Politikat represive që udhëheqja kineze aplikon ndaj turqve ujgurë në Turkistanin Lindor, u protestuan përpara Konsullatës së Përgjithshme të Kinës në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë protestë morën pjesë qytetarë të Turqisë dhe turq ujgurë rezidentë në SHBA.

Njerëzit e tubuar përpara Konsullatës së Përgjithshme të Kinës në Manhatan, mbanin në duar flamuj të Turqisë dhe Turkistanit Lindor.

“Liri Turkistanit Lindor!”, “Ktheje kokën, mos qëndro indiferent!” dhe “Ndaluni së vrari ujgurët!” ishin disa nga mbishkrimet e pankartave të ngritura dhe sloganeve të hedhura nga protestuesit, të cilët kërkonin ndërprerjen urgjente të presioneve ndaj turqve ujgurë.

Presidenti i Shoqatës së Opinionit Kombëtar të Komunitetit Islam në SHBA (IGMG), Ayhan Ozmekik, deklaroi gjatë fjalës së rastit se janë mbledhur për të dënuar zullumet që shteti kinez bën ndaj turqve ujgurë.

“IGMG-ja u ka dërguar letra të gjithë presidentëve dhe kryeministrave të botës duke u bërë thirrje atyre që të mos heshtin karshi persekutimeve në Turkistanin Lindor”, u shpreh Ozmekik.

Ndërsa kreu i Kongresit Botëror Ujgur, Isa Dolkun, i cili shkoi nga Gjermania në Nju-Jork për të marrë pjesë në një konferencë për të drejtat e njeriut, theksoi se në Turkistanin Lindor bëhen persekutime çnjerëzore tashmë prej vitesh të tëra.

“Kërkojmë nga Kombet e Bashkuara, SHBA-ja, Turqia dhe shtetet e tjera të botës që në emër të njerëzimit t’i dalin zot populli të Turkistanit Lindor që torturohet dhe arrestohet pa pasur kurrfarë mëkati, si t’i bëjnë presion Kinës që t’u japë fund persekutimeve”, tha Dolkun mes të tjerash./ TRT

11