Rama mundohet të mbrohet pas përmbytjeve: Katastrofë nëse nuk do kishim bërë investime

Komiteti i Menaxhimit të Emergjencave është mbledhur paraditen e sotme për të diskutuar mbi situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit. Pasi është bërë një bilanc paraprak për sipërfaqet e përmbytura, banesat e prekura, si dhe infrastrukturën e dëmtuar, kryeministri Rama tha se tashmë do të kalohet me fazën e kapërcimit të pasojave.

Ai tha se do të vijohet puna për kanalet kulluese, mbjelljen e pemëve, si dhe do të ndërhyhet në të gjitha pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes nga uji.

“Duke i falënderuar me shumë mirënjohje të gjithë ushtarakët, vajzat e djemtë, gratë e burrat të angazhuar në këto ditë dhe netë tejet të vështira, dhe duke falënderuar gjithë të tjerët që po ashtu që i dhanë një pamje kuptimplotë reagimit të shtetit në këtë situatë, dua të nënvizoj se tani është momenti për të çuar përpara fazën e dytë, atë të kapërcimit të pasojave në radhë të parë për familjet e prekura, dhe sigurisht edhe për atë pjesë të infrastrukturës, që janë jetike për lëvizshmërinë dhe garantimin e jetës normale në komunitetet e zonave të përmbytura.

Patjetër që do të na duhet më tej që të ecim me zbatimin e planit që ka nisur prej disa muajsh nga ministri i Bujqësisë për të ndërhyrë në të gjitha pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes nga uji, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës. Fakti i shembjes së një numri të konsiderueshëm urash flet qartë për potencialin katastrofik që kishte kjo situatë, nëse shumë investime mbrojtëse nuk do ishin bërë në këto 2 vite. E kemi parë se në çdo zonë ka ende një sërë pikash të dobëta ku duhet ndërhyrë me përparësi”, – u shpreh kryeministri Rama.

Ndonëse kjo është një situatë e përsëritur edhe nën qeverisjen Rama, kreu i qeverisë tani pas 4 vite qeverisje shprehet për plane investuese në këto zona të cilat përmbyten çdo vit që ka shira.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne