Putini bisedon në telefon me Trumpin, e informon për takimin me Esedin

Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, realizuan të martën vonë një bisedë telefonike, bëjnë të ditur burime zyrtare nga të dyja vendet.

Sipas një komunikate me shkrim nga Shtëpia e Bardhë, në bisedën telefonike Putin-Trump u morën në shqyrtim çështjet në lidhje me Sirinë, Iranin, Korenë e Veriut, Afganistanin dhe Ukrainën.

Ndërsa Kremlini njoftoi se liderët e dy vendeve diskutuan rreth situatës në Siri.

“U vlerësuan gjerë e gjatë problemet urgjente në vend duke marrë parasysh afrimin e fundit të operacioneve për eliminimin e terroristëve në Siri. Putini nënvizoi gatishmërinë e tij personale dhe Moskës zyrtare për të mbështetur zgjidhjen politike afatgjatë në Siri mbi bazat e rezolutës numër 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, marrëveshjeve të arritura në Astanë dhe deklaratës së përbashkët, që është bërë më 11 nëntor 2017 në Vietnam”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kremlini.

Lideri rus e informoi homologun amerikan gjithashtu për takimin e tij me Kryetarin e Shtetit të Sirisë, Beshar Esed.

“Vladimir Putini informoi Donald Trumpin në lidhje me rezultatet e bisedimeve të realizuara më 20 nëntor me Beshar Esedin, që konfirmoi angazhimin e tij ndaj procesit politik e reformave kushtetuese, si dhe ndaj mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale e parlamentare”, sqarohet ndër të tjera në komunikatën e Kremlinit.

Bie në sy fakti që biseda telefonike Putin-Trump, rreth 1 orë e gjatë, u realizua përpara samitit tresh, që do të mbahet sot (22 nëntor) në Soçi me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne