Edi Rama përdori një gjuhë të dyfishtë për të goditur opozitën sot në fjalimin për rekomandimin e KE-së për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Për Ramën, opozita ka qenë një front kundër vendimit të sotëm. Sipas tij, qeveria u baltos deri në kockë për të arritur këtë ditë të shënuar për vendin, ndërsa opozita la kockat pas për t’a bërë të pamundur.

Në rolin e kryeministrit, Rama i drejtoi edhe një ftesë opozitës dhe Lulzim Bashës për t’ju bashkuar kur vjen puna për të punuar për të ardhmen europiane të vendit.

“Unë nuk e lexoj rekomandimin e shumëpritur për çeljen e negociatave si fitoren e një pale politike ndaj palëve të tjera politike, sepse kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithësej për këtë ditë, ndaj partive që luftuan me gjithësej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi.

Kjo nuk është as fitore e qeverisë, që u angazhua me mish e me shpirt, e u baltos deri në kockë në përpjekjen drejt këtij objektivi strategjik për Shqipërinë, mbi opozitën që la kockat në angazhimin e saj për t’a bërë të pamundur këtë objektiv.” – u shpreh Rama, ndërsa fton edhe opozitën t’i bashkohet në rrugën europiane të vendit.

“Dora jonë është sërish e shtirë drejt opozitës, dhe unë e ftoj sot përpara të gjithë shqiptarëve, socialistë e demokratë, por mbi të gjitha në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë pa asnjë dallim, opozitën dhe kryetarin e saj që të mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi, me këtë sfidë të përbashkët kombëtare, e cila sot më shumë se kurrë kërkon që kur flasim në gjuhë të huaj të mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin, por t’i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.” – u shpreh Rama.

13