Të përndjekurit kanë qenë shpesh qytetaria shembull për të tjerët sa regjimi i luftoi edhe për shkak të idealizmit që manifestonin natyrshëm.

Ky është një rast i tillë : kur ishte ministër i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj i dha dëmshpërblimin për vitet e kaluara në burg gjatë regjimit komunist, ndërsa sot si kryetar i Bashkisë së Tiranës i dorëzoi medaljen e “Mirënjohjes së qytetit”.

Me ndryshimin e ligjit në 2014-n iu dha prioritet ish të dënuarve që ishin gjallë për të marrë dëmshpërblimin. Por paratë e marra, 90-vjeçari Thanas Dhespo i investoi për pallatin e tij në kryeqytet.

“Kjo është medalja e qytetit që Bashkia e Tiranës u jep qytetarëve të nderuar të saj. Unë doja të ta jepja personalisht e të të falenderoja në emër të të gjithë qytetit. Është e vërtetë se ti ke ndihmuar vetëm shkallën tënde, por ama frymëzimi vlen për të gjithë qytetin”, tha Veliaj teksa i dorëzoi medaljen e mirënjohjes.

Me paratë që përfitoi nga dëmshpërblimi, 90-vjeçari nuk rikonstruktoi vetëm shtëpinë e tij, por edhe hyrjen dhe shkallët e pallatit për banorët e tjerë.

“Mesazhi i Thanasit është ky: Të jetojmë në mënyrë të qytetëruar edhe jashtë banesave tona. Nuk ka nevojë që të marrim shembull nga ambientalistët jashtë vendit, nënat tona, thotë Thanasi, dhe gjyshet tona, ujisnin lulet e pastaj merreshin me punët e shtëpisë. Edhe na tha se do të bëjë një investim. Për t’u martuar, jemi martuar vonë, ndaj thamë ta bëjmë dhe e realizuam për tre muaj. Ishte dallëndyshja e parë që të jetojmë edhe në ambientet jashtë shtëpisë sonë në mënyrë të kultivuar. Të ecim të sigurt, në ambiente të pastra. Kjo ishte dëshira e Thanasit dhe unë ia plotësova”, thotë Gruaja e Thanasit.

Thanas Dhespo bëri 16 vite burg. Por kjo sipas, Veliajt i dha forcë që të kthehej në qytetar model.

“Unë shpresoj shumë që edhe më të rinjtë të frymëzohen nga shembulli yt dhe të kuptojnë se vuajtjet nuk e bëjnë më të keq njeriun, por më të mirë, dhe se pavarësisht vuajtjeve njeriu nuk e humb shpresën te humanizmi i njerëzimit. Shpesh herë pyes veten: A kanë duk gjërat, a ka njerëz të kulturuar që kujdesen për qytetin. Por, kolegët më thanë ja tek e kemi një rast, i cili paratë e burgut i ka investuar për komunitetin. Në ministri jam marrë me dëmshpërblimet dhe kur më thanë se të gjitha lekët e burgut i kishe investuar për pallatin tënd, thashë: Ka shpresë. Ky ka qenë ndoshta inkurajimi më i madh që mund të kem marrë në këto dy vjet”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

18