Qeveria denoncon gjyqtaren e Vlorës

Taulant Manaj, i njohur dhe si Taulant Beqiraj, 28 vjeçari nga Vlora në Qershor të ketij viti u kap nga policia në flagrancë me armë gjatë kohës që ishte dënuar me arrest shtëpie për vrasje me dashje e mbetur në tentativë, por Gjykata e Vlorës e la sërish në shtëpi me të njëjtën masë. Pikërisht ky rast ka sjellë reagimin e dy Ministrive, asaj të Brendshme që denoncon këtë rast abuziv të Gjykatës së Vlorës, por edhe Ministrisë së Drejtësisë që i është drejtuar Inspektoriatit të KLD për të hetuar me urgjencë mbi këtë vendim.

“Ky shkelës i ligjit, dy herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin – gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave nëpërpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares”.

Zv.ministri i Drejtësisë, në emër të qeverisë flet dhe për rezultatet e vettingut. Ai paralajmëron se largimi nga radhët e drejtësisë nuk do të jetë hapi i fundit për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

“Procesi i Vetingut, i cili po zbulon në sytë e shqiptarëve pasuri të paimagjinueshme dhe shkelje ligjore të panumërta nga ana e gjyqtarëve e prokurorëve, mund e duhet ta pastrojë deri në fund llumin e mbështjellë me togën e zezë.

Prandaj Qeveria do të vazhdojë të mbështesë pa asnjë rezervë organet e reja të kontrollit të ecin me shpejtësi e në thellësi me procesin e Vetingut, duke kaluar në filtër jo vetëm pasurinë, por edhe vendimet haptazi në kundërshtim me ligjin.

Mbase gjyqtarë që kanë dhënë e vijojnë  të japin vendime të tilla si ky i fundit, mendojnë se do t’ia hedhin thjesht duke ikur nga sistemi, por jo! Pas Vetingut është rradha e ndëshkimeve për të gjithë.Dhe ashtu siç nuk mendohej se kupola e korrupsionit në sistemin e drejtësisë do të shembej e ja ku po shembet, ashtu do të ndodhë më herët se vonë, me daljen e të pandëshkuarve të çdo lloji e niveli përpara ligjit”.

Ministria e Brendshme thotë se janë konstatuar 18 raste të Gjykatave të Vlorës, Elbasanit, Lezhës, Tiranës, Korçës e Shkodrës që kanë dhënë vendime abuzive si arrest shtepie, detyrim paraqitje apo lirim të menjëhershëm nga salla e gjyqit të arrestuar për armëmbajtje pa leje, për tentativë grabitje me armë apo duke thyer masën e sigurisë dhe duke qarkulluar me armë në qytet.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne