Qeveria tha se do i mbyllte, aktualisht kompanitë e kumarit paguajnë më pak taksa se sa 4 vjet më parë

Edhe pse është zgjeruar me ritme të frikshme industria e kumarit po paguan gjithmonë e më pak taksa në buxhetin e shtetit. Top Channel publikon të dhënat e siguruara nga Tatimet, të cilat tregojnë se aktualisht kompanitë e kumarit paguajnë më pak taksa se sa 4 vjet më parë.

Sipas të dhënave, në vitin 2014, bizneset e bixhozit paguan 5.35 miliardë lekë ose mbi 42 milionë euro taksa. Por në dy vitet më pas, taksat e mbledhura nga kompanitë e kumarit ranë me 16 për qind duke zbritur në 4.52 miliardë lekë.

Kjo do të thotë se ne vitin 2016, kompanitë e lojërave të fatit paguan 830 milionë lekë ose 6.5 milionë euro më pak taksa se sa në 2014-ën. Edhe pse te ardhurat u rriten disi vitin e kaluar, ato sërish janë më pak se katër vite më parë.

Në fund të vitit 2013, qeveria nisi një aksion policor të quajtur fundi i marrëzisë për të disiplinuar tregun informal të kumarit. Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Tatimet raportuan se gjatë aksionit u mbyllën mbi 1 mijë pika të paligjshme të lojërave të fatit në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Mbyllja e pikave të paligjshme minimalisht duhet të kishte sjellë më shumë para në arkën e shtetit. Por të dhënat tregojnë se ka ndodhur e kundërta. Qeveria mbledh më pak taksa edhe pse industria e kumarit zgjerohet.

Sipas të dhënave zyrtare nga QKR, në vitin 2016 shqiptarët lanë 15.5 miliardë lekë në baste dhe kazino. Kjo shifër është më e madhe se 1 për qind e prodhimit kombëtar, para të cilat ushqejnë një industri vesi që ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë me mijëra familje.

Ky është edhe rezultati i aksionit fundi i marrëzisë. Më shumë marrëzi dhe më pak taksa në buxhet.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne