezullohet tërë jeta publike dhe sociale, pezullohet transporti, mësimi etj.

Edhe në botë protesta të tilla janë të rralla. Thuajse nuk ndodhin fare. E fundit protestë e tillë ishte në Kajro kur ra presidenti Mubarak në vitin 2011. Më herët ishte protesta e madhe e vitit 2004 kur u rrëzua qeveria e Janukoviç në Ukrainë. Bëhet  fjalë për revolucionin ‘Portokalli’ të drejtuar nga Viktor Jushçenko. Këto ditë ka patur protesta të mëdha dhe të vazhdueshme në Armeni, ku njerëzit masivisht dhe nga çdo shtresë pushtuan rrugët dhe sheshet e kryeqytetit Erevan për shumë ditë me radhë, pa u shkulur nga to.

Shqipëria ka patur revolucionin e saj në vitin 1991. Ato të 1997 nuk ishin protesta popullore, por diçka krejt tjetër që më shumë ngjanin me një kryengritje të armatosur apo rebelim, ndonëse nisën si protesta lokale në Lushnjë apo Vlorë.

Partia Demokratike ka zhvilluar protesta të rëndësishme, domethënëse, të drejta, protesta që i kanë bërë njerëzit apo ndërkombëtarët të dëgjojnë nga viti 1998 deri në vitin 2004, por me këto protesta ajo nuk rrëzoi ndonjë qeveri dhe nuk arriti që ndonjërën nga këto protesta ta bënte popullore dhe masive si ajo e 1991 apo si ajo e Kajros,  Kievit apo edhe Erevanit.

Partia Socialiste, nga viti 2005 deri në vitin 2013, ka zhvilluar protesta të shumta, herë me substancë, herë të rëndësishme dhe herë për shkak të problemeve të saj, ka djegur goma, ka kapërcyer me dhunë gardhin e KQZ, ka bërë edhe grevë urie me çadra para Kryeminsitrisë, por kurrë nuk ia doli të bëjë protesta popullore, kurrë njerëzit nuk e ndoqën atë masivisht. Partia Socialiste u filmua edhe duke u ndarë para protestuesve që i sillte nga rrethet, për shkak se nuk kishte përkrahje popullore.

Partia Demokratike, që prej vitit 2013, ka zhvilluar dhjetëra protesta, disa me shumë substancë, disa me më pak substancë, ka thënë të vërteta të rëndësishme si mbushja e Kuvendit me njerëz që vinin nga bota e krimit, mbjellja e vendit me hashash, blerja e zgjedhjeve, lidhja e ministrave me krimin etj., por asnjëherë ajo nuk arriti të bëjë atë që ndodhi në 1991, apo atë që ndodhi në Kajro, Kiev etj.

Pra, partitë sot arrijnë  të nxjerrin në protesë vetëm njerëzit e tyre të vendosur dhe një kategori të vogël nga populli i cili ka vetëdijen mbi krizën, qeverisjen dhe nevojën për protestë. Media është një nga varrmihëset e protestave sot, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë. Duke qenë se media (kur është e lirë) ka nevojë të gjejë detaje spektakolare që të shesë, ajo e përqëndron vëmendjen te pamjet nga droni, te veshja e njerëzve, te dikush që mund të bëjë veprime të parëndësishme, por qesharake. Ajo tregon kush ishte dhe kush mungoi nga personat “VIP”, ku qëndroi ky apo ai, kush e shembi dhe si u shemb gardhi, kush i plasi ngjyruesit etj.

Kjo gjë bën që, edhe ata që e organizojnë protestën (jo vetëm këtu, por edhe në botë) të kujdesen që të ketë elementë të tillë në mënyrë që të ketë vëmendje. Protestat idiote të Mjaft-it dikur fitonin vëmendje pikërisht nga detajet qesharake që përdornin si hedhja e letrave higjienike, nxjerrja e vajzave me veshje nuseje apo lyerja me bojë të kuqe e dorës. Edhe protestat e PS-së ishin të gjitha me detaje spektakli, koreografia, rreshtimi, veshja, flamujt etj. Por, fakti që përdoren budallallëqe të tilla nuk e bën një protestë as më masive dhe as më të drejtë. Kur media është në shërbim të pushtetit dhe prishjes së protestës, ajo jo vetëm që merret me këto detaje, por i përdor ato në funksion të këtij qëllimi.

Protesta e PD-së ishte me aq njerëz sa ajo e shkurtit të këtij viti, ose me aq njerëz sa kanë protestat e saj të mëdha në këto vite. Detajet e spektaklit PD i ka patur gjithnjë të dobëta ose të vogla, dhe shumë mirë ka bërë. Problemi (po të përdorim kriterin mediatik të gjykimit apo vizual) te protesta e të shtunës ishte se një pjesë e madhe e protestuesve (edhe më shumë se gjysma) nuk po bënin koreografinë që duhet dhe po rrinin në hije. Problemi tjetër ishte droni. Droni në vetvete është neutral, por kur ai që e përdor kërkon që të gjejë një protestë me pak pjesëmarrje, e gjen atë. Është e kollajtë të marrësh plane apo të filmosh nga kënde të tilla ose të filmosh turmën më herët se sa ajo të mblidhet. Pra, këto detaje përfshirë droni, po bëjnë që qeveria dhe njerëzit e saj, që kanë dy javë që mbrojnë Xhafajn të thonë se PD dështoi, PS dhe Rama fitoi.

Duhet thënë edhe një gjë e rëndësishme, të cilën studiuesit e shkencave politike ka vite që e thonë. Besueshmëria e politikanëve sot në botë është kudo shumë e vogël. Politika, thuajse kudo, nuk shihet më nga njerëzit si mjeti që do të rregullojë jetët e tyre. Asnjë politikan sot në BE, as May, as Rahoy, as Merkel, as Renzi nuk ka besueshmërinë që kishte Adenaueri, De Gasperi, De Gaulle, Thatcher-i. Madje krahasime të tilla janë qesharake sot.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për politikanët në Greqi, në Portugali, Bullgari, Rumani etj. Besueshmëria në këto vende ka ardhur duke u shkatërruar. Mbështetja e Cipras, që mezi arrin në 36%, nuk mund të krahasohet me besueshmërinë e Papandreut apo Karamanlisit që shkonte deri në 60%. Besueshmëria e Borisov apo Stanishev nuk mund të krahasohet me Zhelev, as besueshmëria e Moraëiecki në Poloni nuk mund të krahasohet me atë të Valesës etj. Kjo nuk do të thotë se Merkel, Rahoy, Moraëiecki etj., nuk janë politikanë të mire, por komunikimi masiv dhe një krizë më e gjerë e kohës së sotme, që ka rrënjë sociale, ekonomike, politike etj., ka bjerrë besimin tek ajo vetë. Në këtë kuptim Basha apo PD, nuk mund të bëjë përjashtim. Sa për besueshmërinë e Ramës nuk ka kuptim të flasësh përderisa aktiviteti i tij bazë është bërë propaganda dhe mbrojtja, herë e Roshit, herë e Prengës, herë e Tahirit dhe herë e Xhafës.

Në qoftë se do të kishte në të vërtetë njerëz në media që do të donin të shkruanin apo flisnin për protestën, me qëllim që të informojnë apo sqarojnë publikun mbi çfarë po ndodh, ata nuk mund të thonë se pamjet treguan që populli braktisi opozitën dhe kështu kauza kundër Xhafajt u provua e pavërtetë, ata nuk mund të thonë se pamjet treguan që pjesëmarrja ishte e ulët dhe kjo tregon që opozita bëri gabim që denoncoi Xhafajn për mbështetje ndaj vëllait, apo që pjesëmarrja tregon se audiopërgjimi nuk ka vlerë.

Në qoftë se do të kishet njerëz që duan të tregojnë të vërtetën mbi protestën, do të thonin që në protestë ishin kaq mijë njerërz që, krahasuar me popullsinë e Tiranës apo vendit përbënin kaq përqind. Nqs do të kishte njerëz që duan të thonë të vërtetën, duhet të thonin se, në Kajro psh, dilnin në protestë në sheshin Tahrir 1 milionë njerëz, por krahasuar me 24 milionë banorë të Kajros ishin kaq përqind, ose në Kiev dilnin përditë 30-40 mijë vetë, ose rreth 10 përqind, por kauza e tyre ishte e drejtë se ishin në protestë kundër një qeverie autoritariste që kishte shkatërruar liritë dhe të drejtat e njerëzve, zgjedhjet dhe ekonominë etj.

Në qoftë se do të kishte njerëz që duan të thonë të vërtetën, ata duhet ta shihnin me shqetësim protestën, edhe sikur ajo të nxirrte 1 milionë shqiptarë në shesh, por ama kundër një qeverie të mirë dhe një opozite që mund të na sjelljë mafien apo krimin.

Protesta u bë për një vërtetë të madhe. E vërteta e madhe nuk thotë që Xhafaj është trafikant apo që Xhafaj ndihmoi vëllain trafikant, por që Xhafaj dyshohet se i ka bërë këto gjëra dhe duke qenë se këto gjëra po hetohen, ai duhet të largohet në mënyrë që hetimi të bëhet i pavarur. E vërteta e madhe është edhe ajo e mospranimit të Kryeministrit si një njeri që përcakton se kur një audiopërgjim është i vërtetë apo i rrejshëm, që përcakton se kur ka përgjegjësi ligjore dhe morale një ministër etj.

Këto të vërteta janë të mëdha dhe për këto protestohet, dhe nuk mund të ketë dron apo media që i zhbën ato. Protesta dëshmoi edhe një të  vërtetë tjetër të madhe. Kemi të bëjmë me një opozitë që nuk i shtyn njeërzit të djegin apo shkatërrojnë. Të gjithë e dinë se një masë e tillë njerëzish mund të djegin çdo makinë, çdo pemë, çdo godinë në Bulevard. Të gjithë e dinë se një turmë e tillë mund të hyjë edhe në institucione duke u vrarë vetë nga policët, por edhe duke rrënuar njëherë e përgjithnjë qeverinë, vendin dhe të ardhmen. Për turmat pa drejtues është folur gjthnjë, aftësitë dhe efektet e këtyre aftësive i dinë të gjithë. Basha nuk i lejoi këto aftësi të shfaqen, dhe kjo është për tu vlerësuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne