Rama në krah të Erdogan për gylenistët dhe komploti i brendshëm kundër Shqipërisë…

I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Real Story’, kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien e tij me presidentin e Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, sidomos në kushtet e reja kur presidenti turk po u kërkon vendeve të rajonit t’i dorëzojnë anëtarët e organizatës ‘Gylen’ që gjenden në territorin e tyre.

Kryeministri Rama tha se shqetësimi i Erdogan është legjitim porse nuk ka asnjë presion ndaj qeverisë shqiptare.

Rama mbështeti linjën politike të Erdogan sipas të cilit, grupi i udhëhequr nga Fetullah Gylen ka orkestruar grushtin e shtetit në Turqi në korrik të vitit 2016.

“Presion mua dhe qeverisë sime për sa kohë që e drejtoj unë nuk i bën dot askush. Por në rastin konkret, biseda ime me presidentin Erdogan ka qenë vëllazërore për një problem legjitim për atë, për një rrjet që ka kërcënuar rendin në Turqi.” – tha Rama.

Pyetjes nëse do të dorëzojë anëtarët e kësaj organizate, Rama iu përgjigj se kjo nuk është një çështje bardhë e zi dhe se është në bisedime dhe po merret me këtë rrjet.

Pyetjes me ironi të gazetarit Sokol Balla se a ka ndonjë komplot ndaj qeverisë Rama në mënyrë që në qershor të mos votohet rekomandimi për të çelur negociatat për anëtarësimin në BE, kryeministri iu përgjigj po me ironi.

“Komplot të jashtëm nuk e di por ka një komplot të brendshëm për të penguar procesin. Është një komplot i brendshëm që shfaqet në formë çadre, në formë protestash, mosbindje civile,..”– tha kryeministri./Faxweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne