Rama dhe Ruçi në koalicion kundër SHBA, Basha duhet të braktiste seancën si SHBA

Lajmi kryesor dhe tejet negative, për të gjithë shqiptarët ishte qëndrimi i Ramës kundër SHBA me rastin e hapja e Kuvendit të ri me 9 shtator 2017 apo më saktësisht me zgjedhjen e Gramoz Ruçit, person “non grata” në SHBA, si kryetar i Kuvendit.

Kjo ngjarje ka ndodhur për herë të parë që nga 1991 dhe zor se do të mund të përsëritet më. Kjo është një ngjarje e turpshme dhe mesazh i qartë, për Ramën dhe maxhorancën qeverisëse. Por edhe qëndrimi i opozitës në këtë rast mund të klasifikohet i gabuar, duke mos qenë i njëjtë apo në rezonancë me atë të SHBA.

Rama e dinte paraprakisht reagimin e SHBA por ashtu si me rastin e Elvis Roshit e vazhdoi provokimin dhe sfidën ndaj SHBA, duke menduar se veprimi i “faktit të kryer” mund të funksionojë me sukses. Dhe për të zhvendosur vëmendjen e publikut e për të gjetur shpjegimin alibik, Rama tentoi të krijonte apo të përforconte lajmin e “tradhtisë” së 3 deputetëve të opozitës, që votuan Ruçin, por që në realitet dhe në asnjë rast nuk do të mund të mbulojë apo sfumojë lajmin kryesor të abandonimit të seancës së zgjedhjes së Rucit në krye të kuvendit nga përfaqësuesit e SHBA. Rama vazhdoi lojën e tij qesharake duke u tallur me publikun, tinzare duke futur në kurth opozitën dhe prej injoranti politik duke sfiduar SHBA.

Basha duket nuk e menaxhoi me sukses edhe këtë seancë të parë. Perceptimi negativ ndaj marrëdhënieve të tij me Ramën i krijuar që nga 18 maji u përforcua; ndonëse e vërteta mund të jetë ndryshe. Ai së bashku me grupin e tij kuvendor, të përzgjedhur krejtësisht dhe vetëm prej tij, ishte prej kohësh në fokusin e të gjithëve, edhe të Ramës, edhe të publikut edhe të kundërshtarëve. Shija që la kjo seancë apo mënyra sesi Basha e menaxhoi këtë seancë të parë nuk ishte ajo që prisnin demokratët, aq më pak demokratët konservatorë dhe aspak të persekutuarit që duket janë ndjerë, me të drejtë apo pa të drejtë, të tradhtuar nga votat që grumbulloi Ruci dhe sidomos nga qëndrimi politik i opozitës. Basha nuk arriti të korrigjonte asgjë nga perceptimi që ka krijuar dëshpërim dhe mosbesim te demokratët, madje i thelloi ato.

Opozita e drejtuar nga Basha është perceptuar ose naive që ra në kurthin djallëzor të Ramës nëse është i vërtetë shpjegimi që opozita dha aposteriori për të tre votat e opozitës, ndonëse për të thënë të vërtetën shumë pak e besojnë këtë arsyetim ndërkohë që kutia me fletët e votimit dhe fletët e votimit iu bënë prezentë publikut në mënyrë transparente. Ose Basha, siç e konsiderojnë shumë nga kundërshtarët e tij, dhe kjo është e vështirë të provohet, perceptohet si vazhdues i marrëdhënieve me Ramën të nisur me 18 maj 2017 ose për shkak të “kapjes” së hershme, siç thonë disa kundërshtarë më të egër të Bashës, ai kreu shërbimin ndaj Rucit për shkak të “marrëdhënieve konfidenciale”. Opozita me inteligjencë, integritet dhe qasje politike duhet ta kishte shmangur atë që ndodhi dje, pavarësisht djallëzive të Ramës, madje duke njohur djallëzitë e Ramës duhet ta kishte goditur e shpartalluar provokimin e Ramës.

Kundërshtarët e Bashës, pavarësisht se qëndrimi i opozitës nuk ishte i saktë, nxituan të reagojnë; reagimi i tyre, edhe nëse dikush e quan të drejtë apo vështirësisht të kritikueshëm, ishte disproporcional, i nxituar, jo perspektiv. Një reagim që dëmton më shumë PD dhe opozitën sesa Bashën. Një qëndrim më shumë emocional sesa racional dhe që nuk projekton pozitivitet në sytë e demokratëve edhe për vetë  kundërshtarët e Bashës. Ata së paku duhet të ishin frenuar së paku një ditë për të dëgjuar më shumë dhe folur më pak në publik..

Sigurisht do të bëhej në këtë rast pyetja: Ç’mund të bënte Basha ndryshe nga ç’bëri? Shumë thjesht: Basha duhet të ishte në koalicion me të persekutuarit që protestuan ashpërsisht. Duhet të bashkëpunonte me LSI që e bojkotoi seancën. Por mbi të gjitha  qëndrimi i Bashës duhet të ishte i koordinuar në distancë apo në rezonancë me SHBA që e abandonoi Ramën, Rucin dhe maxhorancën dhe stigmatizoi në sytë e shqiptarëve provokimin që Rama e Ruci i bënë SHBA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne