Protesta/ Kaskat e minatorëve të vrarë që kur PS erdhi në pushtet në hyrjen e ministrisë

Kaskat me emrat e minatorëve të vdekur u vendosën këtë 1 Maj në shenjë proteste në hyrjen e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë që drejtohet nga Damian Gjiknuri. Protesta që zhvilloi Organizata Politike pati për qëllim sensibilizimin për jetët e humbura në miniera që kur Partia Socialiste erdhi në pushtet. Nuk janë pak, por 42 jetë të humbura në 5 vitet e fundit, jetë që rëndojnë në përgjegjësinë e asaj që protestuesit e quajtën “Ministria e vrasjes së punëtorëve”.

“Qëkurse Partia Socialiste erdhi në pushtet më 2013, në Shqipëri janë vrarë në punë së paku 42 minatorë. Nuk kanë vdekur aksidentalisht. Janë vrarë prej makutërisë së pronarëve të galerive dhe indiferencës së qeverisë.

Minierat e Shqipërisë janë kthyer në zgafelle ferri, ku jeta e minatorit nuk kushton as sa një palë çizme. Të zhytur në varfëri dhe pa perspektivë, minatorët nuk kanë alternativë tjetër përveçse të pranojnë kushte gjithnjë e më të rrezikshme pune. Shteti, nga ana tjetër, ua ka dhënë minierat dhe pasuritë e nëntokës oligarkëve dhe kriminelëve, që përthajnë nëntokën e Shqipërisë dhe jetën e minatorëve.

Pronarët, qeveria, mediat dhe të gjithë të pushtetshmit e kësaj shoqërie bëjnë ç’është e mundur që ta heshtojnë lojën kriminale me jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Vjet, kur iu mor jeta tri minatorëve kinezë në Bulqizë, u fshehën edhe emrat e viktimave.

Ndonëse në dukje të harruar në fatin e tyre, minatorët nuk janë vetëm. Në galeri kanë ndihmën e shoqi-shoqit. Më gjerë, ndajnë të njëjtin fat me qindra-mijëra punëtorë të shfrytëzuar e nëpërkëmbur. Kanë gjithashtu solidaritetin e të gjithë qytetarëve të ndërgjegjshëm” ishte mesazhi që shpërndau organizata në rrjetet sociale

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne