Protestë jo për rrëzimin e Ramës, por për shembjen e sistemit

nga Blendi Kajsiu.

E kam fjalën për lëvizjen studentore që po proteston sot në rrugët e
Shqipërisë. Shumë e kanë krahasuar me Lëvizjen Studentore të
Dhjetorit që “rrëzoi” komunizmin. Ndaj sot mjaft prej tyre janë
shpresëplotë që historia do të përsëritet dhe studentët edhe njëherë
do ta rrëzojnë sistemin e kalbur politik shqiptar.
Ky krahasim është sa i kuptueshëm aq edhe i gabuar. Është i
kuptueshëm sepse në të dyja rastet kemi të bëjmë me lëvizje
studentore jashtë kuadrit politik ekzistues, me kërkesa ekonomike që
mund të transformohen në politike dhe me një lëvizje që ka
mbështetje dhe simpati mbarëshoqërore përballë një klase politike që
i është bjerrur legjitimiteti. Së fundi, në të dyja rastet protestat bëhen në dhjetor.
Por përtej këtyre ngjashmërive sipërfaqësore kemi të bëjmë me dy momente
krejt të ndryshme në historinë tonë politike, sepse konteksti në të cilin ato
zhvillohen është krejt tjetër. Lëvizja e Dhjetorit e vitit 1990 ishte fillimi
i tranzicionit, ndërsa lëvizja e studentëve sot shënon fundin e tij. E
thënë ndryshe, lëvizja e sotme studentore mbyll atë etapë që filloi
lëvizja studentore 28 vite më parë.
Mobilizimi i suksesshëm i studentëve sot shënon krisjen e dy shtyllave
bazë të politikës shqiptare në tranzicion: antikomunizmi dhe
bipolarizimi PD-PS. Këto dy elemente, bashkë me klientelizmin politik
që kanë krijuar, e kanë mbajtur gjallë konfiguracionin politik aktual
duke legjitimuar regjimin dhe duke delegjitimuar protestën sociale. Në
pesë vitet e fundit po shohim se si këto dy paterica nuk po
funksionojnë.
Ligjërimi i fortë antikomunist shërbeu për të justifikuar një rend
ekstremisht neoliberal (ose thënë me thjeshtë, një kapitalizëm të egër)

bazuar në spekulim dhe jo prodhim, ku janë privatizuar asetet
publike, janë grabitur ndërmarrje shtetërore dhe falur troje e terrene
kombëtare (mjaft të kujtojmë Shqipëria 1 euro të Berishës apo
shembjen e Teatrít Kombëtar në qendër) nën parullën “po ndërtojmë
kapitalizmin”. Në këtë mënyrë, çdo gjë publike apo shtetërore u
identifikua me korrupsion, paaftësi, parazitizëm, primitivizëm,
vjedhje, dembellëk, ineficiencë, u çfinancua dhe për pasojë u
degradua. Ndërkohë që çdo aspekt i privates u bë sinonim i
efikasitetit, ndershmërisë, modernes, zhvillimit dhe progresit.
Ky kontrast shërbeu për të justifikuar privatizime masive, që
vazhdimisht dështonin (kujtoni ARMO-n apo KESH-in) teksa mbushin
xhepat e qeveritarëve. I famshmi partneritet publik-privat i Ramës
është thjesht vazhdim dhe konsolidim i kësaj logjike që shpesh
shërben thjesht për të grabitur publiken. Formulat që shet Rama kanë
vite që kanë dështuar edhe në vendet më të zhvilluara, mjafton të
shikosh korrupsionin dhe ineficiencën e politikës shëndetësore
amerikane (shpesh bazuar në logjikën publik-privat).
Ky model ekonomik bazuar në spekulim dhe jo prodhim që krijoi
shumë papunësi, kapje shteti, pabarazi, emigracion dhe pak zhvillim
socio-ekonomik nuk mund të kritikohej sepse çdo kundërshtim ndaj tij
denoncohej si nostalgji komuniste, marksiste apo socialiste. Të flisje
për siguri në punë apo të drejtat e punëtorëve ishte punizëm, të
kritikoje privatizimin apo të flisje për politikë industriale dhe jo thjesht
tregti të lirë ishte enverizëm dhe çdo kritikë ndaj kapitalizmit të
klasifikonte si radikal i prapambetur marksist. Ndaj, askush prej
partive nuk kritikonte modelin e zhvillimit, por thjesht karakterin,
degjenerimin apo korrupsionin e kundërshtarit politik. Dhe kur vinte
në pushtet betononte të njëjtën logjikë qeverisjeje.

Pakënaqësia që prodhonte ky model zhvillimi kanalizohej brenda
logjikës bipolare PD-PS, duke u zhbërë si kritikë ndaj modelit
zhvillimor. Kështu p.sh., PD denonconte krizën e 1997-ës si produkt i
puçit komunist socialist, ndërkohë që socialistët e denonconin si
produkt i autoritarizmit të Berishës. Ende sot interpretimi i 1997-ës
mbetet brenda kësaj logjike bipolare. Ama, 1997 nuk ishte thjesht
dështim i PD-së apo PS-së, por dështim i vetë sistemit kapitalist pa
rregulla dhe pa kontroll social që Shqipëria ndërtoi pas rënies së
komunizmit. I njëjti kapitalizëm i shfrenuar i tipit kazino, që bazohet
te spekulimi financiar dhe jo te prodhimi, krijoi krizën financiare të
vitit 2007/’08 në SHBA dhe botë.
E thënë ndryshe, revolta e 1997-ës mund të ishte interpretuar jo
thjesht si një shpërthim anti-Berishë, por si një protestë kundër
modelit zhvillimor të ndjekur prej tij. Ama, kjo nuk ndodhi sepse
protesta, edhe pse me orgjinë sociale, u politizua menjëherë në
ullukun PD-PS. Për pasojë, ajo solli në pushtet PS-në që vazhdoi
ekzaktësisht të njëjtin model si PD-ja, që më pas e zëvendësoi për të
ndjekur të njëjtin avaz që na ka çuar aty ku jemi sot.
Por bipolarizmi PS-PD nuk shërbente vetëm për të delegjitimuar
protestën sociale nëpërmjet politizimit të saj, por edhe për të
legjitimuar pushtetin edhe opozitën. Deklarata e Fatos Nanos
Kryeministër, drejtuar Berishës líder i opozitës në Parlament: “Ti je
kapitali im më i madh politik”, ishte një gjysmë e vërtetë e madhe.
Them gjysmë e vërtetë sepse edhe Nano ishte kapitali më i madh
politik i Berishës.
E njëjta gjë ndodh edhe sot. Vetëm një opozitë e degraduar si ajo e
PD-së, me në krye një tullumbace politike si Basha, mund të mbajë në
pushtet një qeverisje kaq të korruptuar dhe arrogante si kjo e Ramës.

Për të njëjtën arsye, vetëm përballë një qeverisjeje kaq problematike
Basha mund të vazhdojë të “bëjë opozitë”. Pra, Basha i duhet Ramës
dhe anasjelltas, ashtu si dikur Nano dhe Berisha i duheshin njëritjetrit.
E thënë shkurt, bipolarizimi PD-PS jo vetëm nuk lejonte daljen
e ndonjë alternative të pavarur (ku nuk mund të klasifikohet LSI-ja),
por i shërbente legjitimit të politikës në përgjithësi.
Sot asnjëra nga këto dy paterica nuk po funksionon. Analistë dhe
politikanë tentuan ta përdornin ligjërimin antikomunist për ta
ngjyrosur lëvizjen studentore si marksiste apo komuniste, por nuk ia
arritën sepse tashmë në Shqipëri ekziston një brez që është rritur
shumë larg traumës sonë komuniste. Ndaj ligjërimi i Ramës nuk ngjit.
Si PD-ja ashtu edhe PS-ja u përpoqën ta kanalizojnë dhe
instrumentalizojnë protestën në hullinë e bipolarizimit pozitë-opozitë.
Por edhe këtu dështuan sepse kësaj loje, pjesërisht për shkak të
dobësisë së opozitës, i ka dalë boja. Klientelizmi politik që dikur e
mbante gjallë logjikën bipolare tashmë nuk mund të punësojë apo t’u
përgjigjet nevojave në rritje të brezit të ri.
Rezultati është një protestë masive që nuk mund të delegjitimohet as
nëpërmjet ligjërimit antikomunist dhe as nëpërmjet kanalizimit në
hullinë PD-PS. Është hera e dytë që ndodh diçka e tillë, pas protestave
qytetare kundër armëve kimike. Shpresa që ka ngjallur protesta
studentore buron pikërisht nga fakti që del jashtë konfiguracionit
politik aktual. Ndaj shumë analistë, intelektualë dhe politikanë presin
shumë prej saj; rrëzimin e sistemit apo të klasës politike, sikurse
lëvizja e dhjetorit në vitin 1990.
Ama suksesi i lëvizjes së dhjetorit për të rrëzuar regjimin komunist
buronte nga konteksti global, brenda të cilit ajo u zhvillua. Edhe pse
në Shqipëri është ngritur prej kohësh miti romantik i lëvizjes së dhjetorit që “rrëzoi” komunizmin, e vërteta është që komizmin
shqiptar nuk e rrëzuan thjesht studentët. Natyrisht që protesta e tyre
ndihmoi, por komunizmi po binte prej kohësh në mbarë Lindjen, pa
folur për krizën e thellë ekonomike ku prej kohësh lëngonte
komunizmi ynë. Ndërkohë, ekzistonte një alternativë e qartë dhe e
suksesshme për zëvendësimin e ideologjisë komuniste: neoliberalizmi.
Lëvizja e dhjetorit e vitit 1990 u ideologjizua shumë shpejt sepse
programi neoliberal ish sendërtuar prej dekadash nga Von Mises,
Hayek apo Friedman si alternativë jo vetëm ndaj komunizmit, por
edhe ndaj socialdemokracisë Keynesiane.
Në ndryshim nga lëvizja e dhjetorit, sot kemi të bëjmë me një krisje
dhe jo kolaps të rendit neoliberal. Edhe pse ky rend ka hyrë në një
krizë të thellë në nivel global (Donald Trump në SHBA, Brexit në
Britani, kriza e BEsë, Viktor Orban në Hungari, Erdogan në Turqi apo
Presidenti Bolsonaro në Brazil janë shprehje të kësaj krize) ende nuk
ekzistojnë alternativa të qarta. Ndaj sot, ndryshe nga dje, vështirë se
mund të flitet për përmbysje apo ndryshim regjimi, edhe pse mund të
ketë ndryshime në klasën politike. Protestat studentore masive në
Bullgari gjatë viteve 2013- 2014 rrëzuan qeverinë socialiste në
pushtet, por nuk e përmbysën regjimin politik. Ende sot bullgarët,
ashtu sikurse dhe rumunët, vazhdojnë të protestojnë kundër
korrupsionit të klasës së tyre politike.
Kjo nuk do të thotë se lëvizja studentore është e destinuar të
dështojë. Përkundrazi, ajo mund të ketë sukses pikërisht aty ku
dështoi Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990: shpëtimi i universitetit
publik. Dhjetoristët rrëzuan komunizmin dhe u futën në politikë, por
harruan universitetin publik që degradoi pa ndalim në 28 vitet e
fundit. Le të shpresojmë që studentët sot nuk do bëjnë të njëjtin
gabim. Ata mund ta shpëtojnë shoqërinë shqiptare vetëm duke shpëtuar universitetin publik.

Sepse ky i fundit mund të jetë jo vetëm
burim i zhvillimit intelektual, teknologjik dhe social, por edhe i vetmi
rezervuar i ndërgjegjes sociale që do të përballet me, dhe protestojë
kundër, padrejtësive që në shoqërinë tonë majisen pa u trajtuar deri
sa shpërthejnë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne