Rama, si Mao i revolucionit kulturor

nga Fatos Lubonja

Pasi e ka denigruar për katër vjet elektoratin e partisë opozitare duke e quajtur “dele” dhe kryetarin e saj “dështak”; pasi ka punuar për të kastruar shoqërinë civile deri në atë pikë saqë, pastaj, ka ngritur pyetjen “ku është shoqëria civile që t’i çoj një tufë lule në varr?”; pasi ka skualifikuar tërë gazetarët kritikë, duke i quajtur “kazan”, pasi bëri pakt me Metën për të nxjerrë Bashën nga protesta në çadër dhe pastaj me Bashën për ta akuzuar Metën si “shushunjë”, Edi Ramës i duket se me rezultatin që arriti në votime i ka eliminuar të gjitha këto pengesa. I ka cilësuar si e keqja e Shqipërisë që u mund nga populli (në fakt nga paratë e drogës) dhe tani po shtron platformën e tij të qeverisjes, pa i llogaritur më këta faktorë. Emri që i ka vënë kësaj platforme është “bashkëqeverisje direkt me popullin”. Me një fjalë tashmë kush ka probleme që kanë të bëjnë me keqqeverisjen apo nevojën e ndryshimit të ndonjë gjëje, nuk ka më pse të humbasë kohë e energji të organizohet në shoqëri civile; as pse t’u drejtohet mediave, e aq më pak të mendojë të organizohet në opozitën e vjetër apo me ndonjë parti opozitare të re. Mjafton të komunikojë direkt me liderin suprem dhe gjithçka do të shkojë si jo më mirë.

Po të kthesh kokën pak në historinë jo shumë të largët, por edhe mjaft të afërt, do të gjesh jo pak shembuj qeverisjesh kësisoj. I pari që m’u kujtua kur lexova nëpër media për këtë “gjetje” të re të Ramës ishte Çavesi i Venezuelës. Ai kishte organizuar një program televiziv në të cilin lidhej direkt me popullin, ku njerëzit i shprehnin shqetësimet e nevojat që kishin dhe ai ua zgjidhte menjëherë direkt, me një telefonatë nga studioja. Ka shumë gjasa që duke e perfeksionuar idenë e bashkëqeverisjes me popullin, edhe udhëheqësi yni ta bëjë këtë nëpërmjet televizionit të tij Edi Rama tv. Kush do të mësojë se ku të çon kjo lloj qeverisjeje, le të shohë se ç’po ndodh sot në Venezuelë.

Në fakt, një variant të zbehtë të kësaj ideje, sa të vjetër, aq edhe të re, e ka përdorur edhe paraardhësi i tij Sali Berisha. A nuk ju kujtohet numri i telefonit të tij ku qytetarët mund të çonin SMS të ankoheshin? Po qytetari dixhital që, në vend se të ankohet në institucione, ankohet te lideri legjendar i opozitës Berisha?

Sigurisht, kush e ka marrë seriozisht se Edi Rama ka nevojë vërtet të dëgjojë ankesa e kritika të njerëzve të popullit që të përmirësojë punën e tij, gabohet. Po të kishte nevojë vërtet për të dëgjuar kritika, dhe t’i merrte ato seriozisht, ai do të vraponte tek Erion Veliaj, sapo të shihte qytetarët duke protestuar për parkun që u rrëmbeu fëmijëve pa pikë turpi një javë, pasi u rrëmbeu votën. Jo. Kjo qeverisje direkt me popullin duke anashkaluar institucionet është krejt tjetër gjë nga mirëqeverisja; është bash forma ekstreme e keqqeverisjes. Në thelbin e saj qëndron ideja (e gabuar) e kultit të pagabueshmërisë së liderit suprem, i cili, i shtyrë nga nevoja e sëmurë për gjithëpushtetshmëri, mendon se ai i mjafton dhe i tepron popullit të vet; i liderit që, për të rritur gjithëpushtetshmërinë, përdor idenë tjetër të gabuar – se populli është i pagabueshëm- për të eliminuar kundërshtarët e tij.

Ata që duan shpjegimin e këtij fenomeni nga pikëpamja psiko-sociale, i ftoj të lexojnë shkrimin tim “Edi Rama – narçizizmi malinj dhe shoqëria shqiptare” http:// perpjekja.blogspot.si/2017/04/edi-ramanarcizizmi-malinj-dhe-shoqeria.html.

Por këtu nuk bëhet fjalë më për analiza psiko-sociale dhe as për t’i bërë thirrje Ramës që të heqë dorë nga sëmundja e tij, që nuk e kontrollon dot. Këtu bëhet fjalë për të mbrojtur ato pak arritje demokratike që na kanë mbetur. Sepse kjo lidhje direkt me popullin, duke anashkaluar institucionet, veçanërisht ato që shërbejnë si kontrollues të pushtetit, si opozita, mediet, shoqëria civile, na kthen në kohë të errëta që i kemi provuar e që duket sheshit se nuk i kemi kaluar.

Në funksion të rezistencës ndaj këtij rreziku le të kthejmë pak vështrimin mbrapa në historinë e diktatorit tonë për të kërkuar rrënjët e fenomenit në fjalë. Historia e Shqipërisë diktatoriale ka njohur dy faza që, po t’i shohësh me kujdes, kanë dallim me njëra-tjetrën, pikërisht për sa i përket fenomenit të raportit të liderit me institucionet. Faza e parë është ajo e kohës kur ishim të lidhur me Bashkimin Sovjetik. Në atë periudhë, ndonëse kishim sistemin e partisë– shtet, ku pushteti i Enver Hoxhës ishte shumë i madh, u ndërtua, megjithatë, njëlloj ndarje kompetencash, nëse mund ta quaj kështu, midis atij që quhej shteti dhe partisë. Për këtë Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i kryeministrit, që e mbante në vitet e para pas Luftës. E kam fjalën se në fazën e parë ekzistonte ajo që rëndom quhet “burokraci” apo pushteti i zyrave, i njerëzve teknikë e specialistë, me në krye kryeministrin e vendit, Mehmet Shehu. Vërtet një pjesë e ministrave, si dhe vetë kryeministri, ishin anëtarë të Byrosë Politike, por këta qenë të detyruar të respektonin sado kudo punën e kësaj burokracie e teknokracie, ku lideri suprem ndërhynte për gjëra të mëdha, po jo për të qeverisur gjithçka vetë e për të vendosur edhe se ku kishte naftë dhe ku nuk kishte p.sh. Kjo, pa dyshim, vinte nga ajo pak përvojë e shtetit të Zogut, por edhe nga përvoja e shteti sovjetik, që edhe pse i ndërtuar mbi parimin e partisë–shtet, respektonte më shumë kompetencat e specialistëve apo teknicienëve që punonin në institucionet e shtetit, veçanërisht pas vdekjes së Stalinit.

Periudha e dytë është ajo e pas-prishjes me BS, që u inspirua nga idetë e revolucionit kulturor kinez, kur kryetari Mao lëshoi gardistët e kuq për të goditur kundërshtarët e tij si Liu ShaoCi etj., duke i nxjerrë një pjesë syresh në rrugë me dazibao të varur në qafë dhe kapuç në kokë si autodafe. Ky revolucion në thelb ishte një sulm kundër pushtetit të institucioneve dhe njerëzve të tij, në emër të pushtetit absolut të Maos. Të njëjtën gjë, me të njëjtin synim, bëri edhe Enver Hoxha në atë kohë. Është periudha kur mbajti fjalimin e famshëm “Kur flet klasa (punëtore) nuk flet burokratizmi”, që qe një goditje kundër Mehmet Shehut, kur hoqi edhe gradat e ushtarakëve dhe kur institucionet e shtetit, deri edhe ato të studimeve shkencore, u vunë nën një presion të madh të fletërrufeve që bënin njerëzit e popullit (gjoja nga poshtë, por të nxitur nga lart). Ishte periudhë kur shteti u zëvendësua totalisht me udhëheqësin e lavdishëm, që vazhdoi (në vitet ‘70) me eliminimin e gjithë atyre kuadrove që kishin njëlloj merite nga e kaluara e tyre e Luftës apo edhe profesionale dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të klasës që kishin vetëm një meritë: adhurimin e diktatorit. Fundi mjeran i kësaj qeverisjeje dihet.

Sigurisht sot nuk mund të arrijmë në çmendurinë dhe tragjizmin e atyre viteve. Por ajo çka shohim tregon se trashëgimia e asaj të kaluare ka mbetur shumë e fortë si te njerëz si Edi Rama që na drejtojnë, por edhe te populli. Prandaj mendoj se kjo strategji e eliminimit të institucioneve e të kundërshtarëve nëpërmjet masave s’mund të merret kurrsesi me mendjelehtësi. As duke aplikuar atë thënien, sipas së cilës historia përsëritet dy herë: të parën si tragjedi dhe të dytën si farsë. Edi Rama nuk duhet parë, siç e shohin një pjesë, si një përsëritje komike e Enver Hoxhës, sepse situata e shqiptarëve nën drejtimin e tij nuk po është edhe aq komike. Thënia në fjalë u atribuohet filozofëve si Hegeli apo Marksi që kishin një konceptim determinist të historisë, që e shihnin historinë si një ecje gjithnjë përpara drejt realizimit të një ideje që ishte përtej vullneteve njerëzore. Sipas këtij konceptimi, kush kërkon ta kthejë historinë prapa bëhej qesharak. Por sipas filozofëve të tjerë, si Karl Poperi p.sh., historia nuk ecën kështu. Ajo mund të kthehet edhe prapa e të shkojë edhe më për dreq. Ashtu sikurse nuk është e vërtetë ideja që populli nuk gabon kurrë. Tragjedi të tilla si fashizmi apo komunizmi e provuan këtë. Thënia në fjalë mund të jetë vërtethënëse (në mënyrë të kufizuar në kohë dhe hapësirë) vetëm kur bëhet fjalë për popuj që ecin përpara në dije dhe përvojë, të cilët, kur e kanë provuar një të keqe, nuk e lejojnë më atë të përsëritet. Por jo të gjithë popujt e kanë këtë mençuri. Madje, edhe ata që i konsiderojmë më të përparuarit bëjnë gabime pa fund, prandaj dhe janë aq vigjilentë për të ruajtur institucionet e kontrollit të pushteteve, të tilla si opozita, shoqëria civile, mediat e pavarura etj.

Duke parë historinë tonë mund të thuash se në këta 100 vjet shqiptarët kanë mësuar pak apo aspak nga historia e tyre tragjike me liderë supremë. Prandaj dhe e kanë provuar përsëritjen e historisë së tyre në forma, edhe pse të ndryshme, gjithmonë tragjike, edhe në kohën e Zogut, edhe në kohën e Hoxhës, edhe në kohën e paskomunizmit që nesër mund të quhet edhe koha e Berishës, e Nanos, e Metës, e Ramës. Mefshtësia me të cilën është reaguar ndaj arrogancës së Ramës dhe po reagohet edhe ndaj kësaj aventure të tij të re është shenjë e një historie që po përsëritet në formën e një tragjedie të re.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne