PS dhe PD drejt një marrëveshjeje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka në tryezë paketën e propozuar nga McAllister dhe tashmë është në dorën e tij nëse dëshiron t’i japë fund krizës politike në vend. Burimet flasin se Partia Demokratike dhe aleatët kanë rënë dakord në parim. Brenda pak orësh, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka thirrur dy herë në një takim aleatët në selinë blu. Propozimi i bërë nga zyrtari i DASH, Hoyt Yee një ditë më parë është diskutuar sërish në dy takimet me aleatët opozitarë, ku me sa duket, i kanë dhënë “OK” paketës McAllister.

Sipas burimeve konfidenciale, PD dhe aleatët, kanë rënë dakord për katër ministra dhe katër zv/ministra, por ende nuk dihet nëse kryeministri Rama, tashmë, do gjejë konsensus brenda këtij propozimi. Me shumë gjasa, ditën e sotme, do ketë një takim tjetër mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, duke shpresuar që ‘e treta e vërteta’, t’i japë fund krizës politike në vend.

Gjatë ditës së sotme, Lulzim Basha, ka pasur një ditë të ngjeshur me takime intensive, pas përfundimit të takimit të dytë me aleatët, ka shkuar përsëri në zyrën e ish-kryeministrit Berisha. Në takimin e dytë me aleatët, përveç detajeve që u përmendën më lart, mësohet se është folur për numërimin elektronik dhe identifikimin biometrik të zgjedhësve.

Prej disa ditësh, kreu i demokratëve, është gjendur mes dy zjarrëve nëse do të duhej apo jo të pranonte propozimin amerikan, thënë ndryshe paketën e propozuar nga McAllister. Përveç ‘presionit’ ndërkombëtar, Lulzim Basha po përballet me dy kampe të ndryshme mendimi në radhët e mbështetësve të vet.

Sot në mëngjes ishte Artan Fuga që e konsideroi paketën McAllister si “Dhuratë nga Zoti” duke i bërë thirrje Bashës që ta pranojë këtë ofertë dhe të futet në zgjedhje. Neritan Sejamini, këshilltar i Lulzim Bashës, thotë se duhet t’i shkojë deri në fund vendimit për të mos marrë pjesë në zgjedhje pa siguruar një qeveri teknike.

Ndërsa analisti Andi Bushati thotë se Basha është i dënuar të thotë “Jo” pasi pranimi i paketës McAllister që i ofron opozitës vetëm poste qeveritare por që nuk zgjidh problemin e drogës, blerjes së votës apo zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të artikuluara për 90 ditë në çadër, do ta nxirrte Bashën gënjeshtar në sytë e demokratëve.

Deputetët Bregu, Patozi dhe Topalli kanë kohë që kanë dalë kundër linjës bojkotuese të Bashës, duke kërkuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Sipas tyre, edhe pse shumë nga problemet që ngre Basha qëndrojnë, mospjesëmarrja do të ishte vetëvrasje politike.

Por çfarë parashikon paketa e shumëpërfolur McAllister?

Propozimi kryesor i David McAllister ishte që në kabinetin qeveritar të përfshihen katër ministra të propozuar nga opozita. Të djathtët do të kenë lirinë e zgjedhjes se cilat ministri duan të administrojnë, ku më të përfolurat janë Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Ministria e Drejtësisë që ka nën varësi drejtoritë e burgjeve dhe Ministria e Shëndetësisë që ka një numër të madh punonjësish të cilët hipotetikisht mund t’i përdorë për fushatë.

Në paketën McAllister parashikohet edhe propozimi i presidentit nga ana e opozitës, por në kushtet kur në këtë post është zgjedhur Ilir Meta, kjo ndoshta mund të zëvendësohet me një zëvendës kryeministër në qeveri.

Kryetari i KQZ do t’i kalojë opozitës, por shumica në këtë institucion do të vazhdojë t’i përkasë mazhorancës.

Një pikë kyçe në paketën McAllister është edhe shtyrja e zgjedhjeve. Nëse arrihet pakti politik, do të ndërhyhet për të ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Data e re e zgjedhjeve mund të jetë 16 ose 23 korriku.

Edhe Avokati i Popullit, të cilit prej disa kohësh i ka kaluar afati ligjor në krye të këtij institucioni, do t’i kalojë opozitës.

Ndryshime parashikohen edhe në Policinë e Shtetit për të dhënë më shumë besim në luftën ndaj kanabisit dhe mospërfshirjes të uniformave blu në fushatën elektorale.

Negociatat do të vazhdojnë deri në orën 21:00, ku pritet përgjigja përfundimtare e Partisë Demokratike dhe aleatëve nëse do të pranojnë këtë paketë, apo do të bojkotojnë përfundimisht zgjedhjet në 18 qershor.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne