Pse deklarata e Donald Trumpit mbi Jeruzalemin nuk ndryshon asgjë

nga Shlomo Ben-Ami.

Pra, në shumë drejtime, deklarata e Trumpit për Jeruzalemin nuk do të ndryshojë shumë. Siç mund ta kuptojnë palestinezët dhe miqtë e tyre në komunitetin ndërkombëtar pasi të largohet tymi, ajo nuk përjashton ndarjen e qytetit në dy kryeqytete si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, aq më pak  të garantojë sovranitetin e Izraelit në të gjithë Jeruzalemin, si “kryeqytetin e tij të përjetshëm”. Në të vërtetë, është një fantazi të supozohet, siç bën Kryeministri izraelit Benyamin Netanjahu, se mbështetja e Trumpit është çelësi për t’i bërë palestinezët dhe mbështetësit e tyre arabë e muslimanë, të pranojnë sundimin izraelit-hebre mbi një qytet që është kaq i rëndësishëm për të dyja palët

Sekretari i Shtetit i SH.BA-së Henry Kissinger e veçoi dikur Izraelin si një vend, politika e jashtme e të cilit është në fakt politikë e brendshme. Por e njëjta gjë vlen edhe për Shtetet e Bashkuara, veçanërisht kur bëhet fjalë për konfliktin izraelito-palestinez.

Të gjithë presidentët e SH.B.A., që përpiqen të zgjidhin këtë konflikt, janë përballur me pengesa të mëdha – vërtet të pakapërcyeshme – të politikës së brendshme. Me vendimin e tij të fundit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, Donald Trump e ka çuar këtë tendencë një nivel më lart, edhe pse rezultati mund të jetë më shumë stagnacion.

Deklarata e Trumpit për Jeruzalemin është manifestimi i fundit i përpjekjeve të presidentit për legjitimitet të brendshëm, që e ka bërë atë pothuajse të fiksuar pas përmbushjes së premtimeve të tij ekstreme të fushatës, duke përfshirë edhe tërheqjen nga ose rinegociimin e marrëveshjeve kryesore ndërkombëtare: të tilla si Partneritetit Trans-Paqësor dhe Marrëveshja e klimës e Parisit. Po kështu, vendimi për Jeruzalemin kishte për qëllim të qetësonte ëndrrat mesianike të votuesve të tij evangjelistë.

Megjithatë veprimet e Trumpit kanë pasoja më të gjera diplomatike, të cilat ai duket i paaftë për t’i llogaritur. Kuptohet, deklarata e Trump ka ndeshur në zemërimin e palestinezëve, me presidentin Mahmoud Abbas që ka pohuar se “nga tani e tutje”, ai nuk do të pranojë “ndonjë rol” për SHBA në procesin e paqes dhe madje ka bërë thirrje që bota të rishqyrtojë njohjen Izraelit.

Për më tepër, fuqitë antiamerikane – Hezbollahu, Irani, Rusia dhe Turqia – kanë shfrytëzuar vendimin e Trumpit, si një mundësi për të rritur ndikimin e tyre në rajon, në kurriz të SHBA dhe aleatëve të saj. Ato shpresojnë të pozicionohen si kampionët e një kauze të madhe arabe dhe muslimane, që supozohet të jetë e tradhëtuar nga reagimi i dobët i miqve të rinj arabë të Izraelit, veçanërisht Arabisë Saudite.

Kjo përgjigje nuk do të ndihmojë palestinezët, më shumë se sa do të ndihmojë SHBA. Zemërimi nuk është një strategji – një mësim që palestinezët kanë mësuar në të kaluarën. Abbas me sa duket po pret ende që Mbretëria e Bashkuar të kërkojë falje për deklaratën e Balfour-it të vitit 1917, 100-vjetorin e të cilës Izraeli e festoi kohët e fundit.

Fakti është se pavarësisht se janë demoralizuar nga vite të tëra procese të pafundme të paqes, masat palestineze nuk janë në “humor” për një intifadë të tretë. Dhe ata fajësojnë për gjendjen e tyre jo vetëm pushtuesit, por edhe drejtuesit e tyre të pazgjedhur dhe krejtësisht jopopullorë, të cilët nuk u ofrojnë atyre ndjesinë e orientimit apo objektivave të arritshme.

Retorika luftënxitëse e mbështetësve të Palestinës në botën arabe nuk ka bërë kurrë shumë për popullin palestinez. Deklarata e Trumpit për Jeruzalemin nuk është “fillimi i fundit të Izraelit”, siç premtoi Hassan Nasrallah, udhëheqësi i Hezbollahut. Hezbollahu thjesht po përpiqet të tërheqë vëmendjen nga lufta e tij e turpshme, në mbështetje të regjimit gjenocidist të Bashar al-Assadit në Siri.

Po ashtu, duke u zotuar për të mbështetur “Forcat Islame të Rezistencës” palestineze, mbrojtësi i Hezbollahut, Irani, thjesht po riciklon një politikë që e ka ndjekur shumë kohë përpara kësaj deklarate, me qëllim avancimin e planeve hegjemoniste rajonale. Dhe, në fakt, ndonëse ky veprim ndoshta ka përforcuar pretendimin e Iranit për të qenë mbrojtësi i vërtetë i Jeruzalemit dhe Palestinës, përfitimet më të mëdha për Iranin ka të ngjarë të jenë emocionale. Në fund të fundit, Lindja e Mesme sunite – e udhëhequr nga një Arabinë Saudite, për të cilën, mbizotërimi rajonal përbën një luftë për mbijetesën e regjimit – nuk do të pranojë të udhëhiqet nga perandoria në rritje shiite, veçanërisht nëse kjo do të thotë përplasje me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Palestina gjithashtu nuk duhet të presë shumë nga Rusia. Presidenti Vladimir Putin është realist; ai e di se duke ndjekur thirrjen që Rusia të marrë një rol udhëheqës në konfliktin izraelito-palestinez do të dëmtonte marrëdhëniet me të dyja palët, pa i sjellë ato më pranë një zgjidhjeje. Thirrja e Rusisë nuk është – dhe kurrë nuk ka qenë – ajo e një paqebërësi.

Pra, në shumë drejtime, deklarata e Trumpit për Jeruzalemin nuk do të ndryshojë shumë. Siç mund ta kuptojnë palestinezët dhe miqtë e tyre në komunitetin ndërkombëtar pasi të largohet tymi, ajo nuk përjashton ndarjen e qytetit në dy kryeqytete si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, aq më pak  të garantojë sovranitetin e Izraelit në të gjithë Jeruzalemin, si “kryeqytetin e tij të përjetshëm”.

Në të vërtetë, është një fantazi të supozohet, siç bën Kryeministri izraelit Benyamin Netanjahu, se mbështetja e Trumpit është çelësi për t’i bërë palestinezët dhe mbështetësit e tyre arabë e muslimanë, të pranojnë sundimin izraelit-hebre mbi një qytet që është kaq i rëndësishëm për të dyja palët. Edhe vetë Trumpi pranoi kufijtë e sovranitetit të Izraelit në Jeruzalem dhe pohoi angazhimin e tij ndaj status quos-ë, lidhur me vendet e shenjta të Jeruzalemit Lindor.

Për më tepër, reagimi i përmbajtur i udhëheqësve arabë nuk duhet të interpretohet si një justifikim i supozimit të Netanjahut se aleatët e tij të sapoformuar në Arabinë Saudite dhe Egjipt mund t’i detyrojnë palestinezët për një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila nuk do të përmbushë kërkesat thelbësore të narrativës së tyre kombëtare.

Sidoqoftë, ditët e qeverisë ekspansioniste të Netanjahut janë të numëruara. Deklarata për Jeruzalemin nuk mund të shpëtojë qeverinë aktuale të koalicionit të Netanjahut nga skandale masive të korrupsionit dhe konflikte të brendshme. As edhe një plan paqeje me Izraelin, i drejtuar nga Trump (duke supozuar se deklarata e tij nuk e përjashton atë plotësisht) nuk mund ta bëjë këtë.

Koalicioni i krahut të djathtë i Netanjahut thjesht nuk është partner për një marrëveshje historike, për Jeruzalemin apo për çdo element tjetër të mosmarrëveshjes. E vetmja rrugë përpara është që Izraeli të prodhojë një koalicion të ri, më të qendrës, ndërsa palestinezët të miratojnë një qasje më të matur dhe strategjike. Në atë rast, deklarata e Trumpit mbi Jeruzalemin nuk do të përjashtonte një zgjidhje sipas parametrave të paqes, të parashtruara nga Bill Clinton. Dhe, në të vërtetë, kur unë udhëhoqa ekipin negociator izraelit gati dy dekada më parë, të dyja palët pranuan idenë e Jeruzalemit që të ndahej, megjithëse me kufij fleksibël, përgjatë vijave etnike.

Për të përmirësuar shanset për sukses, monopoli i Amerikës në procesin e paqes izraelito-palestinez duhet të marrë fund. Në vend të kësaj, negociatat duhet të trajtohen më shumë si ato që prodhuan marrëveshjen bërthamore të Iranit në vitin 2015, me një grup vendesh – në këtë rast, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA), plus Gjermaninë – që punojnë së bashku për të arritur rezultate.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne