Rama për BBC: Kërkojmë vetëm atë që kemi arritur me reformat tona, hapjen e negociatave

“Anëtarësimi në BE i Shqipërisë, përfaqëson mbrojtjen e vetes nga fantazmat e të shkuarës, duke garantuar që nuk do të përballemi sërish në të ardhmen me atë që u përballëm në të shkuarën e afërt”, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë në programin radiofonik “Today” të “BBC”.

Kreu i qeverisë shqiptare thekson se “ne po kërkojmë hapjen e negociatave, të cilat nuk kanë asnjë kosto për BE-në, por janë jetike për ne”.

“Retorika e frikës rreth fluksit të emigracionit, që ka të bëjë aspak më shumë se me lëvizjen e lirë të njerëzve në tregun e lirë të punës minon vetë vlerat dhe principet e botës sonë europiane”, u shpreh Rama në përgjigje të shqetësimeve lidhur me emigrimin dhe largimin e mundshëm të shqiptarëve drejt vendeve të pasura të Unionit.

Përsa i përket të ashtuquajturës banda shqiptare e identifikuar nga Agjencia Kombëtare e Krimeve në Britaninë e Madhe, kryeministri tha se “kam dëgjuar shumë nga këto teori gjatë fushatës së “Brexit”, por siç të dhënat zyrtare flasin qartë, shumë prej tyre janë vetëm ekzagjerime për qëllime të caktuara politike”.

“Unë nuk po e mohoj këtë problem, por e kemi dëgjuar këtë lloj etiketimi edhe më parë në histori. Një herë e një kohë, italianët në Amerikë shiheshin vetëm si picierë dhe mafiozë, por e vërteta ishte shumë më komplekse. Nuk duhet të harrojmë që krimi i organizuar nuk është një fenomen kombëtar, i kufizuar brenda kufijve shtetërore. Është një fenomen mbarëkombëtar. Kriminelët kanë Bashkimin e tyre Europian, kjo është arsyeja përse Bashkimi ynë Europian duhet të jetë sa më i fortë dhe i ndërlidhur që të jetë e mundur, për të luftuar në mënyrë të suksesshme kundër krimit”, nënvizoi Rama për BBC.

Sa i përket anëtarësimit në BE dhe zgjerimit të Unionit, kryeministri deklaron se “tani për tani, ne po kërkojmë vetëm atë që kemi arritur me reformat dhe përpjekjet tona: hapjen e negociatave. Anëtarësimi për ne dhe për vendet e tjera të rajonit do të ndodhin më vonë, jo sot”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne