ANDI BUSHATI

Disa copëza kronikash televizive të emetuara pa kujdes aty këtu, disa filmime të një tubimi të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe më pas disa deklarata konfuze artistësh, kanë krijuar zhurmën e mjaftueshme për të ngritur pyetjen: ç’po ndodh mes ministres Mirela Kumbaro dhe artistëve?

Dilema u bë më e fortë kur Robert Ndrenika doli përpara kamerave për të shpallur se plani ogurëzi i Edi Ramës, për të shkallmuar Teatrin Kombëtar dhe për të ngritur aty një tjetër kullë oligarkësh, ishte ringjallur pas një dekade e gjysëm. Pastaj, të tjerë aktorë, denoncuan vendimin e ministres së Kulturës për të zhvendosur në sallën historike të teatrit kolegët e tyre të operas dhe për t’i degdisur ata në ish palestrën që tani është pagëzuar me emrin eksentrik “Turbina”.

Në vorbullën e qëllimeve të ndryshme që i kishin bërë bashkë ata krijues, u daravit mes zhurmës dhe titujve, sa reduktues aq edhe sensasionalë, zëri i atyre që po protestonin për diçka tjetër: për projekt ndryshimet në ligjin “për artin dhe kulturën”.

Duhet thënë që në fillim: sado monoton që të duket shqetësimi i tretë, ai është shumë më i rrezikshëm edhe se zhvendosja e teatrit për ca kohë, madje edhe se ngritja e një rokaqielli më tepër në Tiranë.

Nëse protesta për të parat ngjan më e kapshme nga qytetarët dhe më seksi për titujt e portaleve, ndryshimet që propozohen janë një atentat ndaj komunitetit artistik. Ato dënojnë me vdekje një tabu të paprekshme: lirinë e krijimit artistik.

Po të futesh në faqen e ministrisë së Kulturës dhe të lexosh një për një ndryshimet e propozuara, mbetesh i befasuar. Në projekt parashikohet që ministri të caktojë jo vetëm drejtuesit e institucioneve si Teatri Kombëtar apo Qendra Kinematografike, por ai të emërojë (madje dhe të shkarkojë kur të dojë) anëtarët e bordeve të tyre. Shkurt dhe shqip, kjo do të thotë që liria artistike të jetë totalisht e varur nga qeveria, nga forca politike që është në fuqi dhe në sinkron me interesat ditore të pushtetit. Këta njerëz të emëruar drejtpërdrejt nga ministrja kanë në dorë të vendosin nëse një shfaqje apo një spektakël janë ose jo politikisht korrekt. Është ekskluzivisht në dorë të tyre të quajnë shoqërisht të papërshtatshme vënien e një pjese që trajton dashurinë brenda të njëjtit seks, financimin e një filmi që e sheh Skënderbeun me sytë e Oliver Shmidit, apo diskriminimin që pëson në vendin e punës një grua e mbuluar.

Në fakt, raportet e vështira mes lirisë artistike dhe rolit kufizues që ka pushteti, janë tejet fraxhile edhe në vende shumë më të emancipuara se ne. Jo më larg se dy vite më parë, një vend si Franca, që ministrja aktuale e kulturës e njeh shumë mirë, u përfshi nga një debat për ndalimin ose jo të shfaqjeve të një komiku, që një pjesë e shoqërisë e konsideronte si provokues dhe përçarës. Por më pas, ish qeveria socialiste miratoi një ligj ku liria dhe shpërndarja artistike fitonin një hapsirë më të madhe. Dhe pikërisht gjatë miratimit të këtyre ndryshimeve, ish homologia franceze e zonjës Kumbaro u tha deputetëve: “Ne duhet të krijojmë të gjitha mundësitë që arti të vazhdojnë të na bezdisë dhe të na shqetësojë”.

Pikërisht, nga kjo e drejtë për provokim, ngacmim dhe reaksion e zhvesh komunitetin artistik emërimi i censorëve që parashikon projektligji i ri.

Natyrisht, për shumëkënd, insistimi në këtë shqetësim, mund t’i ngjajë një debati për seksin e ëngjëjve. Aktorët, regjisorët dhe skenaristët shqiptarë prej kohësh janë shndërruar në disa rrogëtarë që mbijetojnë për bukën e gojës dhe që prej kohësh as nuk i flasin më shoqërisë, as krijojnë reaksion dhe as tentojnë të thyejë tabutë e saj. Katandisja në këtë gjendje e këtij komuniteti mund t’i japi të drejtën kryeministrit aktual t’i trajtojë edhe një herë si të mbathurat e të ndierës Violeta Manushi. Kjo agoni, mund t’i lejojë ministres së Kulturës t’i zhvendosë ata si topa lecke nga një godinë tek tjetra. Kjo mospërfillje mund ta yshtë Erion Velinë të planifikojë një kullë me teatër brenda.

Por të gjitha këto bashkë, sado të rënda qofshin, janë ku e ku më të pakapërdishme se tentativat liberticide për të kontrolluar me burokratë të qeverisë, lirinë e krijimit artistik. Sepse ajo nuk është një e drejtë që u takon vetëm atyre aktorëve që janë rebeluar, por një çështje që lidhet me të drejtat tona dhe me lirinë e shprehjes, prandaj na heq të gjithëve të drejtën për të qenë spektatorë. / lapsi

29