Rama: Shqiptarët e shohin Turqinë si një shtet të rajonit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se shqiptarët e shohin Turqinë si një shtet të rajonit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklarata e Ramës është bërë gjatë një interviste për një gazetë italiane, i cili ka folur ndër të tjera edhe për të ardhmen e BE-së, rolin e SHBA-ve në rajon, etj.

“Ne shqiptarët e shohim Turqinë si një shtet të rajonit, që po përpiqet të luajë rolin e tij, pa u munduar t’u imponojë asgjë vendeve të Ballkanit. Është një vend i lidhur me perspektivën euroatlantike. Rusia ka lidhje me Serbinë, me botën sllave, por e përdor këtë lidhje sikur të ishte një gur shahu në fushën e interesave të saj gjeostrategjikë; luan në Ballkan për të garantuar diçka tjetër, në nivel global, në marrëdhëniet me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara”, ka theksuar Rama.

Ai ka shtuar se beson që BE-ja do të dijë të bëjë dallimin mes krizave që kanë të bëjnë me rritjen e saj dhe braktisjes së idealeve dhe parimeve të saj strategjike, duke shtuar se “Projekti i BE-së është absolutisht i vlefshëm si horizont paqeje për të gjithë ne”.

Duke folur për rolin e SHBA-ve në rajon, Rama ka theksuar se “Roli i saj është thelbësor. Pas 40 vitesh komunizmi totalitar shqiptar dhe fiksimi anti-imperialist e anti-amerikan, populli shqiptar zhvilloi një aspiratë të thellë për vlerat liberale amerikane dhe evropiane dhe roli i ekuilibrit të Shteteve të Bashkuara në zonën tonë është i domosdoshëm”.

Kujtojmë se kryeministri i Shqipërisë dje zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, ku u takua me homologun e tij italian, Paolo Gentiloni./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne