‘Rafineri jo parfumeri’, banorët rreth Metalurgjikut ngrejnë zërin kundër ndotjes

Të rrethuar prej vitesh nga tymi i zi i industrive të rënda dhe toka toksike, banorët e fshatrave rreth ish-Metalurgjikut po përballen së fundmi me një burim të ri ndotjeje-rafinerinë e bitumit, e cila u ndërtua në mungesë të konsultimeve me ta, ndërkohë që administratori i kompanisë hedh poshtë akuzat.

Bardha Nergjoni | BIRN | Elbasan

Të toksikuar prej dy dekadash nga tymi i zi që del prej oxhaqeve të industrisë së rëndë që kryen aktivitetin rreth skeletit gjigand të ish-Metalurgjikut në Elbasan, banorët e fshatrave Balldren dhe Vidhas u përballën në fillim të verës me probleme të reja.

Era e rëndë e naftës u shpërnda në ajrin e mbingopur nga metalet e rënda në këtë zonë, ndërkohë që mbetje të hidrokarbureve u shfaqën gjithashtu në kanalet e tyre të ujërave vaditëse.

Banorët u zunë në befasi nga ndotjet e shkaktuara nga nafta dhe fajësuan për to rafinerinë e sapovënë në punë të bitumit. Në intervista të veçanta për BIRN, banorë të fshatrave Vidhas dhe Balldren thanë se askush nuk i kishte paralajmëruar se çfarë po ndërtohej.

Njëri prej banorëve të Vidhasit, Kelmend Xhakoj i tha BIRN se situata në fshatin e tyre është tashmë e papërballueshme.

“Ne kemi ndotjen e ferrokromit dhe të Kurumit, pasi era i sjell të gjithë tymrat në fshatin tonë, por këtë verë u përballëm për herë të parë edhe me ujin me naftë. Kush vaditi iu thanë pemët,” tha Xhakoj.

Foto e dëgjesës publike të mbajtur nga kompania “R.B.H Belinë” në 8 Maj 2014, për pajisjen me leje mjedisore | Foto: BIRN

“Askush nuk na tha se çfarë do të ndërtohej këtu. Vetëm kur na erdhi uji me naftë dhe era e qelbur u përballëm me të. Duam që kjo rafineri të ndalë ndotjen e ujit dhe ajrit,” shtoi ai.

Rafineria e përpunimit të naftës bruto nisi të ndërtohej në vitin 2014 në fshatin Balldren të Elbasanit nga kompania “R.B.H Belinë”, e cila më parë e ushtronte aktivitetin e saj në fshatin Zharrëz të Fierit. Kompania, e cila zotërohet 50 me 50 nga aksionerët Rebani Likometa dhe Halil Gashi nisi punimet në Elbasan falë një miratimi paraprak të Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë të vitit 2014.

Më 8 nëntor 2016, “R.B.H Belinë” fitoi licensën koncesionare për 30 vjet nga Këshilli i Ministrave për rafinerinë e saj të “përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera” dhe një muaj më pas filloi nga puna.

Por në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, dhjetra banorë të fshatrave Balldren dhe Vidhas shpërthyen në protestë, duke kërkuar ndalimin e ndotjes së ajrit dhe të derdhjes së mbetjeve të naftës në kanalet e tyre vaditëse.

Protestës së tyre iu bashkua edhe deputeti socialist i zonës, Taulant Balla i cili kërkoi marrjen e masave kundër ndotjes që shkakton impianti i bitumit për mijëra banorë të këtyre fshatrave.
Por disa muaj pas kësaj proteste asgjë s’ka ndryshuar.

Nazmie Çela, banore e Vidhasit tha për BIRN se pavarësisht premtimeve, protesta nuk ndryshoi asgjë në jetën e tyre.

“Ky fshat është i mallkuar, pasi veç ujit kemi edhe ajrin. Nuk marrim dot frymë. Sa vjen e shtohet ndotja dhe është bërë për të ikur,” tha ajo.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve të siguruara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe intervistave me banorë tregojnë se rafineria e përpunimit të naftës e kompanisë “R.B.H Belinë” u pajis me leje mjedisore në qershor të vitit 2014, ndonëse anashkaloi detyrimet për informimin dhe konsultimin me banorët e zonave përreth saj.

Pas përfundimit të ndërtimit dhe nisjes së punës në dhjetor 2016, rafineria e bitumit u kthye në një burim të ri shqetësimi për banorët rreth zonës industriale të Elbasanit.

Rafineria e re i është bashkangjitur problemeve shumëvjeçare të ndotjes së mjedisit në zonë, të shkaktuara nga një numër i madh biznesesh industriale si uzina e ferrokromit, ajo e prodhimit të çelikut e kompanisë “Kurum International”, fabrika të gëlqeres, e tullave refrektare apo disa industri të tjera më të vogla.

Të gjitha këto industri, sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN kanë shkaktuar ndotje në shkallë të gjerë të ajrit, ujërave dhe tokës, si dhe kanë lënë gjurmë në shëndetin e popullatës, e cila vuan në nivele të larta të sëmundjeve tumorale dhe atyre të rrugëve të frymëmarrjes.

I pyetur nga BIRN, administratori i kompanisë “R.B.H Belinë”, Rebani Likometa hodhi poshtë akuzat e banorëve për ndotjen me mbetje të naftës të kanaleve të tyre vaditëse, ndërsa i tha BIRN se ndikimi në mjedis i rafinerisë është brenda të gjithë parametrave të përcaktuar në lejen mjedisore.

“Banorëve u japim garancinë që shoqëria jonë do t’u përmbahet në mënyrë konstante zbatimit me rigorozitet dhe përmbushjes së detyrimeve të lejes mjedisore me të cilën jemi pajisur,” tha Likometa për BIRN.

“Jemi pajisur me leje ndërtimi për rafineri dhe jo për parfumeri,” shtoi ai.

Konsultimi farsë

Për projektet me ndikim në mjedis, legjislacioni shqiptar ka përcaktuar një sërë kushtesh, mes të cilave edhe informimin dhe përfshirjen e komuniteteve të impaktuara në vendimarrje përmes një procesi të gjerë të konsultimit publik.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë pjesmarrje minimale të banorëve të zonës në dëgjesën publike për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të rafinerisë së bitumit, e cila u zhvillua më 8 maj të vitit 2014.

Një fotografi e takimit, të cilën BIRN e disponon, tregon nëntë burra të mbledhur rreth një eksperti, ndërkohë që në sfond shfaqen tre depozitat e para në ngjyrë blu të rafinerisë së zotëruar nga kompania “R.B.H Belinë”, e cila prodhon sot bitum, gaz dhe nënprodukte të tjera të naftës.

Ndryshe nga pamja që ofron fotografia, dokumenti i prodhuar për të ashtuquajturin konsultim publik mban firmat e 21 personave pjesmarrës, të cilët kanë nënshkruar se ky aktivitet nuk përbënte ndonjë shqetësim për ta.

“Publiku në takim u referua nëpërmjet një materiali të përmbledhur të VNM-së, e përgatitur nga eksperti mjedisor i vlerësimit të ndikimit në mjedis. Ata me koshiencë të plotë dhe larg çdo lloj presioni kanë nënshkruar këtë proces-verbal…” thuhet në dokument.

Verifikimet e kryera nga BIRN tregojnë se proces-verbali i dëgjesës publike është nënshkruar nga 5 prej drejtuesve të lartë të kompanisë “R.B.H Belinë”, mes të cilëve edhe aksionerët Rebani Likometa dhe Halil Gashi si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj. Katër firmat e tjera i përkasin përfaqësuesit të këshillit komunal, dy zyrtarëve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe përfaqësuesit të shoqatës “Eco 2031”.

12 firmat e tjera në proces-verbal thuhet se u përkasin banorëve kufitarë me rafinerinë, por kryeplaku i fshatit Vidhas, Ferdinand Sheganaku i tha BIRN se kjo nuk është e vërtetë.

“Ne vetëm si lagje jemi 1177 banorë, nuk kemi pasur asnjë dijeni. I vetmi që ka firmosur në proces-verbal është një roje private në atë zonë,” tha Sheganaku.

Ferdinand Sheganaku, kryeplak i fshatit Vidhas | Foto nga : Bardha Nergjoni

BIRN kontaktoi përmes telefonit me disa prej personave që kanë nënshkruar proces-verbalin e dëgjesës publike të zhvilluar nga kompania R.B.H Belinë, biseda të cilat vërtetuan dyshimet e Sheganakut.

Njëri prej firmëtarëve, Marlon Kasa, i cili punon si roje private objektesh në ish-Metalurgjik i tha BIRN se kishte marrë pjesë në konsultim dhe kishte dhënë miratimin e tij, pasi organizatorët kishin pohuar se “nuk do të kishte ndotje”.

Nazmi Gjolena, një tjetër firmëtar i tha BIRN se nuk ishte nga Balldreni, por punonte në të njëjtin objekt me impiantin e prodhimit të bitumit.

“E kam firmosur dokumentin, i diktuar edhe nga rrethanat e punës,” tha Gjolena për BIRN.

I kontaktuar nga BIRN, edhe Florenc Karaj tha se kishte qenë i pranishëm dhe e firmosi procesverbalin.

“Rafineria është problemi i fundit që kanë banorët e Balldrenit, pasi uzina e ferrokromit ka 10 vjet që po i ndot,” tha Karaj për BIRN. Sipas të dhënave të kompanisë “R.B.H Belinë” në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, Florenc Karaj rezulton të jetë anëtar i Këshillit Mbikqyrës prej majit të vitit 2017.

I pyetur për pretendimet mbi konsultime të cunguara, aksioneri i kompanisë, Rebani Likometa i tha BIRN se në këtë procedurë kanë marrë pjesë banorët e fshatit Balldren që i kanë banesat e tyre pranë rafinerisë.

“Përsa i përket pretendimit tuaj për fshatin Vidhas, ai ndodhet rreth 3 km larg rafinerisë dhe për këtë nuk është pjesë e konsultimeve,” tha Likometa.

Mungesa e informimit të komuniteteve rreth rafinerisë është vetëm zanafilla e problemeve që kjo industri e re ka shkaktuar në fshatrat rrëzë ish-Metalurgjikut. Rreth një muaj pas dëgjesës publike, më 3 qershor 2014, kompania “R.B.H Belinë është pajisur me leje mjedisore të Tipit B, e cila mban firmën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Leja mjedisore, një kopje e së cilës zotërohet nga BIRN, e detyron kompaninë të instalojë një impiant për kapjen dhe trajtimin e ujërave teknologjike dhe vendos një sërë parametrash për shkarkimet e lëngëta në mjedis, vetëm pas trajtimit të tyre.

Pas vënies në funksion, në pikën 4.38 përcaktohet se mbetjet dhe llumrat e dala nga procesi teknologjik të ruhen përkohësisht në mjedise të posaçme deri në administrimin përfundimtar dhe jo të kalojnë në kanalizimet në natyrë.
Por banorët e fshatrave Balldren dhe Vidhas u ankuan për BIRN se kompania i derdh ujërat së bashku me mbetje të naftës në kanalet vaditëse, duke u shkaktuar dëme të mëdha në shëndet dhe në produktet bujqësore.

“Ujërat e uzinës derdhen në kanalin kryesor, i cili bashkohet më pas me atë të vaditjes. Gjatë gjithë verës nuk kemi vaditur kopshtet, pasi uji me naftë i than të gjitha,”tha kryeplaku Sheganaku për BIRN.

“Nafta na ka tharë kopshtet në lagje dhe kemi frikë se do të vazhdojë. Ne nuk kemi vetëm problemin e ujit, por edhe të ajrit. Hajdeni në mëngjes e shihni si jetojmë ne këtu,” tha Shpresa, njëra prej banoreve të Vidhasit për BIRN.

Përfaqësuesi i kompanisë, Rebani Likometa mohon akuzat se rafineria derdh mbetje në kanalet vaditëse, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për ujë që përdoret gjatë procesit ftohës. Ai shtoi gjithashtu se shkarkimet në ajër janë poshtë normave të përcaktuara si në kartën teknologjike të rafinerisë ashtu edhe në lejen mjedisore.

“Rafineria nuk derdh mbetje se nuk është fabrikë kimike. ‘Mbetjet’ që ju i referoheni janë ujë që përdoret gjatë procesit ftohës. Për këtë ujë, shoqëria jonë është treguar e gatshme për të ndërtuar një tubacion për derdhjen e tij në kanalin kryesor, por kjo varet nga leja e ndërtimit që do të akordohet,” tha Likometa.

“Sigurisht që janë përmbushur të gjitha kërkesat e lejes mjedisore, pasi në të kundërt shoqëria do të ishte gjobitur ose t’i ishin lënë detyra gjatë inspektimeve të kryera,” shtoi ai.

Në qershor të vitit 2016, kur banorët u ngritën në protestë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nisi një verifikim, duke i kërkuar kompanisë “R.B.H Belinë” dërgimin e dokumentacionit.

Drejtori i Përgjithshëm i AKM-së, Julian Beqiri i tha BIRN përmes një përgjigjeje me shkrim se “operatori kishte paraqitur raportin e monitorimit për zbatimin e kushteve të lejes mjedisore, ku i është kërkuar plotësim dokumentacioni”.

I pyetur nëse janë marrë masa pas ankesave të banorëve, AKM u përgjigj se kjo ishte detyrë e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit.

“…Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve është autoriteti që verifikon plotësimin nga operatori të kushteve të lejes mjedisore, pas lëshimit të saj nga QKB,” shkruan në përgjigje kreu i AKM.
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në botimin e këtij shkrimi.

Rafineria e bitumit e ndërtuar nga R.B.H Beline në zonën e metalurgjikut në Elbasan | Foto nga : Bardha Nergjoni

Zona e ish-kombinatit Metalurgjik në Elbasan u kthye në strehën e një duzine kompanish të industrisë së rëndë gjatë dy dekadave të tranzicionit; aktivitet i cili akuzohet për degradimin e mjedisit dhe të jetës së mijëra banorëve.

Por edhe pse ankesat kanë qenë të vazhdueshme, rastet e ndërhyrjes së institucioneve shtetërore për përmirësimin e situatës kanë qenë thuajse inekzistente.

Përjashtim nga rasti përbën një referim i policisë së Elbasanit ndaj kompanisë turke “Kurum” i majit 2015, e cila akuzohej për “ndotje të ajrit”, “transportimit të mbeturinave toksike” dhe “ndotje të ujërave”.

Dy vjet pas nisjes së këtij procedimi penal, zyrtarë të Prokurorisë së Elbasanit i thanë BIRN se nuk ka ende një rezultat, pasi hetimet janë ende në vazhdim.

Megjithatë, një raport i hartuar nga eksperti Sazan Guri për llogari të hetimit ekspozon përfundime shqetësuese për ndotjen në shkallë të lartë të tokës, ujit dhe ajrit në zonën përreth ish-kombinatit Metalurgjik.

Studimi “Gjeokimia ambientale e zonave industriale të qarkut të Elbasanit”, të cilin BIRN e disponon evidenton ndotje me metale të rënda të reflektuara deri në lartësinë e kodrave përreth zonës së aktivitetit industrial, pasi “janë elementë që udhëtojnë larg jo vetëm nëpërmjet ujit, por edhe ajrit”.

Sipas studimit, tokat primitive të zonës përreth fabrikës së Kurumit kanë përmbajtje shumë të lartë të kalciumit deri në masën 22.43% si dhe koncentrim të lartë magani, nikeli dhe plumbi. Më shqetësues është përfundimi se koncentrimi i zinkut në këto toka është toksik (100ppm)”, thuhet në raport.

Në raport citohet edhe një studim i kryer në vitet 2012-2015 nga dr. Odeta Tota, e cila ka kryer mbi 200 matje dhe analiza laboratorike të tokës në këtë zonë dhe sipas studimit, më shumë se 400,000 ton mbetje të ngurta përmbajnë okside metalike (Si, Mg, Al, Cr, Fe) dhe nivele shumë të larta të ndotjes nga metalet e rënda. Përmbajtja e nikelit shkon nga 400 deri në 28,000 ppm në zona të veçanta-5 herë deri 400 herë më i lartë se standardi evropian.

Vlera shumëfish më të larta se norma kanë shënuar në kërë studim edhe përqendrimi i plumbit dhe i zinkut në tokë, çka e përbën këtë zonë si toksike. E njëjta tendencë vihet re edhe për elementet hekur, nikel dhe krom, vlera e të cilave është shumë herë më e lartë se norma në tokat bujqësore.

Ndërkohë karboni haset në sasinë 2000 ppm në distancë 6 kilometër nga burimi ndotës duke konfirmuar vlera të larta të ndotjes së këtyre fushave deri në 50 herë mbi kufirin e lejuar.

Të dhënat gjeokimike, veçanërisht në mostrat e tokës tregojnë që kanë një ndotje të madhe, si pasojë e depozitimit të mbetjeve brenda kompleksit metalurgjik, si dhe precipitimit të grimcave të pafiltruara të pluhurit. Cilësia e ujërave sipërfaqësore mbart gjithashtu një nivel të lartë të metaleve të rënda.

“Nga sa më sipër kuptohet se nisur nga përmbajtja e lartë, madje me dhjetra e qindra herë më e lartë se standardi apo norma, aktiviteti industrial është faktori dhe shkaku kryesor i kësaj situate, ku dherat apo toka e pëson si nga zbritja poshtë e metaleve të rënda prej ajrit të ndotur, ashtu edhe nga shpërndarja e ndotjes nëpërmjet mbetjeve apo lëndës së parë të stokuar në sheshet e punës,” thuhet në studimin e Gurit.

Studimi i cili ndodhet tashmë në Prokurorinë e Elbasanit thekson se kompanitë me aktivitet në zonën e ish -Metalurgjikut ndikojnë dukshëm në përqendrimet e larta të metaleve të rënda në bankot e lumit Shkumbin në drejtim të rrjedhjes, të tokave dhe të ujërave sipërfaqësorë. Pavarësisht se rezultatet e ndotjes janë të qarta, Prokuroria e Elbasanit nuk ka arritur ende në përfundimin nëse kompania “Kurum”është shkaktare e ndotjes.

Të sëmurë dhe të harruar

Sofie Sula, 51 vjeç zbuloi para një viti se vuante nga kanceri i gjirit. Së bashku me familjen, ajo jetonte prej 15 vitesh pranë uzinës së ferrokromit, asaj të tullave refraktare dhe së fundmi edhe rafinerisë së bitumit në fshatin Balldren.

“Nuk di të them nga më erdhi kjo sëmundje, por po vuaj pasojat. Kam harxhuar mijëra euro dhe sërish nuk jam shëruar. Ne ngrihemi dhe flemë me ajër të ndotur. Më parë metalurgjia, tullat, ferrokromi e tani edhe rafineria,”tha Sofia për BIRN në mes të shtatorit.

“Këtu nuk jetohet, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi ndërtuar shtëpinë këtu. Balldreni është bërë i pajetueshëm dhe të gjithë këtu e thonë,” shtoi ajo.

Një javë pas kësaj interviste, BIRN mësoi se Sofie Sulaj ka ndërruar jetë.

Balldreni dhe Vidhasi, dy fshatrat e njësisë administrative Papër njihen si dy fshatrat më të ndotur në zonën përreth Metalurgjikut. Bashkë me zonën e Bradasheshit, këto fshatra numërojnë një numër të lartë banorësh që vuajnë nga sëmundje tumorale apo nga astma bronkiale.

Me një popullsi rreth 1800 banorë, numri i tumoreve të referuara në qendrën shëndetësore për fshatrat Vidhas dhe Balldren është 33 raste nga të cilët 30 kanë pasur incidencë. Ndërkohë numri i personave në mjekim për astmë bronkiale është 19 persona.

Besa Zhupa, drejtuese e qendrës shëndetësore në Vidhas i tha BIRN se shifrat e mësipërme përfaqësojnë vetëm rastet e referuara për mjekim. Ajo lë të kuptohet se shifrat janë më të mëdha për shkak të rasteve të paidentifikuara apo ata që zgjedhin sistemin privat shëndetësor për tú kuruar.

Ajo që vihet re si shqetësim në këtë zonë janë rastet me kancer gjiri. Edhe pse nuk vërtetohet një lidhje të drejpërdrejtë mes ndotjes dhe këtij lloj kanceri, mjekët dhe infermierët e zonës mendojnë se krahasuar me njësitë e tjera administrative, të dhënat janë shqetësuese.

Rreth një kilometër larg shtëpisë së Sofie Sulës, Bajame Karameta, 69 vjeç jeton prej 15 vitesh me frikën e së njëjtës sëmundje. Ajo i tha BIRN se është diagnostikuar rreth 15 vjet më parë me kancer gjiri dhe pas operimit dhe kurimit, vazhdon të jetë nën kontrollin e mjekëve.

Bajame Karameta 69 vjeç, nga fshati Vidhas, jetojnë me frikë nga rikthimi i kancerit të gjirit | Foto nga : Bardha Nergjoni

“Ajrin më të ndotur e kemi ne banorët e Vidhasit. Era e sjell të gjithë tymin tek ne dhe jetojmë më keq se në Afganistan. Unë kam 100 probleme me shëndetin, nipërit e mbesat marrin frymë me vështirësi çdo mëngjes dhe kemi fëmijë me azmë qysh të vegjël,” tha Karameta për BIRN.

Përveç sëmundjeve tumorale, në Vidhas ka një numër të lartë fëmijësh që vuajnë nga astma bronkiale. Andi Çela është 6-vjeç dhe sipas babait të tij, problemet në shëndet i vijnë nga ndotja e ajrit.

“Mjekët e lidhin me ndotjen e ajrit këtu astmën e djalit tim. E kemi provuar duke e dërguar në vend tjetër. Ka qëndruar në Ersekë për tre muaj dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim. Sa është kthyer këtu, i është kthyer astma,” ankohet ai.

Në fshatrat rreth ish-Metalurgjikut, banorët ia faturojnë sëmundjet ndotjes së mjedisit, por në mungesë të depistimit të popullatës, institucionet përgjegjëse ndajnë shifra të ndryshme.

Teksa BIRN po përpiqej të mbidhte statistikat e personave të sëmurë në zonë rezultoi se të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë janë të ndryshme nga ato që disponon Drejtoria Rajonale e Shëndetit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në rrethin e Elbasanit janë evidentuar 789 persona që vuajnë nga sëmundjet tumorale, ndërsa për Drejtorinë Rajonale të Shëndetit, shifrat janë shumë më të ulëta-rreth 300 raste, ndërkohë që janë të regjistruara edhe 282 raste të tjera në shërbimin ambulator.

Kanceri i gjirit, sipas statistikave për vitin 2015 ka edhe numrin më të madh të të sëmurëve në krahasim me llojet e tjera. Sipas vlerësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ndër faktorët e riskut për shfaqjen e tumoreve ndotja e mjedisit zë vetëm 3% dhe sëmundjet profesionale po ashtu 3% të mundësive.

Arben Stafa, drejtues i qendrës shëndetësore në Bradashesh i tha BIRN se është e vështirë të gjesh statistika me të tilla lëvizje demografike, për shkak të shtimit të banorëve, largimit në emigracion, orientimit drejt spitaleve private dhe mungesës së vetëdijes nga ana e pacientëve për t’u kontrolluar në kohë.

Megjithatë, astma te fëmijët konsiderohet një shenjë e drejtpërdrejtë e pasojave që shkakton ndotja në Bradashesh. Adela, 10-vjeç vuan nga azma bronkiale. Në shtator 2016 ajo ka shfaqur shqetësime të mëdha dhe është mjekuar për probleme të theksuara me frymëmarrjen.

Nëna e saj, Nexhmije Skënderi thotë se pasojat i kanë nga ndotja, pasi vetëm rruga i ndan nga uzina e çelikut.

“Gjatë gjithë natës, oxhaqet tek ne janë në kulmin e tyre. Kur ngrihemi në mëngjes tymi ka përfshirë të gjithë zonën. Në 6 të pasdites uzinat ndizen prapë dhe e ndjejmë erën e keqe të squfurit. Nga analizat që bëmë për shkakun e azmës thanë se vjen nga pluhurat,” tha ajo, ndërsa shtoi se e ka të pamundur të zhvendoset apo ta largojë të bijën që aty për shkak të pamundësisë ekonomike.

Në fshatin fqinj të Balldrenit, Hamideja i tha BIRN se nga astma vuajnë të vegjël e të mëdhenj, pasi përballen përditë me ajrin e ndotur.

“Unë vuaj nga astma prej vitesh. Ka shumë gra, fëmijë që kanë shqetësime nga frymëmarrja në Balldren. Po bëhen edhe fëmijët. Nuk durojnë dot erën e gazit. Nuk hapim dot derën në mëngjes,” përfundoi ajo./ reporter.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne