Putin: SHBA po destabilizon Ballkanin

Presidenti rus, Vladimir Putin thote se Shtetet e Bashkuara po destabilizojnë Ballkanin duke “shpallur rolin e tyre dominues” në rajon, deklarate kjo gjatë një interviste për mediat serbe.

Putin ka folur për gazetat serbe “Vecernje Novosti” dhe “Politika”, në intervista që u publikuan qysh të martën, përpara vizitës së tij të pritshme të kësaj jave në Beograd. Komente këto që u pasqyruan edhe nga faqja zyrtare e Kremlinit.

Deklaratat e tij nënvizojnë edhe njëherë marrëdhëniet historikisht të ngushta me Serbinë, sikurse edhe kujdesin e Moskës për ndikimin e Perëndimit. Ato bien ndesh gjithashtu me paralajmërimet e lëshuara nga Uashingtoni apo aleatë të tjerë europiano-perëndimorë, lidhur me faktin se Rusia po përpiqet të destabilizojë rajonin me ndërhyrjet në Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoni.

Në intervistat e tij, Putin ka rikujtuar fushatën e bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 mbi Serbi, gjatë luftës së Kosovës, sikurse edhe deklaratën e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, deklaratë që u dënua nga Serbia dhe Rusia, por u mbështet nga shumica e vendeve perëndimore.

“Për sa kohë që situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore, që synojnë të shpallin rolin e tyre dominues, mbetet një faktor serioz destabilizimi këtu”, citohet të ketë thënë Putin. Ai vlerësoi gjithashtu se Mali i Zi “ishte tërhequr zvarrë drejt anëtarësimit në NATO”. “Si pasojë, vendi po kalon tashmë një periudhë destabiliteti politik”, është shprehur më tej shefi i Kremlinit./ tch

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne