(Pjesa e parë)

Faik MIFTARI

Para ca kohësh, saktësisht me datë 27 dhjetor 2017, në Prishtinë në organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës u mbajt tryeza shkencore me titull: ”60 vjet të literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë(1957-2017)”. Pasi  vonë mora vesh   për mbajtjen e kësaj tryeze, nuk arrita të marr pjesë, me ç’rast do të kisha përgatitur kumtesën me titull”Publicistika islame dhe lexuesi mysliman në Kosovë”, të cilën do të prezantoj këtu në këtë vështrim të shkurtuar.

Ajeti(verseti) i parë në Kur’an që është shpallur profetit Muhamed është:  ”Lexo me emrin e Zotit tënd”, njashtu për rëndësinë e leximit, mësimit dhe studimit kemi thënien e pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s. i cili ka porositur: ”Kërkimi i diturisë është obligim për çdo mysliman dhe myslimane”. Duke marrë parasysh këto dy porosi, a thua tani në fillim të shekullit XXI, sa i përmbahen në përgjithësi myslimanët në botë, e në veçanti  myslimanët  në Kosovë ndaj këtyre dy porosive të çmuara kapitale.

Do të përshkruaj tani gjendjen e publicistikës islame, revistat që i boton Kryesia e Bashkësisë Islame në Kosovë, si dhe gjendjen e lexuesit mysliman të Kosovës se sa i lexon dhe përcjell publicistikën e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Takvimi është buletin vjetor i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili botohet në fund të vitit paraprak për vitin vijues. Takvimi është edicion më i vjetër, pasi numri i parë i tij doli në vitin 1970 dhe sivjet në  vitin 2018 do të del numri jubilar i tij, i 50-të, që është një jubile i veçantë, plotë gjysmë shekulli nga botimi i tij. Nga viti 2002 kryeredaktor i Takvimit është Resul Rexhepi, i cili që nga  koha që e mori këtë detyrë dhe gjer tani, në numrin e 49 të Takvimit të botuar të sivjetshëm për vitin 2018, i dha  një fizionomi dhe një cilësi  të veçantë të botimit të punimeve dhe përkthimeve të përmbledhura gjatë viteve. Me të vërtet periudha e kaluar kohore, 2002-2018, i dha një shtytje përpara përveç pjesës tematike të kalendarit vjetor të kohëve të namazeve(lutjeve) dhe kalendarit të ditëve dhe netëve të mëdha, si dhe festave  fetare, punimeve  të botuara të fushave të ndryshme, kryesisht me përmbajtje  fetare, por edhe atyre historike, shoqërore, kulturore, shkencore, etj. Takvimi vjetor gjatë këtyre viteve përmbante  15-20 punime autoriale dhe përkthime të punimeve të autorëve tjerë nga gjuha arabe, angleze, boshnjake, turke.

Edukata Islame është revistë shkencore, kulturore, islame, e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës që filloi së botuari  nga viti 1971dhe  gjer në fund të vitit 2016 dolën 111 numra . Edukata Islame shënoi një rilindje nga fundi i vitit 2001, gjegjësisht nga numri 65 kur detyrën e kryeredaktorit e mori  Qemajl Morina, i cili me një përkushtim të thellë dhe seriozitet të duhur i dha një fizionomi dhe një cilësi shumë të lartë, ashtu që mund të them lirisht se Edukata Islame u bë revista më e mirë që botohej në Kosovë nga ana e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Qemajl Morina nga viti 2002 gjer në vitin 2016 arriti të përgatis dhe të botojë gjithsejtë 45 numra, që mesatarisht i bie 3 numra  në vit, me përjashtim të dy viteve të fundit, 2015 dhe 2016, sigurisht për shkaqe shëndetësore  ka botuar vetëm nga 2 numra. Në fund të vitit 2016 Qemajl Morina doli në pension, dhe si i tillë do të mbetet përherë në kujtim të gjeneratave  si një pendë që ka dhënë një kontribut  jashtëzakonisht të çmuar publicistikës islame në Kosovë. Numri i punimeve autoriale dhe përkthimi i punimeve të autorëve të huaj  sillej prej 15 gjer në 20, me përmbajte të fushave të ndryshme, nga ato me tematikë fetare, historike, kulturore, shoqërore, trashëgimisë  kulturore, personaliteteve të çmuara kombëtare  fetare, recensioneve, prezantimeve të librave, etj.

Dituria Islame është revistë fetare, shkencore, kulturore e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës e cila filloi së botuari në vitin 1986 si revistë tre mujore e tani  botohet si revistë mujore.  Që nga fillimi e gjer tani , në fund të vitit 2017 dolën gjithsejtë 326 numra gjatë 31 viteve të botimit të saj. Kryeredaktor i parë ka qenë Jetish Bajrami, ndërsa kryeredaktori aktual është Ajni Sinani, si dhe ka pas edhe kryeredaktor tjerë gjatë periudhave të kaluara kohore. Dituria Islame ishte më e mira  gjatë periudhës gjersa ishte kryeredaktor i saj Qemajl Morina, për mendimin tim,  saktësisht gjatë periudhës dhjetëvjeçare, asaj të para luftës së vitit 1999. Dituria Islame përveç tematikës boshte të përcjelljes së aktivitetit të myftiut të Kosovës dhe organeve të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kuvendit, Kryesisë, sikurse edhe aktiviteteve të institucioneve arsimore fetare, të Fakultetit të Studimeve Islame dhe Medreseve, përmban shkrime  nga më të ndryshme  të fushave të gjera.

Por, a thua a  jemi të kënaqur me këtë gjendje aktuale të publicistikës islame aktuale në Kosovë, sigurisht se  jo, duke marrë parasysh potencialin dhe numrin e imamëve, profesorëve, ligjëruesve , studentëve dhe zyrtarëve tjerë të Bashkësisë Islame të Kosovës, por edhe potencialin e besimtarëve mysliman tjerë që merren me shkrime dhe hulumtime. Numri i gjithëmbarshëm i atyre që janë në një apo formë tjetër të lidhur zyrtarisht me Bashkësinë Islame të Kosovës,  kalon numrin mbi 1000, plus duke i shtuar kësaj edhe një numër të konsiderueshëm të besimtarëve  tjerë mysliman që merren me shkrime të fushave të ndryshme. Këtë kur e them bazohem në atë që zakonisht janë autor të paktë dhe të njëjtë që japin kontribute me punimet e tyre shkencore publicistikës islame në Kosovë. Si shembull do të marrë vitin 2017 me ç’rast  Takvimit të sivjetshëm i kanë arritur vetëm 17 punime nga Kosova, dhe që të gjitha janë botuar, dhe atë 12 punime të autorëve  që punojnë në institucionet dhe organet e Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe 5 autorëve tjerë që vijnë jashtë Bashkësisë Islame të Kosovë. Në vend se gjatë vitit 2017  të vinin përafërsisht 100 punime të shkruara nga ana e ligjëruesve, profesorëve, imamëve, studentëve, dhe zyrtarëve tjerë islam, si dhe nja 50 punime të autorëve tjerë, me ç’rast  nga ato do të përzgjidheshin 15-20 punime më të mira të vlerësuara dhe të zgjedhura nga ana e redaksisë dhe kryeredaktorit. Kjo është gjendja momentale  për fat të keq lidhur  me publicistikën islame,  vetëm 1% nga potenciali i gjithëmbarshëm institucional islam dhe jashtë  institucional islam në Kosovë merren  me shkrime të punimeve autoriale apo përkthimeve autoriale. Qasja ndaj publicistikës islame del edhe më e rënduar,në rast se kësaj i shtojmë se revista Edukata Islame që botohej mesatarisht tre herë në vit, gjatë vitit 2017 fare nuk ka dalë, pasi që kryeredaktori i ri Sabri Bajgora akoma nuk ka arritur të akomodohej, për shkak të rrethanave objektive, dhe se tek tani në fillim të vitit 2018 do të del numri i ri i Edukatës Islame, shpresoj  që Sabri Bajgora jo se do të arrijë të mbajë vazhdueshmërinë e botimit të tri numrave në vit të Edukatës Islame, por  të botojë katër numra në vit, siç zakonisht botohen revistat shkencore në botë.

Dituria Islame si revistë mujore, për momentin është më e dobëta, në krahasim me revistën shkencore Edukata Islame dhe buletin vjetor Takvimin, pasi që është për momentin është e tejkaluar dhe jashtë rrjedhave të aktualitetit të tanishëm. Përkundër asaj që nuk kemi për momentin një gazetë e cila do të duhej të dilte dy herë në muaj, edhe pse si projekt i është prezantuar para plotë 10 vitesh myftiut, por se ky projekt ka mbetur vetëm në letër, dhe asgjë nuk është ndërmarr gjer sot në realizimin e një projekti të tillë. Këtë boshllëk do të kishte dashur  të zëvendësonte Dituria Islame si revistë mujore, e cila do të duhet të botonte të gjitha shkrimet që kanë të bëjnë me problematikën dhe aktualitetin  rreth Bashkësisë Islame të Kosovës  dhe problemeve me të cilën ballafaqohen myslimanët e Kosovës. Por, Dituria Islame fare nuk i boton dhe nuk merret me ngjarjet e përditshme të aktualitetit islam, sikurse këto ngjarje  ndodhen në planetin e Marsit e jo në Kosovë. Dituria Islame i jep hapësirë shkrimeve të fushave të ndryshme, ndërsa shkrimet që përmban  ngjarjet aktuale  rreth Islamit dhe myslimanëve në Kosovë zakonisht përfundojnë në shportë. Dituria Islame do të duhet të përqendrohet vetëm në shkrime të shkurtra dhe aktuale, ndërsa  punimet tjera autoriale dhe përkthime duhet lënë në dispozicion Edukatës Islame dhe Takvimit.

Sa i përket tirazhit të numrit të ekzemplarëve të publicistikës së botuar islame në Kosovë, mund të them se është minimal apo katastrofal. Tirazhi i Takvimit  të sivjetshëm ishte  5000 ekzemplar, ndërsa tirazhi i Diturisë Islame ishte 3000 ekzemplar  për numër dhe  Edukatës Islame vetëm 600 ekzemplar për numër. Për krahasim do të paraqes tirazhin e gazetave dhe revistave të publicistikës islame  që janë botuar gjatë vitit 2017 nga Rijaseti i Bashkësisë Islame të Bosnjës e Hercegovinës.Tirazhi i Takvimit vjetor ishte 30.000 ekzemplarë, i gazetës dyjavore Preporod ishte 16.000, i revistës dy mujore Gllasnikut 2000 ekzemplar dhe  i revistës tremujore Novi Mualim 1200 ekzemplar. Dallimi  sikurse shihej është enorm  duke marr parasysh se numri i myslimanëve të Bosnjës dhe Kosovës është përafërsisht i njëjtë, aty përafërsisht  rreth 2 milion qytetar mysliman.

Në përgjithësi  gjatë vitit 2017 në Kosovë, gjithsejtë janë shtypur 30.000 ekzemplarë të revistës Dituria Islame(10 numra të saj) si dhe Takvimi vjetor 5000 ekzemplar, ndërsa Edukata Islame gjatë vitit 2017 fare nuk është botuar, do të thotë numri i tërësishëm i publicistikës islame në Kosovë gjatë vitit 2017 ishte 35.000 ekzemplar të botuar. Për dallim prej Kosovës, në Bosnjë janë botuar 24 numra të gazetës Preporod me 384.000 ekzemplar, Takvimi vjetor në 30.000 ekzemplarë, Gllasniku  6 numra me 12000 ekzemplarë dhe Novi Mualimi  4 numra me 4800 ekzemplarë, gjithsejtë numri i tërësishëm i publicistikës islame  të botuar në Bosnjë  gjatë vitit 2017 ishte 430.800 ekzemplar, shprehur në %   numri i tërësishëm i ekzemplarëve të botuar të publicistikës islame është  8% në Kosovë kundruall asaj 92% në Bosnjë. Krahasimi i publicistikës islame të shtypur gjatë vitit 2017 në Bosnjë dhe Kosovë e reflekton  në çfarë gjendje për fat të keq, është publicistika islame  në Kosovë. Shpresoj se gjatë periudhës së ardhshme të përmirësohet dhe të fillojë të shënoj një rritje graduale publicistika islame  e botuar në Kosovë.

 

13.01.2018                                                            

85