Qyteti i hijeve

 

Roberto Bolaño

E vdekura që pasoi quhej Penelope Mendes Beserra. Ishte njëmbëdhjetë vjeçe. E ëma punonte në makiladorën [1] Interzone-Berny. Edhe motra e madhe, gjashtëmbëdhjetë vjeçe, ishte e punësuar në Interzone-Berny. Vëllai që vinte mbas kësaj, pesëmbëdhjetë vjeçar, ishte shpërndarës dhe korrier në një furrë buke jo shumë larg rrugës Industrial, ku edhe banonin, në lagjen Colonia Veracruz. Ajo ishte më e vogla dhe e vetmja që shkonte në shkollë. I ati kishte ikur nga shtëpia qysh para shtatë vjetësh. Asokohe banonin të gjithë së bashku në lagjen Colonia Morelos, shumë pranë parkut industrial Arsenio Farrell, në një shtëpi që e kish ndërtuar vetë babai, me kartona dhe me ndonjë tullë vende-vende dhe me copa zinku, ndanë një hendeku të madh që patën hapur dy nga ndërmarrjet makiladora për të bërë një kanalizim shkarkimi, por që nuk u bë kurrë. Si babai, ashtu edhe nëna ishin nga shteti i Hidalgos, në pjesën qendrore të republikës, dhe të dy patën mërguar në veri më 1985, për të kërkuar punë. Po një ditë prej ditësh babai gjykoi se, me aq sa fitonte në makiladora, nuk i përmirësonte dot kushtet e familjes, dhe vendosi të kalonte kufirin. U nis bashkë me nëntë të tjerë, të gjithë nga shteti i Oaksakës. Njëri prej tyre e kishte bërë atë rrugë tre herë dhe thoshte se dinte si t’u shmangej rojeve migra,[2] ndërsa për të tjerët kjo ishte orvatja e parë. Pojeroja që i nxori matanë u tha që të mos bëheshin merak dhe që, nëse për dreq do t’i ndalnin, të dorëzoheshin pa bërë asnjë kundërshtim. Babai i Penelope Mendesit i harxhoi në atë udhëtim të gjitha kursimet. Kish premtuar se do t’u shkruante me të sosur në Kaliforni. Kishte në plan që ta tërhiqte familjen brenda më pak se një viti. Nuk morën vesh më asgjë për të. Nëna mendoi se ndoshta ai jetonte me një grua tjetër, me ndonjë amerikane ose me ndonjë meksikane, dhe se ishte në gjendje të mirë. Mendoi gjithashtu, sidomos muajt e parë, se kish vdekur në shkretëtirë, natën, vetëm, duke dëgjuar ulërimat e kojoteve dhe duke kujtuar fëmijët e vet, ose në ndonjë rrugë qyteti amerikan, i shtypur nga ndonjë makinë që pastaj qe zhdukur me shpejtësi, por këto lloj mendimesh e paralizonin (ishin mendime ku të gjithë flisnin një gjuhë tjetër, madje edhe i shoqi, një gjuhë të pakuptueshme) dhe vendosi të mos i kishte më. Për më tepër, po të kish vdekur, përsiatej, dikush do kish njoftuar, apo jo? Sidoqoftë, në shtëpi kishte aq shumë halle sa nuk mund të rrinte duke hamendësuar vazhdimisht fatin e të shoqit. Dhe e pati të vështirë ta mbante familjen. Mirëpo, ngaqë ishte grua e gjindshme dhe e matur, me një natyrë optimiste dhe, për më tepër, dinte të dëgjonte, nuk i munguan miqtë. Sidomos të gjitha ato gra të cilave historia e saj nuk iu dukej e çuditshme dhe as e veçantë, por diçka e zakonshme. Njëra prej këtyre mikeshave ia gjeti punën në Interzone-Berny. Në fillim bënte tërë atë rrugë më këmbë, nga banesa pranë hendekut gjer në punë. Me fëmijët merrej motra e madhe. Kjo quhej Livia dhe një pasdite një komshi i dehur deshi ta përdhunonte. Kur u kthye e ëma nga puna, Livia i tregoi ç’kishte ndodhur dhe ajo shkoi te komshiu me një thikë në xhepin e përparëses. Foli me të dhe foli me gruan e tij dhe pastaj foli prapë me të: lutju Virgjëreshës që të mos i ndodhë gjë sime bije, i tha, sepse, çfarëdo që t’i ndodhë, ty do të ta hedh fajin dhe me këtë thikë do të të vras. Komshiu i tha se tashetutje gjithçka do ishte ndryshe. Por tashmë ajo nuk u zinte besë fjalëve të burrave dhe punoi fort dhe bëri orë shtesë dhe arriti madje t’u shiste sanduiçe shoqeve të punës, në orarin e ngrënies, gjersa mblodhi para të mjaftueshme për të marrë me qira një shtëpi të vogël në lagjen Colonia Veracruz, që ishte më larg vendit të punës nga sa kishte qenë ajo e hendekut, po ishte një shtëpi e vërtetë, me dy dhomë gjumi, me mure ndarës për së mbari, me një derë që mund të kyçej. Nuk e çante kryet pse duhej të ecte njëzet minuta më shumë çdo mëngjes. Përkundrazi, i bënte me këngë në gojë. Nuk e çante kryet pse kalonte net pa gjumë, duke punuar dy turne njëri pas tjetrit, ose që të rrinte në kuzhinë gjer në dy të natës, duke përgatitur sanduiçe shumë pikante për shoqet e saj të punës që t’i hanin të nesërmen, kur do nisej për në fabrikë në ora gjashtë. Përkundrazi, mundimi fizik i jepte më shumë fuqi, rraskapitja shndërrohej në gjallëri e në hijeshi, ditët qenë të gjata, shumë të ngadalta, dhe bota (vështruar si një mbytje anijeje pa mbarim) i tregonte fytyrën më të hareshme dhe e bënte të ndërgjegjësohej se edhe e saja, natyrisht, qe e atillë. Kur u bë pesëmbëdhjetë vjeçe, vajza e madhe filloi të punonte. Rruga gjer në fabrikë, që vazhduan ta bënin më këmbë, erdh e u shkurtua nga bisedat dhe të qeshurat. I biri e la shkollën në moshën katërmbëdhjetë vjeç. Punoi disa muaj në Interzone-Berny, po mbas një sërë paralajmërimesh e hoqën ngase nuk punonte shpejt. Duart e djaloshit qenë tepër të mëdha e tepër të ngathëta. Atëherë e ëma i gjeti punë në një furrë buke të lagjes. Në shkollë shkonte vetëm Penelope Mendes Beserra. Shkolla e saj quhej Shkolla Fillore Aquiles Serdán dhe ndodhej në rrugën Aquiles Serdán. Aty kishte fëmijë të lagjeve Carranza dhe Veracruz dhe Morelos, madje kishte edhe ndonjë fëmijë nga qendra e qytetit. Penelope Mendes Beserra ishte në klasën e pestë. Ishte vajzë e heshtur, po gjithmonë merrte nota të mira. Flokët i kishte të zinj, shumë të gjatë dhe të lëmuar. Një ditë prej ditësh doli nga shkolla dhe nuk u pa më. Po atë pasdite, nëna mori leje në Interzone për të shkuar në komisariatin nr. 2 që të njoftonte zhdukjen. E shoqëroi i biri. Në komisariat mbajtën shënim emrin dhe i thanë se duhej të priste që të kalonin disa ditë. Motra e madhe, Livia, nuk mundi të shkonte ngase në Interzone gjykuan se leja e nënës qe e mjaftueshme. Të nesërmen, Penelope Mendes Beserra vazhdonte të ishte e zhdukur. Nëna bashkë me dy fëmijët shkuan prapë dhe kërkuan të dinin mos kishte ndonjë të re. Polici që i priti prapa një tryeze i tha që të mos fyente. Në komisariat ndodhej edhe drejtori i shkollës Aquiles Serdán bashkë me tre mësues, të interesuar për fatin e Penelopes, dhe ishin ata që e larguan familjen s’andejmi para se t’i vihej gjobë për prishje të rendit publik. Të nesërmen, vëllai foli me disa shoqe klase të Penelopes. Njëra i tha se, me sa dinte, Penelope kish hyrë në një makinë me xhama të errët dhe s’kishte dalë më. Nga përshkrimi, dukej se ishte një Peregrino ose një MasterRoad. Vëllai dhe mësuesja e Penelopes folën gjatë me këtë nxënëse, po e vetmja gjë e qartë që nxorën ishte se kish qenë një veturë e shtrenjtë dhe e zezë. Tre ditë me radhë, vëllai përshkoi Santa Teresën në një ecje rraskapitëse në kërkim të një veture të zezë. Pa shumë të tilla, madje disa kishin xhama të errët dhe shndrisnin sikur sapo kishin dalë nga fabrika, mirëpo ata që kishin hipur në to s’kishin fytyra rrëmbyesish ose ishin çifte të rinj (lumturia e të cilëve e bënte për të qarë vëllanë e Penelopes) ose ishin femra. Gjithsesi, ai mbante shënim targat. Netëve, familja mblidhej në shtëpi të vet dhe flisnin për Penelopen me fjalë që s’kishin asnjë kuptim ose me një kuptim të mbramë që mund ta rroknin vetëm ata. Mbas një jave u shfaq kufoma e saj. E gjetën ca punëtorë bashkiakë të mirëmbajtjes në një tub shkarkimi që përshkonte qytetin nën dhe, nga Colonia San Damián gjer te lugina Syri i Vogël, në afërsi të xhadesë për në Casas Negras, dhe që kalonte përmes depozitës klandestine të plehrave El Çile. Trupi iu dërgua menjëherë ekspertit mjekoligjor, që përcaktoi se ishte përdhunuar në rrugë anale dhe vaginale, me shqyerje të shumta në të dy vrimat, dhe pastaj e kishin mbytur. Mbas një autopsie të dytë, u përcaktua se Penelope Mendes Beserra kish vdekur për shkak të një pushimi zemre në kohën që u nënshtrohej abuzimeve të lartpërmendura.

***

Në dhjetor, dhe këto ishin vdekjet e mbrame të vitit 1996, u gjetën brenda një shtëpie bosh të rrugës García Herrero, në Colonia El Cerezal, trupi i Estefania Rivasit, pesëmbëdhjetë vjeçe, dhe ai i Erminia Noriegës, trembëdhjetë. Ishin motra nga nëna. Babai i Estefanisë qe zhdukur pak kohë pasi kish lindur ajo. Babai i Erminies jetonte me familjen dhe punonte si roje nate në makiladorën MachenCorp, ku edhe nëna e vajzave ishte në bordero, si punëtore, ndërsa vajzat vetëm shkonin në shkollë dhe ndihmonin për punët shtëpiake, ndonëse Estefania kishte menduar, për vitin e ardhshëm, ta linte shkollën dhe të hynte në punë. Mëngjesin kur i rrëmbyen po venin të dyja në shkollë, bashkë me dy motra më të vogla, njëra njëmbëdhjetë dhe tjetra tetë vjeçe. Dy të voglat, ashtu si Erminia, shkonin në Shkollën Fillore José Vasconcelos. Pasi i linte aty, Estefania, si përherë, nisej për në shkollën e vet, si ndonja pesëmbëdhjetë rrugë më tutje, largësi që e përshkonte më këmbë çdo ditë. Ndërkaq, ditën e rrëmbimit, pranë katër motrave u ndal një makinë dhe doli një burrë që e futi Estefaninë brenda në makinë me të shtyra dhe pastaj doli prapë dhe futi në makinë Erminien dhe pastaj makina u zhduk. Dy të voglat mbetën të ngrira në trotuar dhe pastaj u kthyen më këmbë në shtëpi, ku s’kish njeri, kështu që trokitën në derën e shtëpisë fqinje, ku e treguan këtë histori dhe, më së fundi, ia shkrepën të qarit. Gruaja që i priti, një punëtore e makiladorës HorizonW&E, shkoi të thërriste një komshije tjetër dhe pastaj telefonoi në makiladorën MachenCorp duke u përpjekur të gjente prindërit e vajzave. Në MachenCorp e njoftuan se telefonatat private ishin të ndaluara dhe ia mbyllën. Gruaja telefonoi prapë dhe tha emrin dhe postin e babait, sepse mendoi që nëna, ngaqë ishte punëtore si ajo vetë, padyshim që shikohej si e një rangu më të ulët, çka donte të thoshte se mund të hiqej qafe në çdo çast për çfarëdolloj arsyeje ose trilli të arsyes, dhe këtë herë centralistja e mbajti në pritje aq sa t’i mbaroheshin monedhat dhe telefonata u ndërpre. S’kishte më para. E pikëlluar, komshija u kthye në shtëpi të vet, ku po e priste komshija tjetër bashkë me vajzat dhe një copë herë që të katra përjetuan diçka si të gjendeshe në purgator, një pritje e gjatë dhe e dëshpëruar, një pritje shtylla kurrizore e së cilës ishte të qenët i shpërfillur, diçka, më anë tjetër, shumë latinoamerikane, një ndjesi shumë e njohur, diçka që, hollë-hollë, e përjetoje çdo ditë, veçse pa ankth, pa atë hije vdekjeje që fluturon mbi lagjen tënde si një tufë zopilotesh dhe që rëndon përmbi gjithçka, që pështjellon çdo rutinë, duke i kthyer të gjitha gjërat përmbys. Kështu, tek po prisnin që të vinte babai i vajzave, komshija mendoi (për të vrarë kohën dhe frikën) se do kishte dashur të kishte një kobure dhe të dilte në rrugë. Po pastaj, çfarë? Epo, të shtinte disa herë në hava që të shfrynte dufin dhe të bërtiste viva México për t’i dhënë zemër vetes dhe për të ndier një valë të mbrame ngrohtësie dhe pastaj të hapte me duar, me një shpejtësi marramendëse, një gropë në rrugën prej dheu të rrahur dhe ta varroste veten mu aty, qullur gjer në palcë, në jetë të jetëve. Kur më së fundi erdhi babai, shkuan të gjithë së bashku në komisariatin më të afërt. Aty, pasi e parashtruan përmbledhtazi (ose rrëmujshëm) problemin e tyre, i mbajtën duke pritur më se një orë, gjersa erdhën dy inspektorët. Inspektorët përsëritën të njëjtat pyetje dhe u bënë edhe disa të tjera, sidomos në lidhje me makinën ku kishin hipur Estefania dhe Erminia. Mbas njëçike, në zyrën ku po merreshin në pyetje vajzat u bënë katër inspektorë. Njëri syresh, që dukej njeri i mirë, i kërkoi komshijes që të shkonte me ta dhe i çoi vajzat në garazhin e komisariatit, ku i pyeti cila prej makinave, nga ato që ishin të parkuara aty, i ngjante më shumë asaj që kishte marrë motrat e tyre. Nisur nga të dhënat që dhanë vajzat, inspektori tha se duhej kërkuar një Peregrino ose një Arquero e zezë. Në ora pesë të pasdites, në komisariat ia behu nëna. Njëra nga komshijet kishte ikur, ndërsa tjetra nuk pushonte së qari duke ledhatuar më të voglën. Në ora tetë të mbrëmjes mbërriti Ortis Rebojedo dhe vuri në kërkim dy grupe operative, njëri me detyrën për të hetuar personat e afërm të vajzave, nën drejtimin e inspektorëve Huan de Dios Martines dhe Lino Rivera, tjetri me detyrën për të gjetur, me mbështetjen e policisë bashkiake, veturën Peregrino ose Arquero ose Lincoln për të cilën thuhej se i patën rrëmbyer, i koordinuar nga inspektorët Anhel Fernandes dhe Efrain Bustelo. Huan de Dios Martinesi e shprehu hapur kundërshtimin e tij për këtë qasje hetimore, sepse, për mendimin e tij, dy grupet operative duhej t’i bashkonin përpjekjet për të gjetur makinën e rrëmbimit. Si arsye kryesore solli faktin se pak njerëz, për të mos thënë asnjë, nga rrethi i miqve, i të njohurve dhe i shokëve të punës të familjes Noriega, kishte makinë, e aq më pak një Peregrino të zezë apo një Chevy Astra të zezë, teksa pothuaj të gjithë i përkisnin klasës së këmbësorëve, madje disa prej tyre ishin aq të varfër sa kur shkonin në punë s’hipnin as në autobus, duke parapëlqyer ta bënin rrugën më këmbë dhe të kursenin kësisoj ndonjë monedhë. Përgjigjja e Ortis Rebojedos qe e prerë: kushdo mund të vidhte një Peregrino, kushdo mund të vidhte një Arquero ose një Bocho ose një Jetta, s’ishte nevoja të kishe para ose patentë, mjaftonte të dije të hapje një makinë dhe ta nisje. Kështu që ndërtimi i grupeve operative mbeti ai që caktoi Ortis Rebojedo, ndërsa policët, me një shprehje lodhjeje, si ushtarë të kapur në një continuum kohor që i çon sërish e sërish në të njëjtën disfatë, iu futën punës. […] Mbas tre ditësh, Huan de Dios Martinesi mori vesh se grupi operativ i ngarkuar me gjetjen e veturës së zezë që ishte përdorur në rrëmbim qe shkrirë. Kur shkoi t’i kërkonte shpjegime Ortis Rebojedos, ky iu përgjigj se kishte ardhur një urdhër nga lart. Me sa dukej, policët kishin bezdisur ndoca peshq të mëdhenj, bijtë e të cilëve, juniorët e Santa Teresës, kishin në zotërim thuajse krejt flotën e veturave Peregrino të qytetit (veturë në modë ndër të rinjtë e kamur, sikurse edhe vetura Arcángel dhe vetura e hapur Desertwind), dhe ata kishin folur me organet kompetente që policia të mos u mërziste bythën. Katër ditë më pas, një telefonatë anonime njoftoi policinë për ca të shtëna në një shtëpi të rrugës García Herrero. Patrulla u gjend aty mbas gjysmë ore. I ranë ziles disa herë dhe askush s’u përgjigj. Kur u pyetën komshinjtë, thanë se s’kishin dëgjuar gjë, ndonëse kjo shurdhëri e papritur mund të ishte shkaktuar nga volumi i televizorëve, që ishte aq i lartë sa mund të dëgjohej edhe nga rruga. Por një fëmijë tha se, tek po shëtiste me biçikletë, kishte dëgjuar të shtëna. Kur u pyetën komshinjtë se kush banonte në atë shtëpi, dhanë përgjigje kundërthënëse, për çka policët e patrullës menduan se mund të ishte fjala për narkotrafikantë dhe se ndoshta e mira do ishte të iknin dhe të mos e ngacmonin më këtë punë. Ndërkaq, njëri nga komshinjtë tha se kishte parë një Peregrino të zezë të ndalur afër shtëpisë. Atëherë policët nxorën armët dhe i ranë prapë ziles së shtëpisë së rrugës García Herrero nr. 677, me të njëjtin përfundim. […] I pari u fut Huan de Dios Martinesi. Shtëpia vinte era spermë dhe alkool, tha. Çfarë ere kanë sperma dhe alkooli? Epo, të keqe, tha Huan de Dios Martinesi, kanë vërtet një erë të keqe. Po pastaj mësohesh. Nuk di çfarë ere ka mishi që kalbëzohet, me të nuk mësohesh kurrë dhe të futet brenda në kokë, madje brenda mendimeve, dhe, sado të bësh dush e të ndërrohesh tre herë në ditë, vazhdon të qelbesh ditë me radhë, ndonjëherë edhe javë të tëra, ndonjëherë edhe muaj të tërë. […] Dy dhoma fjetjeje. Në njërën prej tyre, shtrirë në shtrat, barkas, kufoma lakuriqe e Erminies. Ah, punë muti, dëgjoi Huan de Diosi shokun e tij të pëshpëriste. Në banjo, kruspull nën dush, me duart lidhur prapa, kufoma e Estefanisë. Rri në korridor. Mos hyr, tha Huan de Diosi. Ai vetë hyri në banjo. Hyri dhe u përgjunj pranë trupit të Estefanisë dhe e këqyri një copë herë të mirë, gjersa e humbi nocionin e kohës. Nga prapa dëgjoi zërin e Linos që fliste me radio. Të vijë eksperti, tha Huan de Diosi. Sipas ekspertit mjekoligjor, Estefania ishte vrarë me dy plumba në rrëzë të veshit. Më përpara ishte rrahur dhe kishte shenja shtrëngimi në fyt. Po nuk ka vdekur nga mbytja, tha eksperti mjekoligjor. Kanë luajtur me të sikur po e mbytnin. Te kyçet e këmbëve kishte shenja të qarta rrjepjeje. Unë do thosha se e kanë varur për këmbësh, tha eksperti mjekoligjor. Huan de Diosi kërkoi për ndonjë tra ose ndonjë gremç në tavan. Shtëpia ishte mbushur me policë. Dikush e kishte mbuluar Erminien me një çarçaf. Në dhomën tjetër e gjeti: një çengel hekuri mbërthyer në tavan, mu midis dy shtretërve. Mbylli sytë dhe përfytyroi Estefaninë varur kokëposhtë. Thirri dy policë dhe u dha urdhër të kërkonin litarin. Ekpserti mjekoligjor ishte në dhomën e Erminies. Edhe këtë e paskan qëlluar në rrëzë të veshit, i tha kur e pa që e kishte pranë, po nuk besoj që të ketë qenë shkaku i vdekjes. Po atëherë, pse ta kenë qëlluar, pyeti Huan de Diosi. Që të siguroheshin. […] Shtëpia ku i gjetën kufomat qenkësh pronë e një plake që nuk merrte vesh gjë prej gjëje se ç’bëhej, një zonjë e moshuar nga shoqëria e lartë e Santa Teresës, e cila jetonte me qiratë e pronave të veta, mes të cilave hynin pjesa më e madhe e shtëpive fqinje. Qiranë e administronte një agjenci pasurish të paluajtshme, pronë e një nipi të plakës. Sipas shkresave me të cilat ishte pajisur administratori, të gjitha në përputhje me ligjin, banori i 677-s quhej Havier Ramos dhe pagesën mujore e bënte nëpërmjet një banke. Pasi u hulumtua banka, doli si ky Havier Ramosi kishte futur dy herë në llogari sasi të mëdha, të mjaftueshme për të paguar qiranë për gjashtë muaj, përpos faturave të dritës dhe të ujit, dhe askush s’e kishte parë më. Si një të dhënë të çuditshme, por që duhej mbajtur parasysh, Huan de Dios Martinesi gjeti në Regjistrin e Pronave se shtëpitë e bllokut fqinj në rrugën García Herrero, që të gjitha, i përkisnin Pedro Renhifos, [3] dhe se shtëpitë e rrugës Tablada, që ishte paralele me rrugën García Herrero, ishin pronë e njëfarë Lorenso Huan Inohosa, që ishte kukull e narkotrafikantit Estanislao Kampusano. Po kështu, krejt ndërtesat e rrugës Hortensia dhe të rrugës Licenciado Cabezas, që ishin paralele me rrugën Tablada, qenë regjistruar në emër të kryetarit të bashkisë së Santa Teresës ose të disa prej djemve të tij. Gjithashtu: dy blloqe më në veri, shtëpitë dhe ndërtesat e rrugës Ingeniero Guillermo Ortiz ishin pronë e Pablo Negretes, vëllai i Pedro Negretes [4] dhe rektor i nderuar i Universitetit të Santa Teresës. Çudi, tha me vete Huan de Dios Martinesi. Je me kufomat dhe dridhesh. Pastaj, i heqin kufomat dhe nuk dridhesh më. Shumë e çuditshme, tha me vete Huan de Dios Martinesi. Askush nuk përdhunon dhe nuk vret në shtëpi të vet. Askush nuk përdhunon dhe nuk vret afër shtëpisë së vet. Përveçse po të jetë i çmendur dhe të dojë që ta kapin. Dy net mbas gjetjes së kufomave, në një klub privat ngjitur me fushën e golfit u mblodhën kryebashkiaku i Santa Teresës, licenciati Hose Refuhio de las Eras, shefi i policisë Pedro Negrete dhe zotërinjtë Pedro Renhifo dhe Estanislao Kampusano. Takimi zgjati gjer në katër të mëngjesit dhe u sqaruan një sërë gjërash. Të nesërmen, e tërë policia e qytetit, mund të thuhet, u vu në ndjekje të Havier Ramosit. E kërkuan madje edhe poshtë gurëve të shkretëtirës. Po ç’është e vërteta nuk qenë të zotët as edhe t’i bënin një identikit bindës.

***

Shumë e shumë ditë, Huan de Dios Martinesit i vinin në mendje katër infarktet që kishte pësuar Erminia Noriega para se të vdiste. Herë-herë, i vinin në mendje duke ngrënë ose duke urinuar në banjon e ndonjë bari ose të ndonjë gjelltoreje ku shkonin shpesh inspektorët, ose para se të flinte, pikërisht në çastin që fikte dritën, ose ndoshta disa sekonda para se ta fikte dritën, dhe, kur ndodhte kjo, ai thjesht nuk mundej ta fikte dritën dhe atëherë çohej nga shtrati dhe afrohej te dritarja dhe vështronte rrugën, një rrugë e rëndomtë, e shëmtuar, e heshtur, e ndriçuar mekët, dhe pastaj shkonte në kuzhinë dhe ziente ujë dhe bënte kafe dhe, herë-herë, tek pinte kafe të nxehtë pa sheqer, një kafe muti, ndizte televizorin dhe rrinte e shikonte programe nate që vinin nga të katër pikat e horizontit të shkretëtirës, në atë orë kapte kanale meksikane dhe amerikane, kanale të çmendurish të gjymtë që kalëronin nën qiellin me yje dhe që përshëndesnin me fjalë të pakuptueshme, në spanjisht ose në anglisht ose në spanglish, veçse të pakuptueshme të gjitha ato fjalë të shkërdhyera, dhe atëherë Huan de Dios Martinesi e linte filxhanin e kafesë në tryezë dhe mbulonte fytyrën me duar dhe nga buzët e tij dilte një ulërimë e dobët dhe e pangatërrueshme, si të qante apo si të përpiqej të qante, po kur më së fundi i hiqte duart, shfaqej, ndriçuar nga ekrani televiziv, turiri i tij i vjetër, lëkura e tij e vjetër, e rreshkur dhe e përtharë, pa shenjën më të vogël të ndonjë loti.

Fragment i shkëputur nga libri ‘2666’, i përkthyer nga Bashkim Shehu

/ Pika pa sipërfaqe, 2016/ OP

Shënime:

[1] Fabrikë tekstilesh, fasoneri.

[2] Policia kufitare amerikane.

[3] Biznesmen dhe traikant droge.

[4] Shefi i policisë në Santa Teresa.

Imazhi: Albumi “Workers” i Sebastião Salgado-s

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne