Shkruan: Nexhat Ibrahimi

 

“Unë punoj për lavdi të Kur’anit”

(A. S. Pushkin)

Jeta dhe vepra

Nëse do ta hapim një doracak të letërsisë ruse ose letërsisë botërore do të lexojmë se Pushkini quhet Aleksander Sergejeviç Pushkin/ Është i lindur në Moskë, Rusi, më 1799 dhe ka vdeur në Sankt Petersburg më 1837.[2] Do të lexojmë se ai ishte nga pallati mbretëror rus, ishte themelues i letërsisë bashkëkohore ruse, mit romantik dhe dashuria e parë për të gjithë lexuesit e letërsisë ruse. Kishte prejardhje aristokrate, dhe madje shpesh shkruante për lozën e tij familjare. Për të do të lexoni se ai ishte i madh, i gjithëkohshëm, interesant, joshës, që ia vlen të lexohet gjithnjë.

Image result for pushkin 

Aleksandër Sergejeviç Pushkin (1799-1837)

Por, rrallë herë do të lexoni se Aleksander Sergejeviç Pushkin është me prejardhje ruse e zezake afrikane. Stërgjyshi i tij nga nëna ishte Ibrahim Petroviç Hanibali (1697–1781), etiopian nga familja mbretërore, i cili si tetëvjeçar zezak u grabit në brigjet e oqeanit afrikan dhe u shit në një treg të skllevërve në Stamboll të Turqisë. Më vonë ky djalosh zezak do t’i falet carit të Rusisë, Petrit të Madh. Ka mendime se Sava Vlladisavljeviq (1660-1735), me prejardhje nga Foça e Bosnjës, një kohë jetoi në Dubrovnik[3], përkthyes dhe agjent sekret rus, aventurier, diplomat dhe negociator i sukseseshëm,[4] e grabiti (e bleu) Ibrahimin nga Turqia bashkë me disa djelmosha të tjerë muslimanë më 1707, për ta sjellë në Pallatin e Petrit të Madh në Moskë. Cari rus, Petri, sipas emrit të tij e kryqëzoi Ibrahimin me emrin Avram dhe Pjetër, por ai nuk e deshi këtë emër, andaj e përdori si emër të mesëm si emër babanë.[5] Mbreti rus i dha emrin Hanibal, sipas komandantit kartagjenas Hanibalit, dhe e martoi me një vajzë aristokrate ruse. Këtë gjë Pushkini do ta përshkruajë me shumë sharm e entuziazëm në romanin Arabi i Pjetrit të Madh.[6]

Gjeni afrikan do të vërehet te Pushkini sidomos në ditët e fëmijërisë: lëkurë të errët, flokë kaçurrela, ballë madh, dhëmbë bardhë etj. Një poet rus e pati përshkruar: “Ja, arab – zezak i vërtetë është.”

Muajt e verës Pushkini do t’i kalojë te gjyshja sipas nënës, Marija Aleksejev Hanibal (vd. 1818). Gjyshja e tij ankohej për të, sepse thoshte se ai e donte librin por assesi të mësojë etë shoqërohet me moshatarët në mënyrën e zakonshme.

Më 1811 Pushkinin e regjistruan në një lice perandorak ku kaloi gjashtë vjet. Nga kjo kohë ka shkruar shumë poezi e poema, duke e gjetur frymëzimin te francezët, si për shembull te Volteri. Lirika e tij e manifestonte traditën e klasicizmit francez e rus. Më pas Pushkini i kushtohet elegjisë. Përkundër klisheve dhe imitimit, ai pak nga pak e bën stilin e vet karakteristik dhe pak nga pak i prekë edhe temat e ndërlikuara për moshën e tij djaloshare.[7]

Pas përfundimit të liceut më 1817, ai u bë nëpunës shtetëror, vizitues i rregullt i teatrit dhe anëtar i rregullt i disa organizmave kulturor e artistik. Qysh si nxënës në lice pat filluar një poemë, Rusllani dhe Ludmila, që synonte të bëhet poemë epike nacionale, të cilën e përfundoi tek vitin 1820. Kjo poemë do të fitojë rëndësi (pas përkrahjes dhe kundërshtimit të saj politik dhe letrar) vetëm pas internimit të Pushkinit nga vendlindja në Sibir. Pastaj Pushkini ka bërë edhe disa udhëtime në Krime e vende tjera.

Nëse Rusllani dhe Ludmilla e bënë të njohur Pushkinin, poema Robi kaukazian (1822) dhe Shadërvani i Bashçesarajit e bënë Pushkinin në krye të letërsisë bashkëkohore ruse. Në vitet e mëvonshme Pushkini do të quhet Bajroni rus. Për shkak të simpatisë së tij ndaj ateizmit, shteti e internoi në pronën e babait, ku u detyrua të kalojë dy vjet. Më 1826 cari Nikolla I e liroi nga censura intelektuale dhe tutoria politike, kurse Pushkini do ta vazhdojë tregimin për stërgjyshin e tij, Ibrahim Hanibalin. Por, kjo vepër e tij nuk hasi në pranim të mirë as të kritikës as lexuesve. Pas kësaj periudhe pati një jetë të gjallë me prijësit e shtetit që rezultoi me plot mospajtime të tij politike, letrare etj.

Pas bredhjeve të shumta dhe pas një sherri banal të xhelozisë ose ruajtjes së nderit dhe nga pasoja e plagosjes nga kundërshtari, Pushkini u sëmur vdiq më 1837 në Sankt Petersburg, Rusi. Pas vetes la gruan dhe disa fëmijë.[8] Por, ai la një trashëgimi të madhe letrare, poetike, dramaturgjike etj. Veprat më të njohura janë: “Mozarti dhe Salieru”, “Piri gjatë kohës së murtajës”, “E bija e kapitenit”, “Poltava”, “Boris Godunov”, “Dubrovski”, “Robi kaukazian”, “Ciganët”, kryevepra e tij “Eugjen Onjegin” etj.[9]

Interesimi i Pushkinit për Islamin

Këto dhe të dhëna tjera do t’i gjejmë me shumicë thuajse në të gjitha shkrimet për Pushkinin. Por, interesimin e Pushkinit për fenë islame nuk do ta gjejmë kudo dhe sido. Thuajse të gjithë e kanë heshtur këtë lidhje të tij me Islamin. Prandaj në vazhdim nuk do t’i ripërsërisim gjerat që tashmë njihen, por pak a shumë pikëpamjet që njihen pak apo që nuk njihen aspak në gjuhën shqipe.

Shkrimet e Pushkinit të çojnë në informacionet se Pushkini e ka lexuar Kur’anin, sidomos pas vitit 1824 e pas. Pastaj duket se i ka lexuar poetët e mëdhenj muslimanë si Sadiun etj. Kjo shihet edhe nga përdorimi i motiveve lindore muslimane në shumë shkrime të tij. Poema Robi kaukazian dhe Shadërvani i Bahçesarajit i kanë paraprirë një vargu të poezive me motive muslimane. Madje, ai në vitin 1824 për vetveten shkruan: “Unë punoj për lavdi të Kur’anit”[10], ku për tre muaj shkroi nëntë poezi me motive kur’anore. Qëndrimi i Pushkinit ndaj Lindjes, Islamit dhe pejgamberit Muhammed a.s. ishte i qartë dhe përplot respekt, gjë që i kishte habitur bashkëkohësit e tij. Për më tepër, miqtë dhe ata që e njihnin e quanin apostull të Muhamedit.[11] Sidomos ndikimi islam vërehet në poemën Shadërvani i Bashçesarajit, ku Pushkini si sentencë përmend shejh Sadiun: “Shumë syresh, sikurse edhe unë, e kanë vizituar këtë shatërvan…”. Pas botimit të kësaj poeme, bashkëkohësit e quanin atë “Sadiu ynë i ri”.[12]

Sipas të dhënave ekzistuese Pushkini e lexoi përkthimin rus të Kur’anit nga M. J. Verskini dhe atë para se të dëbohet nga qyteti Odesa. Madje, disa kritikë thonë se cikli prej disa poezive të Pushkinit janë imitim i fjalëpërfjalshëm i përkthimit të Verskinit. Autori boshnjak Shaban Gaxho thekson se përkundër përdorimit të shprehjes “imitim” (podrazhavanje – ????????????) nga vetë Pushkini[13], megjithatë në çdo varg vërehet përjetimi individual, poetik i Pushkinit të çdo ajeti apo të çdo sureje kur’anore. Pushkini i vitit 1824 nga Mihajlovo shkruan: “Unë punoj për lavdinë e Kur’anit” dhe për tre muaj ka shkruar nëntë poezi me motive nga Kur’ani.

Image result for pushkin

Shtëpia e Pushkinit në Moskë

Frymën kur’anore të Pushkinit e ka vërejtur edhe F. Dostojevski me rastin e përkujtimit të vdekjes së Pushkinit. Ai pohoi se Pushkini ka veçorinë unike të gjeniut artistik dhe kjo është “aftësia e bashkëdhimbjes së tërë botës dhe transformimit të plotë, thuajse të përkryer në gjeni të popujve tjerë.” Madje, fjala është “pikërisht për përkryeshmërinë mahnitëse të transformimit.”[14]

Aftësia e Pushkinit theksohet qartë edhe në poezitë me titull “Imitimi i Kur’anit”, ku ai merr motivet kur’anore i përpunon dhe poetikisht e besnikërisht, duke e përcjellë çdo segment të marrë. Duke iu përmbajtur përmbajtjes së tekstit kur’anor, ato vargje manifestojnë edhe stilin e tij edhe funksionin poetik të tij. Me të drejtë Dostojevski thotë:

“… ja, po ashtu, strofa religjioze nga Kur’ani apo Imitimi i Kur’anit: a nuk është ky musliman, a nuk është kjo fryma e Kur’anit dhe shpata e tij, lartësia e thjeshtë e besimit…”.[15]

Edhe profesori i filologjisë orientale nga Universiteti i Kazakistanit, Utegen Kumisbaev, përmend interpretimin poetik të Kur’anit, nëpërmjet të cilit Pushkini ka tentuar t’i shpreh ndjenjat e tij vetjake religjioze, tiparet e tij të individualitetit, idealin e tij optimist etj. Në Kur’an ai gjeti një monument historik, filozofinë, por edhe anën morale e poetike.

 

Tavolina e punës e Pushkinit

Ja disa krahasime:

I

Betohem me çiftin dhe tekin,

rn

Betohem me shpatën, me luftën e inatosur,

Betohem me yllin e mëngjesit, me tërë zjarrin,

Betohem me lutjen në muzg

Unë nuk të braktisa, tërësisht.

Të cilin në hijen të paqes nga ajo anë

E futa, duke ia puthur ballin,

Nga e keqja e përndjekjes duke e mbrojtur?

A nuk ta kam dhënë ty

Unë atë ditë i etur ujin shkretinor?

A nuk të dhashë gjuhë të vlefshme

Para fuqisë së të cilit ka rënë mendja?

Për luftë me rrenën bëhu i zellshëm,

Vetëm rrugën e të drejtës guximshëm shikoje,

Duaji të mjerët dhe Kur’anin tim

Sendit që dridhet predikoji.[16]

Vargjet e para përdoren në pjesë të ndryshme të Kur’anit, në të cilat Zoti betohet në disa prej gjerave të ceken në strofën e parë. Si për shembull[17]:

“Pasha agimin. Pasha dhjetë netët. Pasha çiftin edhe tekët. Pasha natën kur kalon.” (El-Fexhr, 1-4)

Në suren Ed-Duha gjejmë vargjet vijuese, të cilat janë manifestim i sures së njohur kur’anore:

Pasha mëngjesin! Edhe natën kur mbulon! Zoti yt nuk të ka lënë pas dore dhe nuk të ka urrejtur; Bota e ardhshme është, njëmend, më e mirë për ty se kjo botë. Dhe Zoti yt me siguri do të japë ty, e do të jesh i kënaqur. A nuk ishe bonjak, e ai të ofroi strehim?! Dhe ishe i humbur, e ai pra, të përudhi. Ke qenë edhe i varfër, e të bëri të pasur. Prandaj bonjakun mos e nënçmo. Dhe lypsarin mos e refuzo. Por për dhuntitë e Zotit tënd prediko!” (Ed-Duha, 1-11)

II

I frikësuar, ngrehu:

Në shpellën tënde,

Ja, drita e kandilit,

Deri në agim ndriçon.

Ti me lutjen tende të pasionuar,

O Pejgamber, rrëzoji

Të gjitha mendimet e shpellës

Edhe ëndrrën dinake flake!

Dëgjo, lutjen tërë natën,

Vetëm me përunjtësi lutu,

Nga libri qiellor

Deri në agim lexo!

Elemente të kësaj poezie dallojmë në suren El-Muddeththir, ajeti 1-7:

O i mbuluar! 

dhe qorto (thirr)! 

Dhe Zotin tënd madhëroje! 

Dhe rrobat tua pastroji! 

Dhe nga idhujt largohu! 

Dhe mos u kënaq as me shumë, por këshillo! 

Dhe për hir të Zotit tënd duro! 

E kur të fryhet në sure.” (El-Muddeththir, 1-7)

Vërehet edhe në ajetet 1-4 të sures El-Muzzemmil:

“O i mbështjellë! 

Ngrehu natën, përveç një pjese të vogël.

Gjysmës e saj ose diçka më pak se kjo.

rn

Ose, pak më shumë se ajo, dhe

Kur’anin shqiptoje qartë e me kujdes!“ (El-Muzzemmil, 1-4).

III

Toka pushon – kurse Ti ruan,

Qemerin qiellor si mbajtës blu,

Që në tokë të mos ai zhytet,

Që poshtë të mos na përmbyt.

O Diell lëre gjithësinë,

Ta ndriçojë tokën kundër të keqes,

Sikur me vaj të shenjtë të ngjyer,

Kandili shkëlqyes nga kristalet.

Luteni Zotin, Ai është i madh:

I dërgon erëra, ditës përvëluese,

Retë i shtrinë përgjatë tërë qiellit;

Dhe tokës i jep hije nga degët.

Kurse Ai është i butë: Muhamedit,

I ka zbuluar urtësitë e Kur’anit,

Që shikimin mjegulla mos ta prangos,

Ta dimë edhe ne dritën e ditës.[18]

Qielli, Toka, Dielli, Hëna:

“Kurse qiellin e kemi bërë kulm të sigurt. Por ata prapëseprapë largohen nga shenjat Tona.” (El-Enbija’, 32)

Allahu është ai i cili ka ngritur qiejt pa asnjë shtyllë, i shihni, pastaj, mbisundoi me gjithësinë. Edhe Diellin edhe Hënën ua ka nënshtruar; secili lëviz deri në afat të caktuar, Ai rregullon tëra çështjet dhe në hollësi shpalon argumentet, ndoshta bindeni se keni për të dalë para Zotit tuaj!” (Er-Rra’d, 2)

Ai është i cili e ka bërë diellin burim të dritës, kurse Hënën të ndritshme dhe ia ka caktuar fazat për të ditur ju numrin e viteve dhe llogaritjen. Allahu atë e ka krijuar me urtësi. Ai ua shpalon argumentet njerëzve që marrin vesh.” (Junus, 5)

Ai është i cili dërgon erërat si përgëzues të mëshirë së vetë; kurse ata kur i nisin në lëvizje retë e rënda ne i shpijmë kah ndonjë vend i vdekur dhe atje lëshojmë shiun, e me të bëjmë që të rriten frute të llojllojshme. Ashtu do të ngjallim edhe të vdekurit, mbase do të mblidhni mendjen!” (El-A’raf, 57)

Butësia, falja:

Atë e madhërojnë shtatë qiej dhe toka, edhe gjithçka ekziston në to, dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron me lëvdata, por ju nuk e kuptoni madhërimin e tyre. Ai është me të vërtetë i butë dhe falë shumë.” (El-Isra’, 44)

Pejgamberi a.s. dhe Kur’ani

Kurse atyre të cilët besuan dhe punuan punë të mira, dhe në atë që iu shpall Muhamedit besuan e ajo është e vërtetë nga Zoti i tyre, Ai ua mbulon punët e këqija të tyre dhe i përmirëson kushtet e tyre.” (Muhammed, 2).

Në vend të përfundimit

Shkrimi ynë është edhe një provë se shumë intelektualë botërorë gjatë të kaluarës, për shkaqe ideologjike (historike-fetare), janë shtrembëruar ose janë heshtur para lexuesit. Ndër ta ishte dhe është edhe Pushkini, intelektual me prejardhje muslimane, i asimiluar nga Rusia cariste dhe i paraqitur si njëri prej shkrimtarëve më të mirë rusë dhe botërorë.

Shtrohet pyetja vijuese: si është e mundur që me atë pak dije për Islamin të bëhet kaq i saktë, qëllimmirë dhe besnik ndaj origjinalit? Sigurisht se mendimi, meditimi dhe intuita e kanë ndihmuar por nuk duhet harruar as gjenin musliman afrikan (si kujtesë familjare e kolektive historike[19]) te Pushkini. Ai në fakt me prejardhje ishte musliman, i cili u bë i krishterë nëpërmjet asimilimit por i cili nuk e harroi prejardhjen e vet.

Pushkini bëri ndikim të madh në Rusi dhe botë. Tolstoi thotë se për ta përfunduar me sukses romanin “Ana Karenina” iu dashtë t’i kthehet sërish leximit të Pushkinit,[20] kurse Gogoli pohoi se “Pushkini është manifestimi përjashtues e mbase edhe unikal i frymës ruse”.[21]

Po e mbyllim këtë shkrim informues me thënien e F. Dostojevskit:

“Sikur Pushkini të kishte jetuar më gjatë edhe mes nesh, mbase do të kishte më pak mosmarrëveshje dhe konteste seç kemi deri tash. Por, Zoti vendosi ndryshe. Pushkini vdiq në fuqinë e plotë dhe sigurisht me vete ka marrë ndonjë sekret të madh. Dhe, ja, ne tani e deshifrojmë pa të…”.[22]

Vepra e tij ende lexohet. Ato janë përcjell edhe me muzikë, duke u shkruar disa vepra muzikore sipas vargjeve të tij. Veprat e tij edhe u ekranizuan, duke bërë filma të shumtë dhe duke u luajtur disa prezantime teatrore etj. Sipas emrit të tij janë formuar shumë institucione letrare, shkencore, toponime, revista, madje emrin e tij e mbanë edhe një vullkan në planetin Merkur.


[1] Synimi i këtij shkrimi nuk është hulumtim shkencor nga vepra e Pushkinit, as nuk pretendon të jetë shkencor, por është vetëm një reflektim nga leximi i disa shkrimeve për Pushkinin, ndryshe nga shkrimet konvencionale, rutinore, të cilët i gjejmë nëpër antologji apo manuale letërsie. Uroj që ndonjë shkrim studimor ta bëjë ndonjë letrar yni që njeh rusishten dhe qe e do letërsinë. Për çudi, deri tash çdo element islam te Pushkini ose heshtet tërësisht ose relativizohet sa që nuk mund të kuptohet e vërteta. Më tepër gjeta ndihmë nëpër ueb faqe sesa nga librat që shkollarëve ua mësojnë letërsinë botërore. Për këtë arsye, ato libra të censuruara edhe nuk i përdora për versionin përfundimtar, sepse ishin të padobishme.

[2] Šaban Gadžo, Kur’anski motivi u Puškinovom ciklusu pjesama Podražavanje Koranu, në: http://majkaidijete.ba/edukacija-mladi/knjizevnost/item/2171-kuranski-motivi-u-pu%C5%A1kinovom-ciklusu-pjesama-podra%C5%BEavanje-koranu. Ky shkrim ishte motivimi im për këtë shkrim informues. Aty gjeta edhe të dhënat më të mira.

[3] http://www.telegraf.rs/vesti/1165901-da-li-ste-znali-da-nije-bilo-ovog-srbina-puskin-se-ne-bi-rodio.

[4] http://www.telegraf.rs/vesti/1165901-da-li-ste-znali-da-nije-bilo-ovog-srbina-puskin-se-ne-bi-rodio.

[5] M. M. Peši?, Beskrajni Puškin, sipas: Šaban Gadžo, po aty. http://www.telegraf.rs/vesti/1165901-da-li-ste-znali-da-nije-bilo-ovog-srbina-puskin-se-ne-bi-rodio.

[6] Këtë roman autori nuk arriti ta përfundojë dhe nuk kam të dhëna a është botuar në formën ekzistuese. Shih: http://www.telegraf.rs/vesti/1165901-da-li-ste-znali-da-nije-bilo-ovog-srbina-puskin-se-ne-bi-rodio.

[7] http://www.telegraf.rs/vesti/1165901-da-li-ste-znali-da-nije-bilo-ovog-srbina-puskin-se-ne-bi-rodio.

[10] Sipas: A. S. Puškin. Lirika. Beograd, 1979.

[11] Sipas: Šaban Gadžo, po aty.

[12] Sipas: Šaban Gadžo, po aty.

[13] Vepra origjinale e Pushkinit në rusisht për ata që e njohin këtë gjuhë: ?. ?. ??????, ?????????? ??????, në: http://rvb.ru/pushkin/01text/01versus/0423_36/1824/0355.ht

[14] Sipas: Šaban Gadžo, po aty.

[15] F. Dostojevski, Piš?ev dnevnik, sipas: Šaban Gadžo, po aty.

[16] Poezitë gjenden në: A. S. Puškin. Lirika. Beograd, 1979, fq. 100-106, sipas: Šaban Gadžo, po aty.

[17] Përkthimet e Kur’anit në shqip janë nga autori, por duke u konsultuar përkthimi i dr. Feti Mehdiut.

[18] Ne i shfrytëzuam këto të dhëna nga autori Shaban Gaxho, po aty, por ato mund të verifikohen edhe në  botimin në gjuhën ruse të “Imitimi i Kur’anit”: ?. ?. ??????, ?????????? ??????, në: http://rvb.ru/pushkin/01text/01versus/0423_36/1824/0355.htm.

[19] Mbase këtë kujtesë historike dhe hulumtim të së kaluarës e hasim edhe te muslimanët afro-aziatikë në Amerikë, e të cilën mund ta lexojmë te vepra e Alex Haley, Roots: The Saga of an American Family, SHBA, 1976, ose në gjuhën kroate: Alex Hejl, Korijeni, Zagreb, 1978 apo te Aleks Hejl, Autobiografia e Malkolm X, Shkup, 2013.

[20]  Mila Stojni?, A. S. Puškin, në: http://wwwbloggercomprofile1704280558878634.blogspot.com/2010/08/s-puskin.html.

[21] Mila Stojni?, A. S. Puškin, po aty.

[22] Shih: Šaban Gadžo, po aty.

Teksti sipas: F. Dostojevski, Nga ditari i një shkrimtari.

Publikuar ne revisten HEna e re, korrik 2017, Shkup, fq. 33-37

51