Rama për akuzat e opozitës për vrasjen e shoferit të Xhafajt: Agresion i neveritshëm, i turpshëm

Edi Rama e nisi fjalën e tij sot në Korçë duke ngushëlluar familjen e Shkëlzen Qordjes, shoferit të Fatmir Xhafajt.

I bindur në versionin e policisë, se shoferi i ministrit të tij të Brendshm u vetëvra, Rama tha se ky ishte një vendim ekstrem dhe befasues i tij për të gjithë, dhe ndan me familjen keqardhjen se përtej tragjedisë ata nuk gjetën dot qetësinë nga sulmet politike.

Edi Rama i quajti akuzat dhe deklaratat e opozitës, një agresion brutal dhe të neveritshëm.

Nga Korça ku ndodhet për turin e llogaridhënies publike Rama u shpreh se këto akuza duan të godasin ministrin e Brendshëm dhe qeverinë.

“Dua ta nis në mënyrë pak të veçantë këtë takim sepse rrethanat e diktojnë…duke përfituar nga rasti për t’i shprehur ngushëllimet familjes së punonjësit të gardës, i cili u nda nga jeta pasi mori një vendim ekstrem dhe befasues për të gjithë ne dhe dua të ndaj me familjen të gjithë ndjenjën më të fortë të keqardhjes për faktin se edhe përtej tragjedisë edhe përtej dhimbjes së pangushëllueshme të një familje për djalin, vëllain, një njeri të shtrenjtë ata nuk mundën të gjejnë së paku qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë së tyre sepse u gjendën në rrebeshin e zi të sulmeve politike për të njëjtat arsye të mosarsyes që e kanë dominuar për kaq shumë kohë politikën tonë dhe që vazhdojnë ta dominojnë padashur fare ta dinë për respekt, për të vërtetën jo e jo por për njerëzit e thjeshtë në kulmin e një momenti dhimbje. Agresioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta përfshirja e tij në një skenar fantazie makabër për të goditur ministrin e Brendshëm, për të goditur qeverinë vërtetë që nuk ka fjalë për t’u komentuar. Është i neveritshëm, është i turpshëm”, u shpreh Rama.

Dje Partia Demokratike akuzoi Gardën e Republikës, Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme se po fshehin ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardës.

Sipas PD-së, ngjarja e rëndë implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe është një vrasje mafioze, për të cilën kjo parti po përpiqet të zbardhë të vërtetën.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne