Dokumentet e siguruara nga Tpz.al, nxjerrin në pah shkeljet e Bashkisë së Tiranës, e cila nuk ka hapur garë për tenderin e pastrimit të pjesës perëndimore (330 milionë lekë) dhe ndërtimin e këmbëve të urës Menik (154 milionë lekë). Zyrtarët e bashkisë kanë negociuar direkt me firmën Fusha Sh.p.k, një kompani “e preferuar” e Erion Veliajt.

Me nje etike te qarte protestante dhe te mbeshtetur ne mesimet e misionareve amerikane, Lali Eri tregohet qe firmes Fusha Lali Eri tenderat ia jep pa i njoftuar edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik, një detyrim ligjor ky për të qënë transparentë për fondet publike. Kjo rrëzon përtokë edhe çmimin fals të fituar nga Bashkia e Tiranës, ku vlerësohej për transparencë ndaj publiku.

Për tu rikthyer tek problemi, Tpz.al investigoi disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për dy tendera të lidhura si kontrata në muajin korrik të këtij viti, me negocim të drejtë për drejtë (pa garë) me kompaninë Fusha Sh.p.k.

Pastrimi i Tiranës

Pak javë më parë, në një nga buletinët e Agjencisë së Prokurimit Publik, u publikua edhe fituesi i tenderit për pastrimin e qytetit të Tiranës (një nga lotët). Sipas dokumentit të siguruar nga Tpz.al, Bashkia e Tiranës kishte realizuar procedurën e prokurimit “Procedurë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Objekti i prokurimit ishte pastrimi i pjesës perëndimore numër 2 të qytetit të Tiranës”, ku vlera totale e kontratës, duke përfshirë lotet opsionet dhe nenkontraktimin, shkonte në 33.026.076 lekë me TVSH.

Bashkia njoftonte se lidhi kontratë me firmën Fusha Sh.p.k, me adresë në Sauk, Tiranë. Në dokument thuhet se, në e rastin e përdorimit të procedurës së prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontrates”, firma duhet të plotësojë edhe disa të dhëna. Megjithatë, kjo procedurë, pra negocim pa shpallje, sipas ligjit të prokurimit, bëhet në disa raste tepër të veçanta ose emergjente, kur ka zjarre apo tërmete. Fatmirësisht, në Tiranë, gjatë kësaj kohe nuk ka pasur as zjarre (në qendrat e banuara) apo edhe tërmete, për shpejtuar një tender të tillë.

Ura e Menikut

Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi, ku nuk është bërë garë, por i janë dhënë lekët “kesh” firmës së preferuar të Bashkisë. Sipas të dhënave, në javët e fundit, Bashkia e Tiranës hapi sërish procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës për tenderin “Ndërtimi i këmbëve të Urës Menik mbi lumin Erzen”. Vlera totale e përfundimit të kontratës është 15,405, 521 lekë me TVSH. Përfituesi është sërish firma Fusha Sh.p.k. Pra, edhe kësaj herë, nuk është bërë tender, por vetëm është negociuar çmimi!

“Klientët” e z.Veliaj

Fusha Sh.p.k, është kompani e vjetër në fushën e ndërtimit, megjithatë me fitoren e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ajo pësoi një rritje të ndjeshme ekonomike, falë tenderave publik. Të dhënat e siguruara nga Tpz.al, nga thesari i Shtetit, bëjnë me dije se Fusha Sh.p.k, ka 3 fishuar punën përgjatë viteve 2015-2017, në krahasim me vitet e 3 vitet shkuara.

Pagesat nga Thesari i Shtetit për Fusha Sh.p.k:

 

Viti 2012 – 2013

1,268,240,289.00 lekë

Viti 2014

1,216,813,613.00 lekë

Viti 2015-2017

3,801,503,582.00 lekë

Përgjatë 2 viteve të fundit, Fusha Sh.p.k arriti të fitojë të 3 tenderat për ndërtimin e sheshit “Skëndërbej”, me vlerë totale 12.6 milionë euro. Ndryshe nga tenderat e publikuar sot, për sheshin e kryeqytetit u zhvillua një garë, por “mungonin” konkurrentët përballë Fusha Sh.p.k.

Fusha Sh.p.k rezulton fituese edhe një sërë tenderash nga qeveria qendrore, mes tyre edhe Rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme, dy tunele të mëdha nëntokësore në Durrës dhe kulmon me koncesionin super të majmë të fituar para pak ditësh, atë të hidrocentralit të Kalivaçit, me vlerë 125 milion euro. Kjo e fundit i 15 fishon të ardhurat nga punët publike, të Fusha Sh.p.k, në 3 vitet e fundit.

Fusha Sh.p.k është në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha (në foton kryesore), i cili është edhe i afërm i kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha./TPZ.

25