Radikalizimi dhe Ekstremizmi në Shqipëri nga këndvështrimi i një të huaji

Nga Veronika Kusyova

Viti 2012 e zuri në befasi mbarë Ballkanin Perëndimor. Papritur qytetarë nga vende të ndryshme të Ballkanit filluan të niseshin për në Siri dhe Irak. Ata donin të bëheshin luftëtarë të kalifatit.

Ëndërronin të luftonin në një luftë jashtë vendit të tyre. Islami, në këtë rajon, paqësor për nga tradita, ra pre e xhihadit, ose duke besuar tek ai, ose duke u tunduar nga premtimet e tij. Me ndihmë ndërkombëtare, vendet e Ballkanit Perëndimor arritën ta reduktojnë numrin e personave që shkonin në këto vende. Çështja, megjithatë, është: a kanë arritur këto vende të luftojnë radikalizimin dhe ekstremizmin (e dhunshëm)?

Që prej vitit 2012, Shqipëria ka miratuar disa ligje dhe një strategji kombëtare në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ka dënuar disa figura me influencë, si për shembull disa rekrutues apo njerëz që kishin kërcënuar se do të kryenin akte që mund të çonin në terrorizëm apo apo ta nxisnin atë në Shqipëri ose jashtë saj.

Aktualisht, numri i luftëtarëve të huaj që niseshin nga Shqipëria ra nga rreth 150 në zero në vitin 2017. Shumë prej tyre u kthyen në atdhe, duke ndjerë keqardhje për aktet e kryera. Lajm i mirë ky, apo jo? Megjithatë, çështja është paksa më e komplikuar se kaq.

Për shembull, duhet bërë një hetim i imtësishëm i faktorëve që çuan drejt radikalizimit apo ekstremizmit të dhunshëm, sepse njerëzit nuk u radikalizuan brenda një nate. Disa imamë kanë punuar në mënyrë aktive me komunitetet, duke i frymëzuar ato që të niseshin për një jetë më të mirë në kalifat. Ndoshta dikush mund të thotë se tashmë imamët dhe rekrutuesit janë dënuar. Edhe pse e vërtetë, nuk duhet harruar se imamët e kanë përçuar ideologjinë e tyre të fuqishme për rreth 20 vjet, që do të thotë se idetë e tyre vazhdojnë të jenë të pranishme në sferat e tyre të influencës. Për më tepër, xhamitë jozyrtare dhe imamët e vetëshpallur janë një çështje, e cila nuk duhet nënvlerësuar. Shqipëria mund të jetë vend i vogël, por infrastruktura e saj mjaft e dobët e vështirëson komunikimin me zonat e largëta rurale.

Së dyti, këta imamë dhe personat e tjerë të dënuar që ndodhen aktualisht në ambientet e vuajtjes së dënimit, a janë pjesë e ndonjë programi çradikalizimi? Me sa di unë, ata nuk janë pjesë e asnjë programi të tillë. Madje as ata që janë kthyer nuk bëjnë pjesë në ndonjë program çradikalizimi. Ashtu siç tha znj. Bllaca në Konferencën e fundit Rajonale të Ballkanit Perëndimor për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, është ende tepër herët të flitet për rehabilitimin apo riintegrimin e të dënuaëve apo të të kthyerve, pasi ende nuk ka ndodhur procesi i çradikalizimit.

Dy nga arsyet që i joshin njerëzit drejt radikalizimit dhe ekstremizmit, janë dëshpërimi dhe mungesa e shanseve në jetë. Në Shqipëri jeta është shumë e centralizuar në Tiranë. Në kryeqytet ka shumë shkolla për gjuhë të huaja, klube sportive, ka shumë biblioteka dhe organizohen mjaft aktivitete jashtëshkollore, ndërsa qytetet e tjera të vendit kanë mbetur mbrapa në këtë aspekt.

Autobusi i fundit nga Tirana për në Durrës, qyteti i dytë më i madh në vend, niset rreth orës 7:30 të darkës, ndërkhë që autobusi i fundit nga Divjaka për në Durrës niset rreth orës 4-5 pasdite. Biblioteka e Durrësit gjendet në një ndërtesë të vogël, në dyert e së cilës janë vizatuar kryqe të thyera naziste. Në vend që të lexojnë libra apo të merren me sport, shumica e të rinjve ngulen mbi telefona apo në rrjete të ndryshme sociale. Korrupsioni është aq i përhapur në të gjithë shoqërinë, sa që njerëzit flasin hapur për çmimin (apo mos do të ishte më mirë t’i quajmë bakshishe?) e një shërbimi. Atëherë çfarë perspektive ka një i ri shqiptar?

Lulzim Fushtica, Koordinatori Kombëtar për Kosovën në Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, prezantoi rezultatet e dialogut të tij me komunat e Kosovës duke treguar se banorët atje nuk kërkojnë investime të mëdha apo aktivitete madhështore. Jo! Në fakt, ata kërkojnë biblioteka, fusha lojërash, klube sportive dhe vende të tjera ku të rinjtë ta kalojnë kohën e lirë siç duhet, që jeta e tyre të ketë kuptim. Kosova dhe Shqipëria nuk ndryshojnë aq shumë nga njëra-tjetra, që ajo çka na tregoi Fushtica të mos vlejë edhe për Shqipërinë.

Organizatat e shoqërisë civile, donatorët ndërkombëtarë dhe qeveritë e kanë luftuar ekstremizmin e dhunshëm me anën e shumë projekteve. Në thelb, çdo projekt që synon zhvillimin e të rinjve është më se i mirëpritur, por në të vërtetë ai duhet të adresojë drejtpërdrejt radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Nëse nuk e bën këtë, mundet që gabimisht të japë përshtypjen se është sasia ajo që fiton dhe jo cilësia. Madje disa organizata pranuan se në klimën aktuale është e lehtë të marrësh grante, mjafton që në projektpropozim të përmenden fjalët “lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm”.

Nuk duhet harruar edhe një element tjetër. Duket sikur të gjithë i kanë sytë vetëm nga radikalizimi islamik, duke nënvlerësuar kështu edhe forma të tjera të ekstremizmit. Për shembull, sa organizata bamirëse apo fondacione të krishtera ekzistojnë në Shqipëri?

A ofrohet ndihma e tyre me kusht besimin tek Perëndia? A i ndjek ndokush aktivitetet e tyre apo mënyrat se si e interpretojnë ata Biblën? Ishte apo nuk ishte akt ekstremizmi incidenti që ndodhi gjatë ndeshjes ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë?

A u përkasin kategorisë së një ekstremizmi ende jo të dhunshëm kryqet e thyera naziste që përmendëm më lart (si dhe shitja haptazi e librit Mein Kampf të Hitlerit)?

Po qëndrimet negative dhe sulmet verbale si ndaj komunitetit LGBT, ashtu edhe ndaj grave myslimane që zgjedhin të mbulohen çfarë janë?

Mosvlerësimi dhe mostrajtimi i qëllimshëm i sa më sipër është një precedent shumë i rrezikshëm. Kufiri mes të qenit radikal dhe radikalizimit, mes ekstremizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është i hollë sa një fije peri, dhe si i tillë edhe i paqartë, prandaj mund të fshihet fare lehtë.

Edhe pse Shqipëria është vend kryesisht mysliman, populli i saj ka jetuar në tolerancë fetare për shumë dekada. Tendencat aktuale të polarizimit duken se e cenojnë këtë bashkëjetesë.

Fatkeqësisht, njerëzit qëndrojnë deri diku indiferentë, pa e kuptuar se një ditë mund të zgjohen në një shoqëri tejet të polarizuar dhe me ide radikale në çdo cep të saj. Toleranca fetare nuk duhet marrë si e mirëqenë. Ajo duhet kultivuar në mënyrë aktive si një trashëgimi e çmuar, e cila u përket të gjithë shqiptarëve./ tema

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne