Pse Shtetet e Bashkuara nuk kanë fituar një luftë të vërtetë që nga viti 1945

nga Philip Giraldi.

Nëse dikush ende pyet me habi pse Shtetet e Bashkuara nuk kanë fituar një luftë të vërtetë që nga viti 1945, unë i ofroj shembullin e kolonelit të dalë në pension të Uashingtonit Wes Martin, që shkruan për Town Hall, i cili thuhet gjithashtu se është parë edhe si ekspert komentues në Fox. Town Hall është një vend pazari i një lloji të caktuar të “konservatorizmit amerikan”. Ai u themelua nga Fondacioni Heritage me parimin se Shtetet e Bashkuara ishin përcaktuar nga Zoti për të qëndruar mbi cdo shtet tjetër në botë. Megjithëse ai përmban shumë shkrimtarë të mirë dhe madje edhe konservatorë të mirëfilltë, herë pas here i kalon binarët. Prej tij ka dalë kohët e fundit një artikull i titulluar “I preferuari i Obamës, ylli i muzikës country Tim McGraw lidhet ngushtë me komunistët që sponsorizojnë terrorizmin”.

Biografia e kolonelit Martin përfshin shërbimin e tij si zyrtar i lartë i anti terrorit për të gjitha forcat e koalicionit në Irak dhe komandant i kampit Ashraf, vend ku gjendej i pozicionuar krahu ushtarak i grupit terrorist Mojahedin e Khalq (MEK) në kohën që Saddam Hussein ishte ende në pushtet. MEK, që përbëhej nga disidentë iranianë, përdorej nga Sadami për të kryer sulme të niveleve luftarake me intensitet të ulët kundër Iranit. Pas rënies së Bagdadit në vitin 2003 ai u vu nën mbrojtjen ushtarake amerikane.

Veprimi më i fundit i Martinit për të goditur mullahët është një artikull i 10 dhjetorit me titull “Fushata e vazhdueshme e Iranit për keqinformim”. Artikulli është thjesht një mbrojtje për MEK-un, të cilin e përshkruan si viktimë të propagandës iraniane. Martin i parshtron argumentat në artikullin e tij bazuar tek kritikat e tij ndaj një artikulli të 9 nëntorit me titull “Terroristë? Kultistë? Apo trimat e demokracisë? Historia e tmerrshme e MEK-ut”, artikull që u shfaq në The Guardian. Por në të vërtetë pjesa më e madhe e tij flet për veten e tij. Artikulli në the Guardian, i shkruar nga Arron Merat, ofron një analizë të thellë për MEK-un, se si u zhvillua dhe çfarë është duke bërë ai sot. Për faktin se ai argumenton se MEK është një kult dhe organizatë terroriste, kjo është ajo të cilën Martin e kundërshton.

Artikulli i Martinit me të gjitha detajet e tij i publikuar në Town Hall, është thuajse i papërshtatshëm për tu lexuar. Aty përfshihen perla si: “Disidentët iranianë kanë objektiv parësor fushatën e keqinformimeve për Ajatollahët” dhe “Kjo ishte hera e parë në historinë amerikane dhe ndoshta në historinë botërore, ku një vend u pushtua dhe me të erdhi edhe dislokimi i një ushtrie të madhe e dedikuar për largimin e një të tretës së lidershipit të vendit. “Jam i sigurt se koloneli Martin ka dashur të thotë diçka me këto dy fjali, por që unë nuk po arrij ta gjej se çfarë mund të jetë.

Martin raporton se MEK u fut për herë të parë në “radarin” e tij në vitin 2003 pas pushtimit të Irakut nga forcat e SHBA-së, i cili është pjesë e problemit të tij dhe që mund të përshkruhet se ai shikon atë që dëshiron të shohë. Ai bëri “një vlerësim për MEK-un dhe përcaktoi me vendosmëri se nuk ishte kërcënim”. Por prova të tjera, të cilat Martin duhet ti kishte marrë parasysh, sugjerojnë se MEK nuk ishte vetëm një grup disidentësh iranianë. Një studim i përgatitur nga korporata Rand (the Rand Corporation) për qeverinë amerikane tregon se pasi që kishte zhvilluar disa intervista në Kampin Ashraf, kishte arritur në përfundimin se tek MEK ishin të pranishme “shumë karakteristika tipike të një kulti, të tilla si kontrolli autoritar, konfiskimi i pasurisë, kontrolli seksual (përfshirë divorcin e detyrueshëm dhe beqarinë), izolimi emocional, puna e detyruar, privimi nga gjumi, abuzimi fizik dhe kufizimet e daljeve.”

MEK bëri transformimin nga një grup terrorist në “kampion i demokracisë iraniane” për shkak të lobimit intensiv të kundërshtarëve të Iranit. Artikulli i the Guardian gjithashtu përshkruan se si “Një listë jashtëzakonisht e gjatë e politikanëve amerikanë nga të dyja partitë ishin paguar me tarifa të larta për të folur në evente te ndryshme në favor të MEK-ut, përfshirë këtu personalitete si Giuliani, John McCain, Newt Gingrich dhe ish-drejtuesit e Partisë Demokratike Edward Rendell dhe Howard Dean – së bashku me ish-krerët e FBI-së dhe CIA-s. John Bolton, i cili ka bërë paraqitje të shumta në eventet ku mbështet MEK, vlerësohet të ketë marrë mbi 180,000 dollarë. Sipas të dhënave mbi financimet, Bolton u pagua me 40,000 dollarë për një shfaqje të vetme në tubimin për një Iran të Lirë të mbajtur në Paris në vitin 2017.

Me sa duket Martin nuk ka pasur shume dijeni për historinë e gjatë të grupit si dhe për blerjet e politikanëve amerikanë në kohën kur MEK filloi të shfaqej në skenë. Mbase ai nuk mund të ketë qenë një kërcënim aktiv në vitin 2003 kur Iraku u përball me forcën ushtarake të SHBA-së, por një gjë ishte e sigurtë se grupi kishte qenë antiamerikan që në vitet 70, periudhë ku u përfshi në vrasjen e së paku gjashtë oficerëve të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe disa kontraktorëve amerikanë të mbrojtjes civile. Sulmi në të cilin dy oficerë të forcave ajrore u vranë nga MEK jepej si shembull për çdo klasë mësimi në Qendrën e Trajnimit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në fund të viteve 70 për të ilustruar se si mund të ndodhte një sulm terrorist mbi një makinë në lëvizje.

Koloneli Martin është një kritik i ashpër i Presidentit Barak Obama, ku ndër të tjera përmend: “Për fat të keq, politika e Departamentit të Shtetit nën administratën e Obamës kishte për qëllim zbutjen e mardhënieve me regjimin e Iranit”.

Ky është një pohim për të cilin ka dëshmi të pakta pavarësisht nga dëshira e arsyeshme e Obamës për të negociuar dhënien fund të çdo programi të mundshëm iranian mbi armët bërthamore. Në fakt, sekretarja e Shtetit e Obamës Hillari Klinton e hoqi grupin MEK nga lista terroriste e Departamentit të Shtetit në vitin 2012 dhe më pas u perkujdes që grupi të zhvendosej në një vend të sigurt në Shqipëri, ku vazhdon të gjendet edhe sot.

Në një artikull tjetër për “të keqin”, Iranin, padyshim një obsesion i Martinit, ai deklaron: “Fundamentalistët në Teheran pothuajse u përmbysën gjatë kryengritjeve të mëdha kombëtare të vitit 2009, (para Pranverës Arabe). Ndërsa ish-Presidenti Obama dhe ish-Sekretarja Klinton qëndruan në heshtje, në favor të marrëveshjes së tyre bërthamore me regjimin … ”

Martin është kokë e këmbë gabim kur thotë se regjimi pothuajse u përmbys. Ai nuk u ndje i kërcënuar asnjëherë. Dhe natyrisht që do të kishte qenë e vështirë për Obamën që të kishte ngelur i heshtur në vitin 2009 për “marrëveshjen bërthamore”, e cila nuk ishte nënshkruar deri sa erdhi viti 2015.

Martin gjithashtu ka probleme me pohimin e artikullit të the Guardian se MEK rrjedh nga një ideologji “islamisto-marksiste”. Ai vë në dukje: “Me fjalë të tjera, MEK përbëhet nga ateistë që i frikësohen Zotit. Ai duhet të zgjedhë njërin ose tjetrin, sepse islami dhe marksizmi nuk përzihen.” Në fakt, marksizmi, si një kornizë kryesisht sociale dhe ekonomike, nuk është domosdoshmërisht antifetar, veçanërisht kur feja frymëzon punëtorët si pjesë e luftës së klasave. Marksizmi politik dhe fanatizmi fetar mund të bashkëjetojnë. Partia Komuniste Tudeh e Iranit para-revolucionar thuhet se ishte plot me islamistë. Dhe MEK me të vërtetë i ka të dyja rrënjët e veta marksiste dhe islamike. Ai ndihmoi në përmbysjen e Shahut në vitin 1979 përmes bashkëpunimit me partitë fetare, por më pas u kthye kundër klerikëve kur ata arritën që të merrnin kontrollin e revolucionit.

Martin gjithashtu injoron plotësisht rrënjët anti-amerikane, anti-kapitaliste dhe anti-kolonialiste të MEK-ut. Ai nisi si një grup i radikalizuar i studentëve në Iran në vitet 70 që sulmonte bizneset e SHBA-së dhe që kundërshtonte prezencën e Shteteve të Bashkuara. Artikulli i the Guardian përshkruan se si një prej këngëve të tij thoshte: “Vdekje Amerikës”, është thirrja që del me zjarr nga buzët e përgjakura të cdo muslimani të popullit iranian. U zhduktë Amerika”.

Koloneli Martin e ruan më të mirën e tij për në fund kur shpërthen: “Irani, shtet-kombi numër një në eksportimin e terrorizmit, është gjithashtu numri një në eksportimin e propagandës. Iranianja MOIS [Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë] do që të luftojë të vërtetën me gënjeshtra, mashtrime dhe manipulime të fakteve. MOIS harxhon përpjekje të mëdha për të neutralizuar MEK-un si kërcënimin kryesor të regjimit iranian.”

Se Irani është sponsori kryesor i terrorizmit, pohohet shpesh pa u shtjelluar imtësisht nga njerëz si koloneli Martin dhe John Bolton. Ndërkohë dihet fakti se Shtetet e Bashkuara veprojnë në mbarë botën me oficerë të inteligjencës, me spekulime dhe dronë që vrasin rregullisht shumë njerëz pa bërë aspak deklaratë për luftë. Kë ka vrarë Irani kohët e fundit? Dhe kur bëhet fjalë për propagandë, askush nuk e bën atë më mirë ose më agresivisht sesa SHBA-ja dhe Izraeli, vende të cilave askush nuk po u beson më.

Njerëz si koloneli Wes Martin, të përhapur në masë në qeverinë amerikane, për fat të keq e urrejnë Iranin për një numër arsyesh që nuk kanë të bëjnë aspak me sigurinë kombëtare. Sigurisht që Izraeli dhe lobi i tij janë një element, siç është nevoja për të pasur armiq e cila ushqen paranojën që nxit dhe financon kompleksin e tij industrial ushtarak. Martin zbulon injorancën e tij ku kundërshton atë që ai beson se është përpjekje e qeverisë iraniane për të “neutralizuar MEK-un si kërcënimin kryesor të regjimit iranian.” Ky pretendim është një absurditet i plotë. MEK ka punuar me Sadam Huseinin për të vrarë iranianët, ashtu siç kishte vrarë më parë amerikanët. Ai urrehet në Iran dhe ka pak mbështetje brenda vendit. Ai është një grup terrorist që aktualisht përdoret nga CIA dhe Mossadi i Izraelit për të ekzekutuar me vdekje dhe në rastin e kundërt për të vrarë akoma më shumë iranianë. Kjo është arsyeja pse të përndriturit si Mike Pompeo, John Bolton dhe koloneli Martin e duan atë, jo sepse ai është alternativa e sjelljes së demokracisë në Iran.

Philip M. Giraldi ka qenë një ish-specialist i CIA-s kundër terrorizmit dhe oficer i inteligjencës ushtarake që ka shërbyer nëntëmbëdhjetë vjet jashtë shtetit në Turqi, Itali, Gjermani dhe Spanjë. Ai ishte shefi i bazës së CIA-s për Olimpiadën e Barcelonës të vitit 1992 dhe ishte një nga amerikanët e parë që hyri në Afganistan në dhjetor 2001. Philip është Drejtor Ekzekutiv i Këshillit për Interesin Kombëtar, një grup mbrojtës i bazuar në Uashington që kërkon të inkurajojë dhe të nxisë një politikë të jashtme të SHBA-së në Lindjen e Mesme që të jetë në përputhje me vlerat dhe interesat amerikane.

burimi: globalresearch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne