Në një intervistë për “Panorama”, Nano tregon se kritikët e tij e kanë kuptuar drejt këtë herë, por mendojnë ndryshe nga ai. Sipas Nanos “Kosova është ‘gjylja e madhe’ në këmbët e marrëdhënieve shqiptaro-serbe”.

Ka pasur disa reagime ndaj një qëndrimi tuajit në Beograd, në një konferencë të përbashkët serbo-shqiptare. Çfarë ishte kjo konferencë?

Ishte një konferencë e organizuar nga Tanjugu dhe ATSHja, me titullin “Shqiptarë e serbë – si të ecet më tutje?”, në të cilën ishin ftuar intelektualë e studiues nga të dyja anët. Ishte i ftuar edhe i mirënjohuri dhe i kudogjenduri Eduard Kukan dhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili, meqë ra fjala, mbajti një fjalë që nuk më pëlqeu. Ishte një nga ato fjalimet e tij të zakonshme, ku mes rreshtave apo edhe në rreshta, vihej re makthi serb për Kosovën e humbur. Ishte një fjalim që mua nuk m’u duk në frymën që duhej të përcillte konferenca.

Por këtu kanë shkaktuar debat nja dy qëndrimet tuaja. Mendoni që jeni keqkuptuar?

Jo, problemi nuk është që jam keqkuptuar. Problemi është që jam kuptuar drejt. Kjo do të thotë se sulmohem nga njerëz, që në këtë çështje mendojnë ndryshe nga unë.

Çfarë thatë ju atje?

Thashë shumë pak gjëra. Së pari, thashë se nuk kisha pritur që në këtë konferencë të flitej aq shumë për Kosovën. Intelektualët serbë, por edhe ministri i tyre, siç ju thashë, i hapnin dhe i mbyllnin fjalët e tyre me Kosovën. Nuk është se flisnin me gjuhën e Milosheviçit. Madje, as me gjuhën e Daçiçit nuk flisnin. Por dukej se serbët nuk janë ende të përgatitur t’i shohin marrëdhëniet mes tyre e shqiptarëve në një perspektivë, që e kapërcen ankthin e tyre mbi Kosovën. Dhe kjo mua më befasoi, sidomos po të mendojmë që ai ishte një takim midis Tiranës e Beogradit (nuk kishte të ftuar nga Kosova). Nisur nga kjo, unë thashë në thelb se ka shumë Kosovë në këtë takim, duhet ta shmangim pak Kosovën, dhe mund ta shmangim, ndryshe i bie që të llokoçitemi në llucën e zakonshme e të xhirojmë në vend.

 

28