Qeveria dështoi të mbushë arkën me akcizën e ‘holluesit’ të Bankers

Në vitin 2013, qeveria e koalicionit PS-LSI u hodh në sulm kundër Bankers Petroleum, duke e akuzuar se regjimi i importimit të holluesit pa akcizë për operacionet hidrokarbure qe kthyer në një skemë kontrabande dhe evazioni. Një vendim gjykate dhe një paqartësi ligjore katër vjet më vonë kanë lënë qeverinë pa të ardhura nga holluesi dhe kanë krijuar efektivisht një monopol për prodhuesin vendës të solarit, rafinerinë e Ballshit.

Katër vjet më parë, qeveria e re e sapoardhur në pushtet e kryeministrit Edi Rama ndryshoi ligjin “Për Akcizat” me synimin për të taksuar me akcizë një sasi karburanti gjysmë të gatshëm të quajtur “hollues”, të cilin kompanitë e nxjerrjes së naftës, para së gjithash, Bankers Petroleum, e përdorin si tretës për naftën bruto.

Katër vjet më pas, një letërkëmbim i Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave Belinda Ikonomi dhe Ministrisë së Financave, një kopje e të cilit është siguruar nga BIRN, zbulon se qeveria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të marrë asnjë qindarkë nga akciza e diluentit të naftës bruto, pavarësisht se vetëm për vitin 2017 qeveria pati shpresuar të arkëtonte 1.3 miliardë lekë (rreth 9.7 milionë euro), vetëm nga holluesi i përdorur për naftën bruto.

Letërkëmbimi zbulon se Ikonomi iu drejtua Ministrisë së Financave për konsulencë për të pyetur se si duhet të veprohet, pasi vlerësonte se Dogana i kishte duart e lidhura nga një vendim i Gjykatës Administrative të Tiranës. Në dy letra që i përgjigjen shqetësimit të Ikonomit, Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe zëvendësministri Erjon Luçi i kërkojnë drejtoreshës së doganave “të zbatojë ligjin” dhe të vjelë akcizën, por pavarësisht kësaj, akciza vijon të mos mblidhet.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk iu përgjigj kërkesës me email të BIRN për komente mbi situatën. Ndryshe nga Dogana një zyrtar i Bankers Petroleum tha se kompania ka punuar përgjatë viteve të fundit për të reduktuar konsumin e solarit në operacionet e saj dhe se aktualisht përdor një sasi minimale për këtë qëllim.

Leonidha Çobo, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Bankers, ndërsa hodhi poshtë edhe një herë spekulimet e mëhershme për përfshirjen e kompanisë së tij në një skemë evazioni fiskal dhe kontrabande përmes solarit pa akcizë, shpjegoi se sasia e solarit që kjo kompani përdor është ulur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

“Në vitin 2013 solari nevojitej deri në masën 13 për qind të prodhimit për shkak të karakteristikave të naftës së nxjerrë si dhe të infrastrukturës se atëhershme. Përmirësimi i operacioneve tona, investimet në infrastrukturë si dhe prodhimi i disa puseve me naftë më të lehte, kanë mundësuar reduktimin e nevojës për solar në masën 2-3 për qind,” tha Çobo.

“Objektivi i stafit inxhiniero-teknik të Bankers është reduktimi i përdorimit të solarit edhe më tej përmes përmirësimeve të metejshme operacionale, ato infrastrukturore dhe prodhimit nga puse me naftë më të lehtë,” shtoi ai.

Akuza për kontrabandë

Solari është përdorur gjithmonë për përzjerjen e naftës së rëndë shqiptare me qëllim lehtësimin e transportit dhe përpunimit të saj. Si një lëndë e ndërmjetme dhe jo finale konsumi, qeveria shqiptare e pati përjashtuar nga viti 2000 nga akciza solarin, i cili përdoret mes të tjerash edhe si lëndë djegëse për furrat e fabrikave të ndryshme apo për sistemet e ngrohjes qendrore.

Pamundësia për të dalluar solarin nga nafta për automjete bëri që qeveria shqiptare ta hiqte përjashtimin e solarit nga akciza kur kjo lëndë përdorej si naftë për ngrohje apo për fabrika në vitin 2004, duke ruajtur përjashtimin vetëm për rastet e përdorimit në operacionet hidrokarbure. Argumenti është që nxjerrja e naftës nuk mund të taksohet me akcizë, pasi akciza është taksë mbi konsumin e jo të domosdoshëm.

Por gjatë viteve 2011-2013, konsumi i solarit në operacionet hidrokarbure u rrit me shpejtësi, duke arritur në mbi 100 mijë tonë. Në të njëjtën periudhë, importi i taksueshëm i karburanteve ra nga 484 mijë tonë më 2010, në 430 mijë tonë më 2012.

Qe pikërisht kjo arsyeja se pse qeveria ‘Rama 1’ në dhjetor 2013 miratoi ndryshime në ligjin e akcizës dhe urdhëroi taksimin me akcizë të solarit pavarësisht nëse ai përdorej si lëndë e parë në operacionet e nxjerrjes së naftës apo si lëndë për konsum final.

Ndryshimi në ligj i parapriu një fushatë mediatike, ku burime të ndryshme nga qeveria akuzonin se solari importohej pa akcizë dhe shitej në treg nën mbulesën e përdorimit në operacionet e nxjerrjes së naftë.

Dopozita nafte në Patoz Marinzë | Foto nga : Gent Shkullaku/LSA

Qeveria shqiptare shkoi më tutje, kur përmes një vlerësimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe nga Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve, vendosi të mos ia njohë si shpenzim të zbritshëm blerjen e solarit kompanisë Bankers për vitin 2011. Pretendimet e palës shqiptare përfunduan para një paneli ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët e hodhën poshtë dhe vendosën në favor të Bankers me argumentin se qeveria shqiptare nuk kishte zbuluar ndonjë rast kur solari i destinuar për Bankers të jetë përdorur për shitje në treg të hapur.

Pavarësisht kësaj, qeveria vendosi të taksojë solarin me akcizë duke filluar nga 1 prilli i vitit 2014 dhe Bankers ra dakord me qeverinë për një ndryshim në marrëveshjen koncesionare, përmes të cilës, kompanisë u njihet akciza si shpenzim i zbritshëm.

Ligji që u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në dhjetor 2013, shpjegon se produkti speficik i përdorur si hollues i naftës së rëndë të nëntokës shqiptare, i cili deri në atë kohë, importohej pa akcizë nga jashtë vendit, tani e tutje do të duhej të importohej me akcizë.

Në relacionin e ndryshimit në fjalë, Ministria e Financave i shpjegoi deputetëve në atë kohë: ” Arsyet e heqjes së këtij përjashtimi, që ka aktualisht sektori hidrokarbur, janë pjesë e paketës fiskale të vitit 2014 për heqjen e të gjitha lehtësirave tatimore që gëzon ky sektor. Në bazë të të dhënave të administratës tatimore dhe doganore, kjo lehtësi fiskale është përdorur me abuzivizëm nga shoqëritë hidrokarbure, duke importuar lëndë djegëse pa taksa dhe duke i shitur në treg”.

Kontrabanda me lëndë hidrokarbureështë një vepër e rëndë penale. Dyshimet për përdorimin e përjashtimit nga akciza tëkëtij nënprodukti nafte lidheshin me faktin që gjatë viteve 2012 dhe 2013 pati një rritje dramatike të sasisë së solarit të përdorur për “operacione hidrokarbure”. Sipas Ministrisë së Financave në atë kohë, akciza e munguar nga ky përjashtim për vitin 2012 arrinte në 4.7 miliardë lekë ndërsa për vitin 2013 arrinte në mbi 5.3 miliardë lekë.

Shkurt, me heqjen e përjashtimit, qeveria shpresonte të arkëtonte dhjetëramilionë euro në vit shtesë si akcizë solari, duke hequr njëkohësisht incentivën e përzjerjes së naftës së makinave me produktin inferior dhe duke përmirësuar cilësinë e karburanteve në treg.

Në zbatim të ligjit, administrata doganore shqiptare kërkoi akcizë nga dy kompani të nxjerrjes së naftës, Trans Oil Group Sh.a, një kompani e vogël që shfrytëzon burimin e naftës në Visokë të Fierit si dhe Bankers Petroleum, kompanisë kryesore të nxjerrjes së naftës në Shqipëri.

Sipas letërkëmbimit zyrtar mes Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në gusht 2017 [kliko këtu për të parë letërkëmbimin], doganat nuk kanë arritur të mbledhin asnjë lek akcizë nga solari për shkak se aktet e tyre të para administrative të vitit 2014 u bllokuan në gjykata dhe doganat nuk kanë ditur se si duhet të veprojnë për periudhën pas vitit 2014, përfshirë vitin 2015, 2016 e 2017.

Një vendim i Gjykatës Administrative Tiranë në dhjetor 2014 duket se i çoroditi doganat shqiptare si dhe vetë Ministrinë e Financave, duke krijuar një situatë kur për solarin e përdorur në operacionet hidrokarbure nuk paguhet akcizë në rast se kjo lëndë sigurohet nga rafineria e Ballshit ndërkohë që në rast se vjen nga importi, ajo taksohet njësoj si produktet e tjera hidrokarbure.

Kjo situatë mbart kosto negative prej dhjetëramiliona eurosh për buxhetin e shtetit nga njëra anë, ndërsa lë të hapur një kanal që vetë qeveria aktuale dyshon se përdoret për kontrabandë në shkallë të gjerë në dëm të buxhetit dhe të konsumatorëve, të cilët supozohet se konsumojnë naftë me cilësi të keqe dhe me kosto të lartë për automjetet, mjedisin dhe shëndetin.

Sulmi i doganave

Fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinëz, Fier. Foto: Bevis Fusha/Bankers. Prill 2014

Të armatosur me ligjin e ri, administrata doganore shqiptare mësyu aktivitetin e Bankers Petroleum në vitin 2014, duke kërkuar pagesën e akcizës për solarin e përdorur. Vendimi nr. 7810 i Gjykatës Administrative të Tiranës zbardh ngjarjen hap pas hapi. [Link vendimi i gjykatës].

Sipas vendimit, Bankers Petroleum pyeti fillimisht Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave se cili qe regjimi fiskal i solarit të prodhuar në tregun e brendshëm, pasi ligji për akcizën shfuqizoi përjashtimin e mëparshëm, i cili fliste në mënyrë specifike për solarin e importuar. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave iu përgjigj Bankersit në qershor 2014 se pavarësisht nëse solari qe nga importi apo nga tregu i brendshëm, për të duhej të paguhej akcizë.

Duke reflektuar këtë pozicion, më 23 shtator 2014, Sektori i Akcizës pranë Degës së Doganës Fier, mbajti një procesverbal konstatimi në të cilën thuhet se kompania Bankers, nga data 1 prill 2014 deri në atë datë, “ka shmangur detyrimin e pagesës së akcizës për furnizimin me produktin solar (gjysmë produkt) hollues…”

Po në të njëjtën datë, doganat nxjerrin një vendim për shpalljen e borxhit për akcizën e papaguar. Kompania duhej t’i përgjigjej pretendimeve të doganave brenda pesë ditëve, por sipas vendimit të gjykatës, doganat nuk pritën përfundimin e afatit dhe e shpallën Bankers menjëherë debitor për 590 milionë lekë akcizë të papaguar.

Bankers iu drejtua Gjykatës Administrative me pretendimin se Doganat e kanë keqinterpretuar ligjin për Akcizën kur e kanë konsideruar Bankersin si përdorues final të solarit të përdorur si përzierës për naftën bruto. Sipas avokatëve të kompanisë, “produkti energjetik bëhet objekt akcize në rastin kur ai përdoret për djegie ose si karburant për motorë”, dhe jo kur përdoret si hollues për një sasi nafte bruto, e cila, duhet të rafinohet para se të bëhet naftë e vlefshme për konsum final.

Megjithëse relacioni i ndryshimit të ligjit të Akcizës në vitin 2013 thotë qartazi [link relacioni] se synimi i ndryshimit është taksimi i solarit të përdorur në operacionet e nxjerrjes së hidrokarbureve, avokatët e Bankersit arritën të argumentojnë me sukses para gjykatës se Doganat e kanë interpretuar gabimisht këtë ligj dispozita e shfuqizuar “ka fushë tjetër zbatim, pra nuk rregullon rastin e përdorimit të holluesit” nga Bankers.

Avokatura e Shtetit argumentoi para gjykatës se përderisa parlamenti kishte anuluar përjashtimin nga akciza të solarit të importit, dhe ligji i akcizës nuk mbart ndonjë përjashtim specifik të solarit të prodhuar në vend nga akciza, atëherë është e logjikshme që Bankersit i lind detyrimi të paguajë akcizë për këtë solar.

Gjykata Administrative e Tiranës e pranoi pretendimin e Bankers dhe hodhi poshtë argumentet e Avokaturës së Shtetit. Sipas gjykatës, ligji “Për Akcizat” e bën të qartë se Akciza është një taksë që zbatohet për një lëndë energjetike që ka për destinacion konsumin për motorë ose konsumin si lëndë djegëse. Heqja e përjashtimit të solarit të importuar nga akciza me synimin eksplicit të qeverisë, të shprehur në relacionin e ndryshimit ligjor, për të taksuar “solarin e përdorur në operacionet hidrokarbure”, gjykata gjykoi se një synim i tillë i pashprehur në ligj por në relacion, nuk vlen për të zhbërë konceptet bazë të ligjit për Akcizën, i cili thotë se kjo taksë zbatohet për lëndën djegëse për konsum në motor ose për djegie, ndërkohë që Bankers e përdor atë si tretës për naftën bruto dhe në këtë kuptim, nuk e djeg për konsum.

“Pretendim i DPD-së se detyrimi për pagimin e akcizës për produkte energjetike të përdorura si hollues për t’u trupëzuar më tej në naftën bruto prodhuar nga Paditësi, është i lidhur me ndryshimet si pasojë e Ligjit 180/2013 është i pabazuar, për shkak se jo vetëm që dispozita e shfuqizuar (përjashtimi i akcizës për nënproduktet e naftës së importuar) ka tjetër fushë zbatimi, pra nuk rregullon rastin e përdorimit të holluesit nga BPAL, por mbi të gjitha përderisa nuk e ka rregulluar më parë këtë marrëdhënie, nuk mund ta cenojë tani pas shfuqizimit, përderisa nuk bëhet fjalë për produkt importi, por i siguruar në vend,” shkroi Gjykata në vendim. Ndonëse relacioni i ndryshimit në fjalë thotë ” kjo lehtësi fiskale është përdorur me abuzivizëm nga shoqëritë hidrokarbure, duke importuar lëndë djegëse pa taksa dhe duke i shitur në treg”, gjykata konkludon se kjo nuk e ndryshon thelbin e ligjit të akcizës, atë që akciza lind si detyrim për një lëndë energjetike të konsumuar.

“Në çastin që holluesi është trupëzuar me naftën bruto, ky është një produkt i vetëm dhe holluesi nuk është konsumuar, ndaj nuk ka se çfarë akcize të zbatohet ndaj tij”, thuhet në vendim. “Nga Gjykimi rezultoi se Holluesi objekt konflikti nuk është produkt i konsumi,” shkruhet më tej në vendim. Gjykata konkludoi gjithashtu se në rast se Bankers do të paguante akcizë për solarin e trupëzuar në naftën bruto, ky do të qe një rast i taksimit të dyfishtë, pasi supozohet se solari i tretur te nafta bruto do t’i nënshtrohet sërish taksimit pasi të dërgohet në rafineri për përpunim dhe të nxirret në treg si produkt i gatshëm.

Financat vijojnë të kërkojnë paratë

Pavarësisht dështimit në vitin 2014 dhe vendimit gjyqësor që e konsideron taksimin e solarit për hollues si të papërputhshëm me ligjin Për Akcizat, Ministria e Financave ka vijuar të kërkojë pa sukses arkëtimin e akcizës për të.

“DPD nga viti 2014 deri më 1 qershor 2017, nuk ka proceduar me vjeljen e taksës së akcizës për holluesin që përdor Shoqëria “Bankers Petroleum Albania” oër shkak të vendimit gjyqësor”, shkruan Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Belinda Ikonomi në një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave më 25 gusht 2017.

“Të ndodhur përpara një situate të tillë, ku edhe shuma që duhet arkëtuar nga shoqëria “Bankers Petroleum Albania” zë një peshë të rëndësishme në buxhetin e vitit 2017, lutemi qëndrimin Tuaj dhe na udhëzoni për procedurën e mëtejshme që duhet të ndërmarrim”, vijon më tej letra e Ikonomit.

Letrës së saj iu përgjigj pesë ditë më pas zëvendës Ministri i Financave Erjon Luçi: Sipas tij, ligji nuk njeh përjashtim për produktin solar që përdoret si hollues në proceset e nxjerrjes së naftës bruto, e për rrjedhojë, duhet të merren masa për zbatimin e ligjit.

Ky nuk qe komunikimi i vetëm mes DPD dhe Ministrisë së Financave për të njëjtën çështje. Në një letër të 11 nëntorit 2016, Ministri i Financave Arben Ahmetaj i kërkon Ikonomit “të zbatojë ligjin”, duke i rikujtuar se në buxhetin e vitit 2017, vetëm për holluesin e naftës bruto është parashikuar shtesë në planin e të ardhurave prej 1.3 miliardë lekësh.

Pavarësisht kësaj, doganat nuk kanë arritur ende të marrin ndonjë lek akcizë nga Bankers. Kompania ka arritur të shmangë përdorimin e solarit me akcizë duke mos blerë solar importi por duke përdorur vetëm solar pa akcizë të prodhuar nga rafineria e Ballshit. Solari i importit ka cilësi më të lartë se ai vendës, por për shkak se importi taksohet me akcizë, prodhimi vendës pa akcizë arrin të konkurrojë.

Aktualisht doganat kanë kërkuar të arkëtojnë akcizë edhe për solarin e përdorur nga kompania tjetër e nxjerrjes së naftës, TransOil. Në janar 2017, doganat konstatuan 2.1 milionë kilogramë solar të përdorur si tretës nga kjo kompani për naftën e nxjerrë nga vendburimi i Visokës pranë Ballshit. Doganat i kërkojnë kësaj kompanie 80 milionë lekë akcizë të papaguar dhe 241 milionë lekë gjobë.

Ndërkohë, prodhuesi vendës i solarit gjendet efektivisht në një pozicion monopol, pasi solari i importit i nënshtrohet akcizës ndërsa ai i prodhuar në vend po përdoret si hollues në naftën e nxjerrë në vend.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne