Rama: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është një ngjarje historike për rajonin

Shqipëria ka përkrahur fuqishëm Malin e Zi gjatë ratifikimit të Protokollit për anëtarësim në NATO, ndërsa anëtarësimi është një ngjarje historike për të gjithë rajonin tonë, tha të hënën në Podgoricë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama po qëndron për një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviç. Të dy kryeministrat kishin një sërë takimesh dypalëshe, ku thanë se nuk ka çështje të hapura mes dy shteteve.

Në konferencën e përbashkët për mediat, Rama përshëndeti ratifikimin e protokollit për anëtarësim të Malit të Zi në NATO nga ana e Senatit Amerikan. “Shqipëria ka mbështetur fuqimisht Malin e Zi gjatë ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin në NATO, dhe kjo është një ngjarje historike, jo vetëm për Malin e Zi, por me të gjithë rajonin tonë. Kjo nga fakti se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, pothuajse lidhë gjithë bregdetin e Adriatikut-Jonit në zonë të NATO-s”, tha Rama.

Ai përshëndeti pjesëmarrjen e shqiptarëve në jetën politike të Malit të Zi. “Jam i inkurajuar nga fakti që kryeministri i Malit të Zi vulosi një bashkëpunim të fortë me shqiptarët në Mal të Zi. Ne mirëpresim pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicionin qeverisës”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Ai tha më tej se dy qeveritë do të mbajnë një seancë të përbashkët qeveritare. “Vendosëm të mbajmë një seancë të përbashkët mes qeverive të të dyja vendeve, si një cikël i ri të marrëdhënieve dhe përpjekjeve për të intensifikuar dhe për të përmirësuar jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë duke e shfrytëzuar potencialin tonë të përbashkët, duke vendosur theksin te rëndësia e zonës ndërkufitare. Nuk ka dilema se ne mbetemi fqinjë, rrugët tona janë të përcaktuara në mënyrë të qartë, krah për krah njëri-tjetrit. Kjo është rruga e pakthyeshme, mendoj se bashkëpunimi ynë do të jetë strategjik, në shërbim të, dhe për fëmijët tanë”, u shpreh Rama.

Kryeministri malazez, Dushko Markoviç, tha nga ana e tij se të dy vendet nuk kanë çështje të hapura mes tyre, dhe bëri thirrje për forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

“Sidomos kur marrim parasysh se shkëmbimi i tregtisë së jashtme në vitin 2016 arriti në 43 milionë euro, edhe pse është shënuar rritja për dhjetë për qind në krahasim me vitin 2015. Ne besojmë se Mali i Zi dhe Shqipëria në sektorin e energjisë, transportit dhe turizmit, veçanërisht në menaxhimin e burimeve tona mund të bëjnë më shumë dhe kështu të kontribuojnë për ekonomitë e të dyja vendeve”, theksoi Markoviç, i cili njoftoi themelimin e një Komiteti Ekonomik Mali i Zi-Shqipëri.

“Kemi rënë dakord të krijojmë sa më shpejtë të jetë e mundur një qendër rajonale për bashkëpunim policor në Plavë. Ishte një mundësi e mirë që të konstatojmë marrëdhëniet e mira dhe pozitën e mirë të pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi, dhe një marrëdhënie të mirë të partive kombëtare shqiptare me koalicionin qeverisës në Malin e Zi. Pakica shqiptare në Mal të Zi është fuqimisht e përkushtuar për një Mal të Zi, për interesat e tij dhe fuqishëm mbështet integrimin e Malit të Zi në NATO dhe BE, si dhe zhvillimin e brendshëm të vendit “, tha Dushko Markoviq, sipas të cilit Mali i Zi dhe Shqipëria duhet të jenë çelësi i stabilitetit të rajonit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne