Ra ky zjarr dhe i pamë

/Klodi Leka/

Situata e zjarreve në vend është me të vërtetë shqetësuese. Kudo, në çdo qytet dhe qytezë, mal dhe kodër, kanë rënë zjarre të cilat po përpijnë me shpejtësi sipërfaqe te mëdha pyjore, por edhe shtëpi, kafshë, toka bujqësore etj. Tashmë zjarret janë bërë gjendje e përhershme emergjence që për çudi e gjejnë përherë me duart në xhepa qeverinë me të gjitha institucionet e saj. Megjithatë në skenën publike është bërë zakon që zjarret të arsyetohen me autorë anonimë dhe diellin zhuritës mbi kokë, motive të cilat, paçka se vijojnë të mbeten të rëndomta, nuk i i shpëtojnë pyetjes nëse këto zjarre mund të ishin të parandalueshme. Kjo është çështja! Zjarre dhe piromanë mund të gjesh në çdo kohë, madje me të famshëm dhe të rrezikshëm se autorët tanë anonimë. Po çfarë bën shteti për këtë problem?

Detyra kryesore e një shteti, të kodifikuara në kartat kushtetuese, por edhe në të gjitha teoritë e mëdha sociale, është së pari të mbrojë jetën e qytetarit, pronat e tij dhe të gjithë territorin prej çdo rreziku të mundshëm, edhe zjarreve. Për këtë arsye shteti bën ligje dhe institucione, ngre buxhet dhe punëson njerëz, siguron mjete dhe mekanizma, për të cilat edhe i korr taksat. Por në vendin tonë nuk ndodh kështu. Nëse do t’i hedhim një vështrim të përgjithshëm kapaciteteve materiale të shtetit në situata të jashtëzakonshme, siç janë zjarret dhe përmbytjet, do të shikojmë një shtet të dobët e të amortizuar, që nuk ka asgjë tjetër përveç njerëzve me lopata dhe ca mjete tejet modeste. Në situata të tilla zakonisht bëhen thirrje të jashtme për ndihmë, që fqinjët të nisin për solidaritet ndonjë aeroplan të vogël me ujë apo kamion me ushqime.

Nga “ceremonia” e shpërndarjes së ndihmave të të përmbyturve në jug nga ambasadori turk Hidajet Bajraktar  dhe burokratë të Emergjencave Civile. – Fier, 20 shkurt 2015.

Kapaciteti i mangët material i shtetit për t’u përballur me situatat emergjente s’është vetëm pasojë e pafuqisë së tij –  sepse ky shtet është pjesë e NATO-s dhe me pretendime për në BE, apo jo?! – por edhe e prioriteteve dhe dritëshkurtësisë. Prioriteteve ngaqë shpenzimet më të mëdha për mjete në dobi të republikës janë shpenzime për vetura qeveritare luksi dhe jo për zjarrfikëse, ambulanca, traktorë etj. Dritëshkurtësisë sepse institucionet nuk u paraprijnë situatave, nuk planifikojnë dhe nuk organizohen në kohë, por janë kthyer në tepsi për punësimin nepotik e partiak të njerëzve të pushtetit. Prandaj le të bëjmë një diagnozë të gjendjes dhe kontradiktës midis mjeteve të pushtetit dhe mjeteve të shtetit.

Me një vendim sekret të qeverisë me date 14 mars të 2015, Këshilli i Ministrave urdhëroi marrjen me qira të 44 makinave të llojit Jaguar:  8 për kryeministrin, 4 për kryetarin e Kuvendit, 2 për presidentin dhe 30 të tjera për ministritë – me një kosto prej 22 mijë eurosh për makinë në vit.  Një shpenzim ky i panevojshëm, duke marrë parasysh faktin se veturat e zyrtarëve të lartë kanë qenë gjithnjë ekstravagante dhe kryeministri gëzon luksin e të pasurit të një makine të blinduar me vlerë mbi 600 mijë euro, në kushtet ku shumë institucione mezi kanë një a dy makina për shërbyesit. Por edhe sepse  vendimi është tentuar të mbahet sekret dhe zotëruesi i makinave ishte miku i kryeministrit, biznesmeni Agron Papuli.

Një ditë e zakonshme pune për ish-ministren e Arsimit Lindita Nikolla.

Karakteristikë tjetër e qeverisë sonë është rritja e shpenzimeve të luksit. Përveç shpenzimeve prej dhjetëra e qindra miliona eurosh në urbanizëm, zyra shteti, koncerte dhe palma, harxhimet personale të qeveritarëve për udhëtime jashtë shtetit janë marramendëse. Gjatë vitit 2016 janë paguar nga buxheti publik 2.6 milion dollarë për bileta avioni dhe udhëtime jashtë shtetit, me një rritje prej 50% nga viti 2015. Si të mos mjaftonte kjo, në buxhetin e vitit 2017 parashikohen rritje të mëtejshme luksi. Një ndër kavalierët më të shquar të këtij sporti, përveç kryeministrit, është sigurisht kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, i cili ka shpenzuar mbi 85 mijë euro për bileta avionësh  gjatë vitit 2016. Ndërkohë sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga viti 2014 deri më  2016 zyrtarët e qeverisë i kanë shkaktuar një dëm prej 534 milion euro buxhetit.

Palmat në rrugën nacionale drejt Lushnjës (?!).

Luksi e fasadat nuk vijnë vetëm. Për të forcuar pushtetin e saj dhe rritur artificialisht autoritetin në shoqëri, qeverisë nuk i rrihet pa forcuar policinë me armë, makina, motorë, kamera, rritje pagash dhe numri punonjësish, reklama televizive,  spiunë dhe një arsenal te sofistikuar dhune, ku sigurisht, nuk kane munguar skandalet dhe abuzimet. Është bërë një ritual i zakonshëm mitingu vëllazëror i kryeministrit me policinë, midis përkëdheljesh dhe fjalimesh të gjata mbi zbatimin e përpiktë të politikave të dhunshme qeveritare. Pastaj, inovacionet, si makinat e kushtueshme me energji dhe fuoristradat monstruoze për policinë rrugore. Për qeverinë tonë, shtet do te thotë fasadë, luks dhe polici.

Nga “inaugurimi” alla Power Rangers i motorëve të policisë.

Ndërkohë, shteti tjetër, ai i zjarrfikësve, ambulancave, trenave e transportit publik, përkundër shtetit të jaguarëve dhe luksit, ndodhet në gjendje të mjerueshme. Le t’ia nisim me Shërbimin Zjarrfikës. I ngritur andej nga  vitet ’60, me shkollë të veçantë profesionale dhe rreth 1400 zjarrfikës në detyrë gjer në vitet 2000, me kalimin e kohës dhe qeverive ky shërbim është shkatërruar jo vetëm si institucion i veçantë, por edhe në kapacitete materiale. Sipas drejtorit aktual të këtij shërbimi Alfred Kristuli, me shpërndarjen e këtij institucioni dhe flakjen e kompetencave drejt bashkive të reja, 23 bashki nuk kanë shërbim zjarrfikës, ndërsa 70% e mjeteve janë relike të kohës së socializmit. Sikur zoti Kristuli të mos ishte një specialist i njohur në këtë fushë, por një i punësuar partiak, me siguri do të kishte gënjyer duke mbështetur “mrekullinë” e kryeministrit Rama i cili, përveç bojatisjes dhe akrobacive, e kish’ pajisur shërbimin zjarrfikës me një tavoline pingpongu. Kjo po që është reformë!

Një kamion ushtrie i kthyer në zjarrfikëse për terrenin e vështirë malor me iniciativën personale të zjarrfikësve të qytetit të Gramshit.

Në mbledhjen e 6 shkurtit 2017 të Komisionit për Punët Sociale dhe Shëndetësisë, u raportua se shteti ynë kishte gjithsej në dispozicion rreth 127 ambulanca, pra 1 ambulancë për 23 mijë banorë. Shumica syresh janë të amortizuara, pa mjetet elementare ndihmëse dhe të ngjashme me furgonët e mallrave. Ato vonohen dhe shpesh nuk janë në dispozicion të qytetarëve për shkak të ngarkesës në kërkesë dhe rrallësisë në mjete dhe shërbim. Shërbimi i urgjencës është bërë shqetësim dhe objekt i kritikave të përditshme nga qytetarët. Është i njohur për të gjithë denoncimi i infermierit Frrok Bardhi kundër show-t të ministrit Beqaj. Sa më larg Tiranës dhe sa me thellë të hysh në territor, shërbimi i urgjencës dhe ambulancat janë  plotësisht të degraduara.

Ambulancat si furgona mallrash apo njerëzish, si dy veturat në foto, janë akoma në modë në periferitë e Shqipërisë.

Së fundmi, hekurudhat. Ndërtimi i sistemit hekurudhor ka qenë një nga arritjet më të mëdha të modernitetit, duke bërë të mundur lindjen e qyteteve të reja, zhvillimin e tregtisë/industrisë, tkurrjen e hapësirës midis njerëzve dhe ecjen me hapa më të shpejtë të jetës shoqërore. Shqipëria e ndërtoi sistemin e saj hekurudhor jo me kapital kolosal kapitalist, por me socializëm vullnetar.  Plot 730 kilometra.  Asokohe treni nuk ishte vetëm tren, por lokomotiva e progresit. Sot pakogjë ka mbetur prej lavdisë së hekurudhës. Një linjë prej 20 kilometrash midis Tiranës dhe Durrësit me një tren të vockël të vizatuar  dhe tri vagonë me një lokomotivë për hekur e çimento. Me dhjetëra miliona euro janë hedhur për t’u vjedhur, nga paratë tona dhe të huajat, ndërkohë që shinat dhe stacionet po treten nga dita në ditë. Rënien e hekurudhave shteti ynë me kapacitetet aktuale nuk do të mundet ta rikuperojë më kurrë.

Për sa kohë qeveria do të ketë prioritet jaguarët dhe jo zjarrfikësit, fasadën dhe jo shërbimin, pasurimin individual dhe jo të mirën publike – zjarri do vazhdojë të djegë jo vetëm pyjet, por të gjithë ngrehinën shoqërore. Dhe është e kuptueshme përse qeveritë tona janë të fuqishme sa i përket hijeshisë së zyrave dhe rafinimit të drurit. Sepse jemi një republikë bananesh ku sundimtarët vënë grim për të marrë borxhe e legjitimitet së jashtmi, për të vazhduar shtypjen dhe shkrumbimin së brendshmi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne